Toti 4 muaj jashte fushave te blerta.
Roma pas barazimit me Livornon qe domethene pothuaj lamtumire kampionat, humbet edhe Francesko Totin per 4 muaj pas demtimit ne gju. "Ma ndollën! Të gjithë thoshin se duhej të ndëshkohesha me karton të kuq, se duhej të pezullohesha, por ja që këputa ligamentet e kryqëzuara të gjurit." Kanë qenë këto fjalët plot hidhërim të Françesko Totit, pak përpara se të mbërrinte në hyrjen e klinikës "Villa Stuart" në Romë, ku pas vizitës profesor Pierpaolo Mariani përcaktoi se kapiteni i Romës duhej të operohej. Dhe nisi menjëherë operacioni për rindërtimin e ligamenteve të kryqëzuara të gjurit të djathtë të Françesko Totit. Ndërhyrja, që u krye në artroskopi dhe me anestezi lokale, u drejtua nga profesor Pierpaolo Mariani dhe zgjati rreth 40 minuta. Në klinikën e Romës mbërriti edhe nëna e lojtarit. Koha e riaftësimit përllogaritet për një periudhë nga pesë deri në gjashtë muaj, por mjeku i Romës, Mario Broci, kujtoi se pas ndërhyrjesh të tilla, lojtarë të tjerë të verdhekuqve, si Emerson dhe Di Françesko, e morën veten brenda katër muajve. Operacioni me anestezi lokale zgjati një orë dhe doli me sukses, sikurse bëri të ditur Roma. Do të jetë profesor Mariani, ai që kreu ndërhyrjen, i cili do të shpjegojë se cilat do të jenë hapat e mëtejshme për riaftësimin dhe rehabilitimin e kapitenit verdhekuq. "Kam pakëz frikë, sepse ndjeva një krak, megjithatë kam kaluar edhe çaste më të vështira. Por me siguri do të kthehem më i fortë se më parë!" Këto kanë qenë garancitë që ka dhënë Toti kur mbërriti në klinikë. "Tani të shohim se çfarë do të më thotë Mariani, pasi të shohë rezonancën dhe më pas të bëjmë vlerësimet, e që do të vendosim se çfarë të bëjmë, - tha numri 10 i verdhekuqve. - Kam pësuar dy incidente tepër të rënda në harkun e dy viteve. Më parë nuk më kishte ndodhur ndonjë gjë kaq serioze. Për fat të keq, futbolli të sjell edhe gjëra të tilla! "Toti, pavarësisht nga dëmtimi i rëndë që pësoi në fazën e fundit të sezonit, nuk e humbi humorin. Atyre që i kujtonin disa rastësi, lidhur me datën (më 19 shkurt 2006 pësoi dëmtimin ndaj Vaniljit të Empolit, çka vuri në rrezik pjesëmarrjen e tij në Botëror, dhe më 19 prill 2008 pësoi këtë tjetër dëmtim të rëndë), Toti iu përgjigj me një batutë: "Për fat të mirë, më ka ndodhur edhe diçka pozitive, që mban datën 19. Eshtë dita e martesës time (19 qershor 2005)." Lidhur me mundësinë për ta shmangur dëmtimin, nëse do të kishte dalë më parë, Toti tha se "Broci më pa dhe, nëse do të kishte vlerësuar se kisha ndonjë problem, do të kishte qenë i pari që s'do të më kishte lejuar të kthehesha në fushë. Problemi ka të bëjë me goditjen e dytë". "Françesko Toti ka një dëmtim të pjesshëm, dhe jo të plotë të ligamentit të kryqëzuar të përparëm të gjurit të djathtë. Nëse do të kishte qenë e plotë, do të kishte dalë menjëherë nga fusha. Tani do ta vlerësojmë me kujdes situatën." Kanë qenë këto fjalët e mjekut të Romës, Mario Broci, kur mbërriti te "Villa Stuart". Përgjegjësi i stafit mjekësor verdhekuq ka shpjeguar se "duket qartë që situata nuk na jep garanci për të ardhmen. Në fakt, - vijoi Broci, - të shtunën, pas dëmtimit të dytë patëm përshtypjen se gjuri nuk e përballon dot më gjendjen".
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj