24 ore lajme: Pozicioni i Maqedonisë lidhur me propozimin e Nimicit do të definohet pas kthimit të Dimitrovit nga SHBA-ja Pozicioni i Maqedonisë lidhur me propozimin e Nimicit do të definohet pas kthimit të Dimitrovit nga SHBA-ja ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 26 March, 2008 01:08:00 Presidentit Branko Cërvenkovski, kryeministri Nikolla Gruevski dhe ministri i Punëve të Jashtme Antonio Milloshoski, pasdite në kabinetin e shefit të shtetit e shqyrtuan propozimin e fundit të ndërmjetësuesit Metju Nimic për tejkalimin e dallimeve me Greqinë rreth përdorimit të emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë. Pas takimit të kreut shtetëror, asnjë nga pjesëmarrësit nuk dha deklaratë për mediat. Me deklaratë me shkrim u prononcua zëdhënësi i qeverisë Ivica Bocevski. "Me takimin e sotëm filloi procesi i vlerësimit dhe analizës së zgjidhjes së propozuar të cilën ndërmjetësuesi Metju Nimic e parashtroi në raundin e fundit në Nju-Jork. Duke marrë parasysh rëndësinë e propozimit, e sidomos rëndësinë e çdo detaji nga propozimi i lartpërmendur, do të presim ambasadori Nikola Dimitrov të kthehet nga Nju-Jorku, me qëllim që themelisht t'i brifojë krerët politikë në Republikën e Maqedonisë për vijimin e bisedimeve, si dhe për të gjitha hollësitë nga zgjidhja e propozuar. Procesi i vlerësimit dhe analizës do të vazhdojë edhe në disa ditët në vijim", vlerëson Bocevski. Nimici në raundin e fundit të mbrëmshëm të negociatave maqedono-greke që u mbajtën në selinë e KB-së në Nju-Jork ofroi propozim të ri të emrit me përcaktim gjeografik. Ndërmjetësuesi nuk e bëri të ditur propozimin, ndërsa mediat në Greqi, duke iu referuar burimeve diplomatike, sot informojnë se me siguri bëhet fjalë për emrin "Republika e Maqedonisë (Shkup)". Raportuesit e mediave maqedonase në Nju-Jork duke iu referuar burimeve diplomatike, deklaruan se propozimi i ri i Nimicit parasheh emri që është pranuar, në transkriptimin anglez të shfrytëzohet për komunikim ndërkombëtar, ndërsa ai kushtetues për përdorim të brendshëm. Vendeve që e kanë njohur Republikën e Maqedonisë me emrin kushtetues do t'u sugjerohej, por pa obligime, ta shfrytëzojnë emrin e ri. Mbiemrin maqedonas do të mund ta shfrytëzojnë të dy vendet.