24 ore lajme: Mblidhen liderët e së majtës: Bojkot deri në zbardhjen e zgjedhjeve Mblidhen liderët e së majtës: Bojkot deri në zbardhjen e zgjedhjeve ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 24 September, 2009 03:15:00 Janë takuar sot pasdite kryetarët e partive të majta në vend, për të diskutuar mbi rrugën që do të ndjekë opozita, pas tentativave të vakëta të mazhorancës për ti ftuar në Parlament. Mësohet se krerët e së majtës kanë ndarë të njëjtin qëndrim për vazhdimin e mospjesëmarrjes në Kuvend. Ky është takimi i parë i krerëve të opozitës që pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Në takimin e zhvilluar në selinë e PS-së, ishin të pranishëm kreu i PS, Edi Rama, ai i PDS Paskal Milo, kryetari i G99 Erjon Veliaj, kreu i PSD Skënder Gjinushi dhe Vangjel Dule i PBDNj-së. Sipas Paskal Milos, krerët e opozitës kanë rikonfirmuar bindjen për të mos u bërë pjesë e Parlamentit deri në plotësimin e kushteve, që kanë të bëjnë me atë që ata e quajnë "zbardhje të krimit elektoral të 28 qershorit". Milo shtoi se po punohet për të fuqizuar të majtën. "U përcaktua shumë qartë se opozita kërkon edhe njëherë hapjen e kutive të votimit, sepse aty fshihet e vërteta e manipulimit të zgjedhjeve. Tashmë është më tepër se kurrë e domosdoshme që opozita të unifikohet dhe të bashkërendohet. Do të ketë takime të tjera në të cilat do të diskutohet për kalimin në një fazë tjetër të veprimit opozitar ", theksoi Milo.