24 ore lajme: Kryetarja e Komunës së Ndroqit dhe grupi i këshilltarëve të PS së kësaj komune bashkohen me LSI. Marrin teserat e LSI edhe 250 anëtarë të PS në këtë komunë Kryetarja e Komunës së Ndroqit dhe grupi i këshilltarëve të PS së kësaj komune bashkohen me LSI. Marrin teserat e LSI edhe 250 anëtarë të PS në këtë komunë ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 03 March, 2008 10:47:00 Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z.Ilir Meta i ka dhënë teserën e LSI, kryetares së komunës së Ndroqit, znj.Fatime Goga, e cila u bashkua sot së bashku me grupin e këshilltarëve të PS, si dhe 250 anëtarë të tjerë me LSI. Gjatë një takimi mjaft entuziast me qindra pjesëmarrës, Kryetarja e Komunës së Ndroqit u shpreh se po bashkohet së bashku me kolegët e tjerë socialistë me LSI, që është e majta e vërtetë dhe mbron interesat dhe vlerat e socialistëve shqiptarë. Fatime Goga u shpreh se "këta 250 anëtarë që vijnë sot te LSI, bashkohen me Kryeministrin më të suksesshëm që ka pasur Shqipëria që pas '90-ës, me liderin që do të bashkojë të gjithë socialistët dhe të majtën drejt fitores, me z.Ilir Meta". Më pas ajo shtoi, se "duke pasur mbështetjen e të gjithë anëtarëve të PS-së ne morëm sot këtë vendim, sepse jemi ndjerë të anashkaluar dhe të përbuzur nga kryetari i PS-së. Ai nuk pati respekt për votën e socialistëve të vërtetë këtu në Ndroq, nuk pati respekt për gjakun e derdhur për mbrojtjen e kutive të votimit në zgjedhjet e 18 Shkurtit". Sipas znj.Goga në PS nuk funksionon më parimi "një anëtar - një votë", por është vetëm një slogan, sepse kur 179 anëtarë votojnë në Ndroq me votë të fshëhtë dhe të monitoruar për një kandidat të preferuar, selia e PS-së vendos për një person tjetër që kishte marrë vetëm votën e një anëtari. Kryetarja e Komunës së Ndroqit përfundoi fjalën e saj kështu, "unë jam socialiste që nga viti 1991, po kështu edhe Ilir Meta. Ndaj ju ftoj të gjithëve të bashkohemi me liderin që do të bashkojë të gjithë socialistët dhe të majtët e vërtetë drejt fitores". Më pas në mes entuziasmit të të pranishmëve, e mori fjalën Kryetari i LSI, z.Ilir Meta…(fjala e plotë në vijim) Është një kënaqësi e veçantë, që ndodhem sot këtu ndërmjet jush në këtë komunitet të majtë e të mrekullueshëm të Ndroqit, menjëherë pas inicimit nga ana jonë të një koalicioni të ri që synon të rrëzojë një herë e mirë "Murin e Berlinit" të ngritur përmes intrigave dhe komploteve midis socialistëve dhe të majtëve dhe ti bashkojë ata jo atje tek zyrat e ish-Partisë Socialiste, ku kryetari i saj fton Ilir Metën që të kthehet tek dyert e asaj partie. Ilir Meta, Fatime Goga Kryetarja e komunës së Ndroqit dhe të gjithë ju këtu, që jemi socialistë që nga 1991, e dimë shumë mirë që PS-ja nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë as si godinë dhe as si zyrë, por është investimi i sakrificave, i mundimeve të mëdha nga të gjithë ju, të gjithë ne dhe gjithë ato që kanë sakrifikuar çdo gjë jo vetëm për t'u përballur me represionin e parë të Sali Berishës, por edhe me atë të dytin që duket gjoja edhe më i butë. Ju e dini më mirë se kushdo tjetër se si ishin zgjedhjet e 18 Shkurtit. Sepse ju keni derdhur gjak për të mbrojtur votat e popullit të kësaj komune për socialisten Fatime Goga dhe për alternativën tonë. Nuk mund të hidhet poshtë ai gjak që ju derdhët për të drejtën tuaj vetëm një vit më parë - dhe nuk po flasim këtu për 12 vjet më parë në 1996-, nga ai që Edi e quajti më të drejtë një vit më parë "kusari dhe tirani i votës së lirë". Për këtë arsye ne shtymë edhe zgjedhjet që të merrnim garanci, që të mos të vidheshin as votat e Edit dhe as votat e të gjithë socialistëve dhe të gjithë progresistve në zgjedhjet vendore. Tani pas një viti ai jo vetëm që nuk dëgjon zërin tuaj, jo vetëm që shkeli edhe kontratën e bërë ndërmjet nesh për të dalë me një qëndrim për Reformën zgjedhore, dhe për të mbrojtur zgjedhjet e ardhshme nga Berisha që vetëm një vit më parë provokoi socialistët e Ndroqit dhe donte të vidhte votën e tyre. Ai harron kështu një histori të lavdishme dhe plot sakrifica në mbrojtje të zgjedhjeve të lira, që ne kemi bërë që nga viti 1991. Shqetësimi ynë, i juaj dhe i të gjithë socialistëve është ai që askush nuk mund të luajë më me ne socialistët, me ne të majtët, me ne progresistët në të gjithë Shqipërinë. Nuk mund të luhet më me përallat e "një anëtar - një votë", kur përjashtohen njërëzit në mënyrë të padrejtë dhe kur ata që nuk kanë pasur asnjë lloj lidhje jo me PS-në, por as me të majtën vijnë dhe caktohen këtu në krye të komunës suaj. Ju e kuptoni se çfarë mund të ndodhë në të gjithë Shqipërinë, kur kjo ndodh në Ndroq, ku kryetari i PS-së kalon 3 herë në ditë këtu. Vete dhe vjen dhe nuk dëgjon dhe nuk respekton zërin tuaj, ndaj kuptohet se sa realisht dëgjon dhe respekton zërin apo mendimin e shumë socialistëve dhe shumë të majtëve në të gjithë Shqipërinë. Ju e kuptoni se sa e rëndë është që ai shkeli një marrëveshje me të majtën, me opozitën për zgjedhjet dhe thotë që këtë bashkëpunim do e ketë me Sali Berishën, sepse ne vendosim, sepse ne nuk pranojmë diktat nga askush tjetër. Në këto kushte të gjithë të majtët, duhet ta kuptojnë që ne vendin dhe të ardhmen e tij, nuk duhet ta lëmë në këto duar të pasigurta. Prandaj unë jam krenar që ne sot bashkohemi, ashtu sikurse kemi qenë prej kohësh, jo që përpara atij Kongresi të 2003, që solli atë ndarje të padëshirueshme, por që përpara 97-ës, në kohën më të zjarrtë të solidaritetit dhe sakrificave. Them kështu, sepse pas 97-ës shumë njerëz u afruan me Partinë Socialiste, por një pjesë e mirë e tyre erdhën për të privatizuar sakrificat e shumta të bëra nga të gjithë ju dhe nga të gjithë ne, sepse së bashku e sollëm PS-në në pushtet. Janë këta që nuk ngopen me pushtet për veten e tyre, janë këta të cilët duan të vrasin atë shpirt solidariteti dhe sacrifice, që kemi pasur ne socialistët, ne të majtët me të gjithë shqiptarët. Ne e kemi pritur me dashuri Edin, kur ai ka ardhur në '98 direkt Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe po bën 10 vjet, sepse edhe unë kam hyrë në të njëjtën ditë në Qeverinë e atëhershme të z.Nano. Unë atëherë u emërova Sekretar Shteti, ndërsa ai në Ministrinë e Kulturës, edhe pse ai e kishte për turp të thoshte se jam socialist, por thoshte se vinte për të kontribuar për Shqipërinë. Ju e keni zgjedhur edhe Kryetar të Partisë Socialiste para disa vitesh, por mendoj se rruga që ai ka zgjedhur për të mohuar ato vlera të pamohueshme që ka pasur PS-ja në jetën politike shqiptare, pavarësisht nga ato deformime që kanë ndodhur, pavarësisht nga këto ndarje që kanë ndodhur dhe që në një kohë të dytë, do të sqarohen se kush e futi farën e përçarjeve dhe intrigave brenda të majtës. Por pavarësisht me të gjitha këto, ne do t'i themi edhe Edit dhe të gjithë të tjerëve, që nuk na ndal askush për të bërë atë bashkim të vërtetë me të gjithë socialistët e vërtetë, me të gjithë të majtët e vërtetë dhe progresistët. Jo vetëm kaq, por ne do të tregohemi sërish zemërgjerë me Edin dhe nuk e kemi këtë një betejë kundër Edit, por një betëjë për ta shpëtuar edhe atë. Ne do tregohemi zemërgjerë me të, ashtu sikurse u treguam edhe në '98, edhe pse ai nuk kishte lënë gjë pa thënë për PS-në që nga 1991. Pavarësisht kësaj, Edit ja hapëm derën, jo të godinës së PS-së, sepse nuk është ajo Partia Socialiste, por zemrat e socialistëve të cilat ju hapën edhe për shumë të tjerë që kanë ardhur pas '97. Por, socialistët e vërtetë farën e intrigës, atë të hipokrizisë, atë të mashtrimit, do e largojnë njëherë e përgjithmonë. Ajo nuk mundet dhe nuk mund të mundet që të na ndaojm më me njëri-tjetrin. Ndaj unë ju jap fjalën ju për atë besim që keni jo vetëm tek LSI-ja, por edhe tek mua personalisht si socialist, se do e justifikoj këtë besim të ri që ju po investoni tek unë me shumë përgjegjshmëri. Unë së bashku me ju, ashtu sikurse kemi fituar në vitin 2000 në zgjedhjet e përgjithshme vendore në të gjithë Shqipërinë, ashtu sikurse fituam edhe Bashkinë e Tiranës dhe bëmë Edin kryetar, apo sikurse fituam Durrësin dhe gjithë qytetet që i kishte pasur Berisha për 10 vjet, do fitojmë një herë e mirë ndaj Sali Berishës në vitin 2009. Sepse, Sali Berisha përveç problemeve të mëdha që i ka krijuar vendit, përveç varfërisë të jashtëzakonshme që ka shkaktuar, përveç korrupsionit të paparë me të cilën përballet sot vendi, sepse harxhohen me miliarda euro për prokurime të drejtpërdrejta, Sali Berisha njëkohësisht po mbush edhe moshën e pensionit. Sikurse e dini ne socialistët kemi përgatitur edhe një projektligj për kujdesin ndaj moshës së tretë dhe ju sigurojmë që nga ky projektligj do të fitojë edhe Sali Berisha. Ndaj e ftojmë atë që ta miratojë këtë projektligj, që ne do e paraqesim shumë shpejtë në kuvend. Do ta mundim Sali Berishën dhe të gjithë ata që sot tentojnë të bëhen ortakë të tij. Do ta mundim për të mirën e Shqipërisë dhe për të mirën e Saliut. Prandaj të bëjmë këtë punë të madhe për bashkimin e të gjithë socialistëve, e të gjithë të majtëve dhe të gjithë progresistëve në të gjithë Shqipërinë, jo nga zyrat ku bëhen intrigat prej kohësh, por nga zemra e atyre të cilët kanë 17 vjet që sakrifikojnë dhe investojnë, të cilët kanë ende ëndrra të parealizuara, por nuk e kanë humbur shpresën dhe besimin, por po e investojnë atë në këtë bashkim të ri të së majtës së vërtetë. Unë ju premtoj gadishmëri maksimale, vendosmëri maksimale dhe fitore në 2009 kundër Sali Berishës dhe rikthimin e të majtës së bashkuar në pushtet. Ndaj të gjithë të bashkohemi jo vetëm këtu në Ndroq, por të bashkohemi dhe do të bashkohemi në të gjithë Shqipërinë, për këtë ndërmarrje të madhe për krijimin e Partisë Socialiste të vërtetë.