24 ore lajme: Ulqini: Qeveria jo serioze! Te pranoje korrupsionin e te marre masa ne lufte ndaj ketij fenomeni Ulqini: Qeveria jo serioze! Te pranoje korrupsionin e te marre masa ne lufte ndaj ketij fenomeni ================================================================================ Musa Ulqini on 04 March, 2008 10:45:00 Partia Socialiste është e shqetësuar, gjithashtu edhe për mungesën e seriozitetit të qeverisë në mënyrën sesi ajo reagon ndaj raporteve të institucioneve prestigjoze ndërkombëtare, në të cilat kërkohet që qeveria shqiptare të zëvendësojë fjalët me vepra në luftën korrupsionit. Pavarësisht nga zhvillimet politike të ditës Partia Socialiste e Shqipërisë vazhdon të jetë tejet e vëmendëshme ndaj realizimit të premtimeve kryesore elektorale të Partisë Demokratike. Tani që duhen edhe tre muaj për t’u mbushur 3 vjet nga ardhja e kësaj mazhorance në pushtet, ne konstatojmë me keqardhje dhe shqetësim të thellë se lufta kundër korrupsionit, që ishte dhe kryepremtimi elektoral i Partisë Demokratike, vazhdon të jetë më së shumti në terma propagandistikë dhe larg rezultateve konkrete. Madje në disa shërbime jetike, që u ofrohen qytetarëve, korrupsioni ka njohur rritje, duke ndikuar dukshëm në mirëqenien e tyre. Shumica dërrmuese e shtetasve të ndaluar nga drejtësia për korrupsion janë nënpunës të emëruar në poste të ndryshme pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet. Shqipëria vazhdon të kritikohet në raportet e ndërkombëtarëve për nivelin e lartë të korrupsionit, si dhe për mungesën e rezultateve konkrete, të premtuara nga qeveria aktuale. Partia Socialiste, duke shprehur shqetësimin e thellë për mungesën e rezultateve në luftën kundër korrupsionit, ka mbështetur fuqimisht në Kuvend çdo nismë ligjore kundër korrupsionit dhe nuk i ka dhënë mbështetje politike askujt që është ndaluar nga policia apo akuzuar nga prokuroria për veprën penale të korrupsionit. Por, Partia Socialiste është e shqetësuar, gjithashtu edhe për mungesën e seriozitetit të qeverisë në mënyrën sesi ajo reagon ndaj raporteve të institucioneve prestigjoze ndërkombëtare, në të cilat kërkohet që qeveria shqiptare të zëvendësojë fjalët me vepra në luftën korrupsionit. Këto ditë u bë publik raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, në të cilin bëhet një analizë reale për situatën e korrupsionit në Shqipëri. Raporti për këtë çështje nënvizon se: ”Korrupsioni mbetet një problem me rrënjë të thella në Shqipëri”. Ky në të vërtetë është thelbi i gjithë raportit për luftën e munguar të qeverisë shqiptare kundër korrupsionit. Cili ishte reagimi i qeverisë shqiptare ndaj këtij raporti? Dje në Kuvendin e Shqipërisë zv.kryeministri, jo vetëm që nuk mbajti një qendrim realist ndaj raportit në fjalë, por ai e vlerësoi atë të përgjithshëm, me të dhëna nga organizata jo qeveritare, ku vetëm një pjesë e shqetësimeve të këtij raporti qëndrojnë! Në një përpjekje aspak korrekte për të mbrojtur mungesën e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit, zoti zv.kryeministër theksoi se raporti kritikon për korrupsion edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Madje zoti zv.kryeministër bëri përgjegjëse opozitën për kritikat në raportet e ndërkombëtarëve duke theksuar se ajo me qëllim nxin realitetin në Shqipëri. Duke shprehur keqardhjen për këtë reagim të numrit 2 të qeverisë aktuale, ne i bëjmë thirrje qeverisë që për mungesën e rezultateve në luftën kundër korrupsionit nuk duhet të bëjë fajtorë as institucionet ndërkombëtare dhe aq më pak opozitën dhe qytetarët, të cilët në sinkron me njëri tjetrin vazhdimisht i kanë kërkuar qeverisë dhe kryeministrit Berisha që retorikën politike ta zëvendësojë me masa të gjithanshme konkrete në luftën kundër korrupsionit. Në interpelancën e zhvilluar në 27 dhjetor të vitit të kaluar me kryeministrin Sali Berisha për angazhimin e munguar të qeverisë në luftën kundër korrupsionit, ne theksuam se gjatë vitit 2007 ishin të paktën 6 raporte nga 5 agjensi ndërkombëtare shumë prestigjoze që e rendisnin Shqipërinë në top-list kur ishte fjala për nivelin e korrupsionit. USAID, Banka Botërore, Forumi Botëror për Ekonominë, Transparenca Ndërkombëtare dhe BE, ishin institucionet të cilat theksonin se në Shqipëri korrupsioni vazhdon të jetë tejet i lartë dhe një pengesë serioze për zhvillimin e vendit. Kryeministri Berisha në vend që të mbante shënim për kritikat e ndërkombëtarëve dhe perceptimin tejet negativ të 78% të shqiptarëve të intervistuar nga ”Barometri Global i Korrupsionit” që e rendit Shqipërinë në vendin e 3 në botë për nivelin e lartë të korrupsionit, akuzoi opozitën se ”po mashtronte shqiptarët me raportet e ndërkombëtarëve dhe se socialistët janë të vetmit mbrojtës të korrupsionit në Europë”!!! Vetëm dy muaj pas këtij reagimi aspak etik të kryeministrit Berisha ndaj kërkesës së opozitës për të mbajtur premtimet që ai ka bërë përpara shqiptarëve se ”beteja e parë që do të fitonte kur të vinte në pushtet ishte lufta kundër korrupsionit”, janë bërë publik dokumenta dhe reagime të tjera kritike për luftën e munguar të qeverisë kundër korrupsionit. Konkretisht: në 6 shkurt 2008 u publikua raporti i CIA-s në të cilin theksohet se 50% e ekonomisë shqiptare është informale – tregues ky mjaft thelbësor për mungesën e rezultateve në luftën kundër korrupsionit. Në datën 1 mars 2008 ”Zëri i Amerikës” publikoi raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (pjesa për Shqipërinë) ku theksohej shprehimisht se: ”Korrupsioni mbetet një problem me rrënjë të thella në Shqipëri”. Gjithashtu në datën 20 shkurt 2008 një media kombëtare televizive transmetoi një intervistë me komisionerin për zgjerimin në BE, zotin Olli Rehn. Në këtë intervistë zoti Rehn, duke folur për angazhimin e qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe thellimin e reformave, theksonte që nga qeveria shqiptare këkrohet më pak fjalë dhe më shumë aksion në luftën kundër korrupsionit dhe thellimin e reformave të gjithanshme, të domosdoshme për antarësimin e Shqipërisë në NATO dhe BE. Në të vërtetë për këtë problem kjo është edhe kërkesa këmbëngulëse e opozitës shqiptare në përgjithësi dhe Partisë Socialiste në veçanti.