24 ore lajme: Kerkojme doreheqjen dhe hetimin e kryeministrit Kerkojme doreheqjen dhe hetimin e kryeministrit ================================================================================ Valentina Leskaj on 19 March, 2008 11:38:00 Ajo që mund t’u them sot është se ju nuk demontoni armë, ju demontoni shtetin dhe kjo është tragjike për një vend. Ju duhet të shkoni të rrëfeheni përpara organeve të drejtësisë e jo në foltoren e Këshillit të Ministrave apo të ketij Kuvendi që duhet të heqë zyrtarisht imunitetin tuaj e të Ministrit të Mbrojtjes. Zoti Kryeministër, Historitë që treguat këtu, fyejnë cdo shqiptar, fyejnë Kuvendin, që ju ka thirrur të raportoni, të tregonit shkaqet e vërteta të tragjedisë që gatuat, të thoni pse u vranë gjithë ata njerëz. Me fjalën tuaj ju treguat edhe një herë se jeni i papërgjegjshëm. Dhe meqë u shfajësove këtu nga përgjegjësia, po të them të lexosh nenin 169 të Kushtetutës. Ju nuk u kërkuat falje atyre njerëzve, as sot. Ndaj do të ishte e tepërt të pretendonim sot nga ju që të ishit ndryshe. Në këto 17 vjet ju jeni përsonifikuar, si president i një vendi që u dogj e u shkrumbua deri në dhimbje, si kryetar i një opozite që dogji institucionet dhe tani së fundi si kryeministër i një qeverie e cila, me një vendim krejt të papërgjegjshëm, realizoi një bombardim të mirëfilltë mbi një zonë të banuar. Një goditje që ka shkaktuar humbje jetësh të pafajshme, zhdukje e plagosje fëmijësh, grash e burrash fatkeqë, shpërngulje masive familjesh të copëtuara, shkatërrime shtëpish e pronash. Bilancit tragjik i shtohen dhe pasojat që do të lërë kjo ngjarje në memorjen dhe shpirtin e kombit, të cdo shqiptari, të cdo fëmijë që nuk do të harrojnë lehtë imazhet e kësaj tragjedie, kur ende nuk janë tharë lotët e 11 viteve më parë. Të udhëhequr nga arsyeja njerëzore e qytetare jo nga instikti i luftës për pushtet, jo me klithma pa pyetur për pasojat, sic bënit ju, ne ju dhamë juve dhe qeverisë suaj mbështetje në orët e tmerrit për të ndihmuar njerzit në nevojë, mjekët, policët, ushtarët që të bënin detyrën. Ne e bëmë këtë për njerzit dhe jo për t'ju krijuar mundësinë juve që të dilni në ato konferenca shtypi të turpshme, të cilat dëshmuan se ju jeni po ai, personifikimi i njeriut që s'di të marrë kurrë përgjegjësitë e veta, po vetëm t'ua lerë fajin të tjerëve. z.Kryeministër, Sigurisht që ju duhet ta dini se detyra e parë e qeverisë së një vendi është siguria e jetës së shtetasve,ndërsa ju jeni qeveria që minuat sigurinë me afera korruptive. Ministri juaj i Mbrojtjes dha dorëheqjen pasi populli, në cdo mikrofon e ekran, dhe pastaj edhe opozita e vendit i kërkoi, atij si edhe juve, të merrni përsipër përgjegjësinë për këtë tragjedi që ka tronditur botën. Nuk mund të rrini ende ulur në atë karrige zoti Kryeministër pasi politika juaj e mbrapshtë ka shkaktuar një tragjedi të madhe që u ka fikur jetën apo u ka marrë njerëzit më të dashur dhe gjithcka kishin kaq shumë bashkëqytetarëve tanë? Sot e tërë Shqipëria, qytetarët e majtë, të djathtë e pa parti, kërkojnë nga ju të bëni atë që bëri Ministri juaj i Mbrojtjes, i cili bashkë me ju dhe jashtë cdo logjike njerëzore e ligjore, lejoi hapjen e një fabrike të cmontimit të municioneve në zemër të aksit kryesor të vendit Tiranë-Durrës, në një zonë të banuar dhe pranë aeroportit ndërkombëtar? Fabrikë e quani ju zoti kryeministër, po në fakt ajo ishte një barrakë, barraka e vdekjes që kryente operacione me rrezik jete. Ky është një rast i paprecedent. Është shumë cinike të mendosh për fitime përpara jetëve të grave burrave, fëmijëve që për bukën e gojës vënë në rrezik jetën. Është e paprecedent të shohësh një barrake që quhet fabrikë ku brenda dhe jashtë saj, sheshit e pa asnjë masë sigurie, të ketë male me municion. Është shumë cinike që fëmijë të enden në këto male me municion dhe shteti të mos shohë. Ju zoti Kryeministër jeni zotuar për të luftuar korrupsionin e informalitetin e për këtë keni kontrolluar byrektore e domateshitës, që nxjerrin bukën e gojës dhe mirë keni bërë, ne jemi për shtetin ligjor. Po pse nuk e keni bërë këtë edhe për fabrikën e vdekjes, që nxirrte miliona nga djersa e njerëzve pa i siguruar ata? A e morët vesh z. Kryeministër se nga 140 puntorë që unonin në fabrikë vetëm 7 - 8 siguroheshin mesatarisht, muajt e fundit vetëm një është siguruar dhe ky është pronari ? Pse kaq zemërmirë me këtë firmë? Ky është korrupsion politik, moral e financiar i paguar me jetë njerzish. Ky ishte akti i ligjëruar me kontrata korruptive që tashmë nuk mund t’i mbulojë dot askush. Dhe për këtë ju akuzoni mediat, sic bëtë edhe sot në mbledhjen e qeverisë. Askush nuk do kishte kurajon të bënte atë që bëtë ju sot, të akuzonte mediat në vend që t’i falenderoni ato për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë në këto ditë me shpirt njerëzor, me transparencë e profesionalizëm. Ajo që bët sot është një presion i hapur ndaj mediave të lira dhe kjo është shumë e rëndë. E bëtë këtë, sepse ato flasin për të vërteta të frikshme po ky nuk është faji i medias. Pas kësaj që ka ndodhur nuk e di si mund të rrini ulur në atë karrige zoti Kryeministër. Ju fyeni të vdekurit e të gjallët kur thoni se qeveria juaj kishte përgjegjësi vetëm për transportin e municionit dhe jo për lejen e fabrikës, jo për vendndodhjen e saj, jo për kushtet e sigurisë brenda saj, jo për shfrytëzimin e grave e të miturve, jo për fundin tragjik të saj? Është edhe më e turpshme kur thoni se nuk keni dëgjuar ndonjëherë emrin Gërdec, që e keni vetëm 10 km nga zyra. Zoti Kryeministër, Disa herë në këtë sallë e në konferenca shtypi, personalisht kam kërkuar të ndaloni punën e fëmijëve që rrëmojnë në malet e kromit në Bulqizë, ku u kanë vdekur baballarët, për fëmijët që rrëmojnë hekurishte e predha për ti shitur duke u bërë viktimë, po ju nuk keni dëgjuar, ndonjërit në këtë sallë i është dukur edhe diskutim i parëndësishëm. C’farë ka më të rëndësishme për politikën se sa jeta e njerëzve se sa jeta e fëmijëve? Problemi nuk është vetëm që shkaktuat këtë tragjedi, por dhe që e keqmenaxhuat. Si është e mundur që Kryeministri i vendit të pyes punëtorin e plagosur e të traumatizuar se sa vetë ishin në fabrikë? Si është e mundur që qeveria nuk ka informacion sa veta punojnë në një objekt të tillë? Kjo është e frikshme. Zoti Kryeministër, Nuk kanë qenë të paktë qytetarët që më kanë kërkuar t'ju kujtoj se c'ke bërë në këtë foltore si kryetar i opozitës, kur u mbyt një gomone me klandestinë në mes të detit apo kur ra një autobus në greminë. Ka ndër këta qytetarë që mendojnë se ju nuk e jepni dorëheqjen sepse doni të fshihni dicka të tmerrshme lidhur me fabrikën e vdekjes. Këtë sot për sot e dini vetëm ju. Ajo që dimë ne është se nuk bëmë e nuk do të bëjmë asnjëherë atë që ju keni bërë në këtë vend. Atë që keni bërë në këtë foltore me ulërima, akuza e shpifje, por padyshim as nuk do të lejojmë që këtë barbari shtetërore ju ta kaloni me papërgjegjshmërinë tuaj proverbiale e me justifikimet tuaja të patolerueshme. Ajo që mund t’u them sot është se ju nuk demontoni armë, ju demontoni shtetin dhe kjo është tragjike për një vend. Ju duhet të shkoni të rrëfeheni përpara organeve të drejtësisë e jo në foltoren e Këshillit të Ministrave apo të ketij Kuvendi