24 ore lajme: Rama: Ftoj qytetaret ne manifestim te premten ne sheshin “Skenderbej” Rama: Ftoj qytetaret ne manifestim te premten ne sheshin “Skenderbej” ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 31 March, 2008 07:36:00 Partia Socialiste fton qytetaret te manifestojne per te ardhmen e Shqiperise ne NATO, diten e premte ne sheshin “Skenderbej” ne kryeqytet. Kreu i PS, Edi Rama ka dale sot ne nje koference per shtyp ku u ka bere ftese qytetareve te mblidhen ne sheshin “Skenderbej” dhe te manifestojne per anetaresimin ne NATO dhe kunder qeverise “Berisha”. “T’i themi “PO” NATO-s dhe “JO” Berishes”, the sot per mediat Rama. Kryesocialisti theksoi se ky manifestim po organizohet me kerkese te vete shqiptareve. Rama perseriti thirrjen qe Berisha te dorehiqet duke e cilësuar ate si pergjegjes te tragjedise se Gerdecit. Të vetëdijshëm për situatën dramatike, që po kalon vendi për shkak të papërgjegjshmërisë, paaftësisë dhe korrupsionit shtetëror, që kulmoi me masakrën e Gërdecit e pasoi me skandalin e hapur në shtypin më prestigjioz ndërkombëtar. Të vetëdijshëm për momentin historik, që po kalon vendi dhe që kulmon me Samitin e Bukureshtit, në të cilin Shqipëria pret, le të shpresojmë ftesën për anëtarësim në NATO, që do të thotë reforma, reforma, reforma. Të vetëdijshëm se mes nesh dhe së ardhmes sonë euro-atlantike qëndron një qeveri e papërgjegjshme, e paaftë dhe e korruptuar deri në palcë, si dhe një kryeministër, që është shëmbëlltyra e politikës së vjetër të së shkuarës dhe përgjegjësi kryesor i tragjedisë së Gërdecit, dhe i të gjitha dramave aktuale të shoqërisë shqiptare, që janë papunësia në rritje, varfëria e kudondodhur, pasiguria ekstreme e jetës, dhuna, e krimi në familje, korrupsioni sistematik. Ne socialistët shqiptarë i përgjigjemi pozitivisht kërkesës së mijëra qytetarëve dhe qytetareve shqiptare për organizimin e një manifestimi të madh në sheshin Skënderbej, të premten e kësaj jave, për të shprehur vullnetin e palëkundur qytetar, që të ecim në rrugën e së ardhmes sonë në NATO dhe njëkohësisht vullnetin po aq të palëkundur për tu ndarë nga kjo qeveri e politikës së vjetër, të së shkuarës e drejtuar prej njeriut, që duhet të japë dorëheqjen dhe të lëshojë imunitetin e tij si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit dhe për skandalin e trafikut të armëve. Në manifestimin e së premtes qytetaret dhe qytetarët shqiptarë do të shprehin bindjen konsensuale të këtij populli për përkatësinë tonë të natyrshme, në familjen e popujve aleatë të rreshtuar në NATO, si dhe kërkesën e shumicës absolute të shqiptarëve për dorëheqjen e kryeministrit dhe zbardhjen deri në fund të krimit shtetëror, që polli bombën e Gërdecit dhe që turpëroi Shqipërinë në sytë e botës me skandalin e armëve të trafikuara. Unë i ftoj të gjithë bashkëqytetarët dhe bashkëqytetaret tona, që duan t’i thonë po NATO-s dhe jo Berishës, që pasditen e së premtes të jenë në sheshin Skënderbej.