24 ore lajme: Partia Socialiste: Mungese transparence ne administrimin e kontributeve te qytetareve per te mbijetuarit e Gerdecit Partia Socialiste: Mungese transparence ne administrimin e kontributeve te qytetareve per te mbijetuarit e Gerdecit ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 30 March, 2008 11:13:00 Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe grupi i ngritur pranë Partisë Socialiste, për të ndihmuar të mbijetuarit e tragjedisë së Gërdecit, u kthyen në ambientet e Konvaleshencës së Durrësit, me një tjetër sasi ndihmash nga anëtarët dhe simpatizantët e kësaj partie. Pasi u takua vet nga afër me ata njerëz në nevojë, kreu i opozitës u njoh me shqetësimet e tyre. Një nga banoret në Konvaleshencën e Durrësit u shpreh: “Kjo nuk ishte për fajin tonë, ishte për fajin e qeverisë. Ata thonë që nuk dimë gjë, kush e dinte atëherë? Aty vinin 50 makina ushtrie me municion. Ne jemi hallexhinj dhe na bënë që të dalim në rrugë të madhe”. Ndërkohë, Kryetari Socialist, Edi Rama, ngriti shqetësimin për mungesën e plotë të transparencës nga ana e qeverisë, në administrimin e këtyre kontributeve të solidaritetit qytetar, të cilat nuk janë shpërndarë në mënyrë të plotë te njërëzit në nevojë, por vetëm po shërbyejnë për të mbushur xhepat e buxhetit të qeverisë. Gjatë takimit me banorët Rama u shpreh: “Është e patolerueshme, që qeveria kërkon të mbushë xhepat e buxhetit me fondet e dhuruara nga qytetarët, organizatat, miqtë për viktimat dhe të mbijetuarit e tragjedisë. Këto fonde dhe këto ndihma janë ndihma të solidaritetit qytetar për viktimat dhe të mbijetuarit. Nuk janë ndihma për qeverinë, e cila është përgjegjëse dhe fajtore dhe e cila nuk mund ta përdorë në mënyrë kaq cinike këtë solidaritet, duke marrë nga njëra anë taksat dhe kontributet e qytetarëve për buxhetin dhe nga ana tjetër, duke futur dhe dhuratat dhe ndihmat e solidaritetit në buxhet me arsyetimin absurd, se po tejkalohet fondi i emergjencës, i cili është i paqartë, i cili është jo transparent, i cili është fiktiv për sa kohë nuk ka një fond të përcaktuar në bazë të të dhënave dhe të kostove”.