24 ore lajme: Tadiq i shpalli zgjedhjet parlamentare për 11 maj Tadiq i shpalli zgjedhjet parlamentare për 11 maj ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 13 March, 2008 06:07:00 Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq e ka firmosur sot më mëngjes Dekretin me të cilin e ka shpërndarë Parlamentin dhe i ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare për 11 maj, në ditën kurë janë caktuar edhe zgjedhjet krahinore (për Vojvodinën) dhe ato lokale, është njoftuar nga kabineti i tij. Qeveria e Serbisë i ka propozuar të hënën presidentit shpërndarjen e Parlamentit me arsyetimin se nuk ka më politikë unike e të përbashkët, dhe kjo nuk ia mundëson asaj për ta përcaktuar dhe drejtuar politikën e shtetit. Nga dita e sotme, Qeveria e Serbisë edhe zyrtarisht është “qeveri Teknike” deri në formimin e qeverisë së re që duhet të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 11 majit. Duke iu drejtuar qytetarëve përmes televizionit shtetëror, presidenti Tadiq tha se "zgjedhjet janë rrugë demokratike në të cilën qytetarët do të thonë se si duhet të zhvillohet Serbia në vitet që po vijnë. Ky është shansi ynë për t'i forcuar kapacitetet tona për mbrojtjen e sovranitetit e të tërësisë tokësore të vendit, për ta forcuar perspektivën tonë ekonomike me anë të procesit të integrimeve evropiane, për ta konfirmuar kapacitetin demokratik të shoqërisë dhe për ti ndryshuar gjërat në të mirë", ka cekur Tadiq. Ai iu ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje që kjo fushatë të jetë fer e korrekte dhe të kalojë në një atmosferë të qetë e demokratike, "në mënyrë që Serbia t'i krijojë institucionet stabile të cilat gjatë viteve të ardhshme do të punojnë me efikasitet në mbrojtjen e të gjithë qytetarëve të saj.