24 ore lajme: Berisha premtoi Shqipërinë në moshën e internetit dhe na riktheu Shqipërinë e Sali Qametit Berisha premtoi Shqipërinë në moshën e internetit dhe na riktheu Shqipërinë e Sali Qametit ================================================================================ Ilir Meta on 19 March, 2008 04:04:00 Në emër të Grupit Parlamentar të LSI-PDS, dua t’i shpreh edhe njëherë solidaritetin më të thellë familjeve të viktimave dhe të gjithë të lënduarve nga kjo tragjedi; të gjithë atyre që u janë shkatërruar shtëpitë, pronat dhe bizneset; të gjithë atyre që janë të shokuar nga ato shpërthime katastrofale dhe ju siguroj që kemi qenë me ta që pas shpërthimit të kësaj tragjedie, dhe jemi në mënyrë të pandërprerë ashtu sikurse kemi qënë dhe jemi në solidaritet të plotë me trupat xheniere, me forcat e policisë, me infermierët, me mjekët, të cilët vazhdojnë të punojnë papushim për të mbyllur pasojat e kësaj tragjedie. Por, për asnjë minutë nuk kemi ofruar solidaritet për kryefajtorin që për fatin tonë të keq, vazhdon të qëndrojë kryeministër i këtij vendi. Nuk e kemi ngritur gishtin ndaj tij që ditën e parë, sepse vëmendja e parë ishte ndaj njerëzve në fatkeqësi dhe tek menaxhimi sa më i mirë i kësaj tragjedie. Por edhe përmbajtja jonë u keqpërdor nga kryefajtori për të minimizuar tragjedinë dhe për të fshehur të vërtetat. Edhe sot pas kaq ditësh askush nuk jep dot një bilanc përfundimtar të viktimave, të të humburve dhe të shkatërrimeve që kanë ndodhur me këtë tragjedi. Si asnjëherë tjetër qeveria është përgjegjëse e drejtpërdrejtë për këtë keqmenaxhim të situatës. Kërkon alternative dhe ne i kemi dhënë që në fillim. Ti kërkohet ndihma urgjente e OKB-së dhe BE-së, për të kompensuar të gjithë dëmet materiale, të cilat nuk janë 6 mld lekë të reja, por të cilat janë me qindra milionë euro. Vetëm dje është njoftuar nga Qeveria se ka çuar grupet për të bërë vlerësimet për dëme të tilla dhe pa dyshim që ne dimë që këto tragjedi ndodhin edhe në vende të tjera dhe shumë shpejt mund të bjerë interesi ndërkombëtar për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e kësaj situate. Dëgjojmë edhe alibira nga më të ndryshmet, si ato që agjentura të huaja gjithmonë në ngjarje të mëdha na krijojnë dhe na shkaktojnë fatkeqësi të tillë. Natyrisht i mbetet organeve kopetente për të verifikuar. Por, unë kam frikë se agjenturat i kemi në krye të Qeverisë, sepse unë jam i bindur që një Kryeministër si Sali Berisha, i cili të gjithë e dinë që edhe një pastruese që është në opozitë me Partinë Demokratike në një institucion të caktuar e largon nga puna. Si mos e dinte që kishte një fabrikë të tillë çmontimi predhash dhe armësh në mes të metropolit Tiranë-Durrës. Por kështu është mëse e qartë që ngjarje të tilla, jo vetëm që nuk kanë sjellë reflektimin e tij, se i ka të përsëritura, por përkundrazi. Na tha në fillim se gabimi duhet të ishte njerëzor. Por kujt do t’ja kërkojmë këtë gabim ne?! Atyre që u vranë, atyre që humbën jetën, atyre grave dhe fëmijëve që kemi parë këto ditë në televizion duke mbajtur predha nëpër duar për të çuar dy lekë më shumë në shtëpitë e tyre?! A nuk e kupton ky demagog i pandreqshëm se çfarë varfërie dhe mizerje ka sjellë në këtë vend, kur edhe në zemër të metropolit Tiranë-Durrës gratë dhe fëmijët shkojnë për të marrë dy lekë më shumë të rrezikojnë jetën e tyre me predha dhe armë. Mendoni se çfarë mund të ndodhë anembanë Shqipërisë. Premtoi Shqipërinë në moshën e internetit dhe na riktheu Shqipërinë e Sali Qametit, sepse fëmijët atje u sakatuan dhe u vranë duke punuar me predha në dorë dhe nuk i pamë duke luajtur në internet. Sepse ky kryeministër i papërgjegjshëm nuk e jep dorëheqjen për arsye, sepse ky ka hall të bëjë kartat e indetitetit, sepse i ka në zemër zgjedhjet e lira dhe të ndershme në këtë vend. Ky njeri edhe sot nuk ka dhe nuk kemi një shifër të saktë të njerëzve të vrarë dhe të zhdukur. Ndërsa ju na mburreni për menaxhim perfekt të kësaj katastrofe. Po kështu ky ka hall që të hyj në NATO. Por çfarë i duhet NATO-s Sali Berisha, kur nuk mbron dot si Kryeministër shtetasit e vetë, popullin e vetë, fëmijët e vendit të vet ?! Po. Po, sepse ka qenë edhe kundër bombardimit të NATO-s mbi Jugosllavinë, sepse ju të nderuar kolegë, nuk i dini këto. Njëkohësisht na thotë që dëshiron të qëndrojë kryeministër, sepse sipas tij do që të zbardhë të vërtetën. Por kush do të ndihmojë për zbardhjen e së vërtetës mor zotërinj. Katër vjet më parë ky njeri në janar të 2004 ka qarë këtu më shumë se familjet e viktimave të Karaburunit dhe premtoj se kur të vinte në pushtet do e zbardhte dhe do të gjente të vërtetën e kësaj tragjedie. Asnjë iniciativë nuk ke marrë gjatë këtyre 3 viteve z.Berisha. E pra si mund të besojmë ne që ky njeri nuk bëri asgjë për zbardhjen e kësaj çështje, në një tragjedi që nuk ishte përgjegjës sepse ishte në opozitë, ndërsa tani që ka përgjegjësi dhe ka firmosur një vendim Qeverie do të zbardhi të vërtetën!! Njëkohësisht unë dua t’i kërkoj atij që të japë dorëheqjen, jo vetëm të lejojë Prokurorinë për të hetuar në mënyrë të paanshme, sepse edhe ai vetë si Kryeministër është dhe duhet të jetë pjesë e këtij hetimi dhe askush nuk do i mbushë mendjen askujt që kryeprokurorja nuk do jetë e penguar nga fakti që ai është Kryeministër i këtij vendi. Duhet të largohet, jo vetëm për arsye ligjore por edhe nga ana morale. Do apo s’do ai ky njeri është identifikuar, si një njeri që sjell tragjedi. Ku njeri sa herë të dalë në televizor do të shtojë dhimbjet e atyre të cilët kanë përjetuar atë tmerr nga afër dhe jo nga televizori. Le ta bëjë këtë edhe për kaq, sepse në profesion ai ka qenë edhe mjek