24 ore lajme: Tiranë: PD angazhohet me çdo kusht për përfundimin sa ma parë të reformës zgjedhore Tiranë: PD angazhohet me çdo kusht për përfundimin sa ma parë të reformës zgjedhore ================================================================================ 24-ore.com on 12 February, 2008 10:07:00 Partia Demokratike tha sot se do të pranojë çdo lloj sistemi zgjedhor që do të kërkojë opozita për t'i dhënë shtysë përfundimit të reformës zgjedhore dhe përmbushjes së kritereve ndërkombëtare. Komentet i bëri sot Astrit Patozi, nënkryetar i Partisë Demokratike dhe kryetar i grupit të deputetëve të saj. Zoti Patozi tha se nëpërmjet bashkëpunimit ndërpartiak shanset janë të mëdha për të arritur sukses dhe rezultat të pranueshme nga të gjithë aktorët politikë. "Ne do të pranojmë çdo lloj sistemi që do të kërkojë opozita dhe kjo është një deklaratë finale. Ne mund të ecim përpara, mund ta nisim procesin mbarë në rast se pranojmë edhe ato që konsiderohen si "5 jo-të" e artikulara nga forca më e madhe e opozitës. Të gjitha palët mund t’i shtrojnë opsionet e tyre në tavolinë dhe mund të gjejmë një zgjidhje për sistemin, për pragun elektoral, për çështjet e tjera që na interesojnë të gjithëve", ka thënë Patozi. Një ditë më parë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha se nuk do të hynte në zgjedhje pa karta identiteti, pa regjistrin elektronik të shtetasve dhe duke shmangur trafikun e deputetëve me këmbimin e votës subjekt-kandidat. Kërkesat e zotit Rama u mbështetën nga kryeministri Sali Berisha, i cili tha se ishte synim i qeverisë dhe i Partisë Demokratike plotësimi i kritereve për zgjedhje të lira e të drejta.