24 ore lajme: Bakojani: Propozimi i Nimicit larg qëllimeve të vendosura nga Greqia Bakojani: Propozimi i Nimicit larg qëllimeve të vendosura nga Greqia ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 26 March, 2008 01:03:00 Ministrja e Punëve të Jashtme e Greqisë, Dora Bakojani sot deklaroi se propozimi i fundit i mediatorit Metju Nimic për kontestin me emrin "është larg qëllimeve të vendosura nga Greqia", njoftoi ANA-MPA. Bakojani sot pati takim me kryeministrin Kostas Karamanlis dhe me rrethin më të ngushtë të ministrave nga Qeveria greke, në të cilën informoi për bisedimet e djeshme për emrin në KB në Nju-Jork. Shefja e diplomacisë greke shtoi se negociatat do të vazhdojnë dhe komunikoi se në 48 orët e ardhshme do t'i informojë presidentin grek Karolos Papulas dhe liderët e partive politike për zhvillimin më të ri të ngjarjeve. E pyetur nga gazetarët nëse është ende në opsion vetoja greke për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, Bakonjani u përgjigj: "Pozicioni grek është i qartë dhe nuk ka nevojë këtë ta përsëris. Si do që të jetë do të them edhe një herë: nëse nuk ka zgjidhje të pranueshme për emrin, Greqia nuk mund të dakordohet në marrëdhënie partnere me Shkupin". Duke u përgjigjur në pyetjen nëse propozimi i djeshëm i Nimicit është i fundit, Bakojani tha se "nuk ka propozime finale në bisedime".