24 ore lajme: PD dhe PS pajtohen për një sistem të ri zgjedhor dhe për ndryshimin e Kushtetutës së Shqipërisë PD dhe PS pajtohen për një sistem të ri zgjedhor dhe për ndryshimin e Kushtetutës së Shqipërisë ================================================================================ D.Ndreka on 10 March, 2008 10:44:00 Mirëkuptimi mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në Shqipëri njohu një zhvillim të ri të rëndësishëm sot kur palët u pajtuan për një sistem të ri zgjedhor dhe për ndryshimin e Kushtetutës. Partia Demokratike nëpërmjet kryetarit të saj, njëherit kryeministrit Sali Berisha, tha se ishte dakord me Partinë Socialiste për përmirësimin e kuadrit ligjor zgjedhor. Fillimisht Partia Socialiste nëpërmjet Valentina Leskajt, kryetare e deputetëve të saj, parashtroi propozimin për sistemin e ri zgjedhor. “Propozimet e PS-së në thelb konsistojnë në përmirësimin e sistemit zgjedhor dhe konkretisht kalimin në sistemin proporcional me listë shumemërore, në bazë të ndarjes administrative në rang qarqesh. Kjo reformë është shumë e rëndësishme për zhvillimin e vendit dhe për proceset integruese”, ka theksuar znj. Leskaj. Në Shqipëri sistemi zgjedhor është i përzier, përkatësisht nga 100 zona deputetët dalin drejtpërdrejt - me votën e popullit, ndërsa 40 të tjerë përftohen nga sistemi proporcional, në Kuvendin me 140 ulëse. Pas zonjës Leskaj, kryeministri Berisha paraqiti fuqimisht angazhimin e qeverisë për reforma dhe bashkëpunim me opozitën. “Unë dua të garantoj opozitën dhe shqiptarët, që kjo qeveri e ka bazuar platformën e vet vetëm tek reformat, reformat dhe vetëm reformat, dhe, në ketë kontekst mirëpres me kënaqësi çdo lloj bashkëpunimi që opozita ofron për promovimin e tyre. Ne vlerësojmë shumë ecjen përpara bashkërisht me reformat”, ka thënë kryeministri Berisha. Partitë e mëdha thonë se sistemi i ri zgjedhor do ta shmangë deformimin e votës. Propozimi që kërkon ndryshimin e Kushtetutës u përfshi në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Por, ndryshimi i sistemit dhe Kushtetutës nuk ka gjetur mirëkuptimin e 10 partive të vogla, pjesëtare të Kuvendit, të cilat thonë se demokratët dhe socialistët po dhunojnë demokracinë.