Ministrja e Jashtme e Greqise Dora Bakojanis zhvillon nje vizite pune ne Tirane
Gjatë takimit, dy Ministrat biseduan mbi perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO në Samitin e Bukureshtit, mbi procesin e integrimit në BE, rreth zhvillimeve në rajonin tonë e në veçanti ato në Kosovë, si dhe mbi ecurinë e bashkëpunimit dypalësh.
Ministri Basha e njohu Ministren Bakojani me arritjet dhe zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht në reformat e ndërmarra në fushën politike, ekonomike dhe të sigurisë.
Ai shprehu angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për përmbushjen e të gjitha kritereve të kërkuara nga Aleanca, për të siguruar ftesën në Samitin e Bukureshtit dhe kërkoi vazhdimësinë e mbështetjes së Greqisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit. Ministri Basha i shprehu ministres greke gjithashtu falenderimet për mbështetjen që Greqia i ka dhënë e po i jep Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE.
Duke theksuar vizionin Euro-atlanik dhe Europian të vendit tonë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, z. Basha shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të vijuar rolin e saj si faktor stabiliteti në rajon.
Zhvillimet në rajonin tonë, në veçanti ato që kanë të bëjnë me shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit të Kosovës, ishin një tjetër çështje e rëndësishme që u trajtua gjatë këtij takimi.
Ministrja Bakojani nga ana e saj, duke theksuar se Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm në drejtim të ecurisë së saj euro-atlantike, shtoi se qeveria greke do të vazhdojë të mbështesë sinqerisht Shqipërinë për marrjen e ftesës së merituar për anëtarësim në NATO. Në kontekstin e integrimit, znj. Bakojani theksoi gjithashtu se së shpjeti do të përcillet MSA-ja për ratifkim në parlamentit grek, si shprehje e vullnetit politik të Greqisë.
Ministri Basha dhe Ministrja Bakojani vlerësuan nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit dypalësh, të konkretizuar nga kontakte të shumta në nivel të lartë politik, si dhe nga një bashkëpunim i frytshëm i komisioneve të përbashkëta në nivel ekspertësh. Në këtë kontekst ata shprehën angazhimin për të intensifikuar më tej dialogun politik, si dhe bashkëpunimin në fushën ekonomikee kulturore.
Në vijim ata ndanë mendimin se ura lidhese të miqësisë e bashkëpunimit dypalësh kanë qenë e mbeten komuniteti i emigrantëve shqiptarë qe jetojnë e punojnë në Greqi dhe komuniteti i minoritetit grek që jeton në Shqipëri.
Gjatë vizitës së saj në Tiranë, Ministrja e Jashtme, znj. Bakojani, do të pritet në takime të veçanta nga Presidenti i Republikës, z.Bamir Topi, Kryeministri z.Sali Berisha, dhe Kryetarja e Kuvendit znj.Jozefina Topalli.
Para fillimit të takimeve të sipërpërmendura, Ministrja e Jashtme znj. Bakojani duke vizituar të plagosurit në Spitalin Ushtarak të Tiranës, shprehu edhe njeherë mbështetjen dhe solidaritetin e qeverisë së saj për ngjarjen e rëndë të 15 marsit.



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (2 vendosur):
Vendosni komentin tuaj