24 ore lajme: PDSH e braktis koalicionin qeveritar PDSH e braktis koalicionin qeveritar ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 13 March, 2008 07:13:00 PDSH në mbledhjen e djeshme të Kryesisë qendrore, e cila zgjati më shumë se dy orë, solli vendim për ta braktisur koalicionin qeveritar. Këtë në mbledhjen e sotme në Saraj duhet ta konfirmojë organi më i lartë partiak, Këshilli qendror, me të cilin kryeson kryetari i nderit, Arbën Xhaferi. "Në orën 17 do të kemi mbledhje të Këshillit qendror në Saraj, jam i sigurtë se do ta pranojë vendimin dhe ai do të jetë i pakthyeshëm dhe përfundimtar për daljen e PDSH-së nga Qeveria", tha lideri Menduh Thaçi, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë qendrore. Ai theksoi se ky është problem i rëndë dhe krizë e rëndë politike. Thaçi potencoi se të gjithë të cilët shpresojnë se spin-mjeshtër apo mjeshtër trillues do ta zgjidhin situatën, në fund do të gënjehen. Ai përsëriti se qëndrimi i PDSH-së është të jetë pjesë e zgjidhjes së problemit, e jo problemi. "I porosis zotërinjtë Gruevski dhe Ahmeti në drejtim të respektimit të Kushtetutës së RM-së dhe të ligjeve nëse munden të bëjnë qeveri të përbashkët dhe të na thonë se për çka janë marrë vesh dhe nëse atë mund ta realizojnë. Kjo do të thotë se ne do të respektojmë çfarëdo vendime të cilat janë në suaza të Kushtetutës dhe ligjeve. Këtë e bëjmë sepse jemi të njohur se asnjëherë nuk kemi bërë lojëra prapaskene, por dëshirojmë çdoherë të kemi politikë transparente. Për ne është shumë i rëndësishëm procesi, NATO-ja, por me të vërtetë më të rëndësishme për ne janë të drejtat e njerëzve të cilët i përfaqësojmë", theksoi Thaçi. Ai shtoi se nuk janë të rëndësishme zgjedhjet dhe qeveritë, me rëndësi është procesi të çohet deri në fund. Sipas Thaçit, PDSH ka mbështetje të madhe nga, siç tha, aleatët tanë, BE-ja, NATO-ja dhe SHBA-ja që të gjithë së bashku të punojmë për t'i zgjidhur këto probleme. "Ata nuk janë aq naivë të na përzihen se çfarë qeveri do të bëjmë dhe nëse do të bëjmë qeveri. Porosia e tyre është shumë e qartë", potencoi Thaçi.