24 ore lajme: Parlamenti miraton ligjin për Kodin Zgjedhor dhe Prokurorinë Parlamenti miraton ligjin për Kodin Zgjedhor dhe Prokurorinë ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 29 December, 2008 05:04:00 Parlamenti shqiptar miratoi sot me shumicë dërrmuese votash, falë një konsensusi mes dy partive më të mëdha, ndryshimet në kodin zgjedhor dhe ligjin e ri për Prokurorinë. Ndryshimet në kodin zgjedhor u kërkuan nga presidenti Bamir Topi, i cili e kishte të pamundur dekretimin e datës së zgjedhjeve sipas afateve të parashikuara në kod. Socialistët të cilët hodhën poshtë kërkesat e Lëvizjes Socialiste për Integrim për rishikim edhe të aspekteve të tjera të kodit, kërkuan me ngulm miratimn e shpejtë dhe kërcënuan me mospjesmarrje në votimet e parlamentit. Javën e shkuar komisioni i reformës zgjedhore kaloi një dispozitë tranzistore , të vlefshme vetëm për zgjedhjet e 2009, sipas të cilës kreu i shtetit dekreton datën e zgjedhjeve brenda 7 ditëve nga hyrja në fuqi e kodit. Zgjedhjet e ardhme pritet të mbahen më 21 ose 28 qershor dhe dekretimi i tyre parashikohet të bëhet në muajin janar. Ndryshimet moren 116 vota në favor. Pothuajse me të njejtën shumicë votash kaloi dhe ligji i prokurorisë. Opozita dha konsensusin e saj që javën e shkuar pasi projekti i dorezuar nga qeveria kishte marrë parasysh të gjitha vërejtjet e misioneve amerikane dhe europiane te asistencës juridike. Ligji i ri u mbështet edhe nga shoqata e prokurorëve dhe kryeprokurorja Ina Rama, e cila megjithatë kishte vërejtje për dy pika të projektit që lidheshin me mbrojtjen e prokurorëve dhe procedurave të inspektimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.