United State capture?
Kryeministri autoritarist Sali Berisha është akuzuar shumë herë nga kundërshtarët e tij për kapjen e institucioneve dhe të krejt shtetit të vobektë shqiptar, por askujt nuk i kish vajtur ndër mend se klani i tij do të arrinte të kapte, nëpërmjet ambasadës amerikane në Tiranë, edhe "Shtetet e Bashkuara", duke i bërë të flasin (ose edhe heshtin) në favor të tij. Pak ditë më parë edhe dyshimi më i vogël do të tingëllonte si paranojë ballkanase. Por sot ato imponohen si një realitet intrigash dhe korrupsioni ballkanik. Shkak janë disa informacione të bëra publike nga kreu i komisionit hetimor në Kongresin Amerikan, Henry Waxman, se ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, ka miratuar fshehjen e provave për origjinën e paligjshme kineze të municioneve që u dërguan nga Shqipëria drejt Afganistanit nga një kontraktor amerikan. Dhe, në rast se këto akuza vërtetohen, pozita e ambasadorit të SHBA në Tiranë do të ishte e kompromentuar. Sepse te kjo aferë do të orvaten të gjejnë përgjigje edhe mjaft dilema lidhur me qëndrimin skandalisht tolerant që ambasada e SHBA ka mbajtur këto tre vjet, karshi zbatimit nga Kryeministri shqiptar dhe shumica e tij në Kuvend, të një strategjie këmbëngulëse për kapjen e institucioneve të pavarura.
Aferat e dyshuara të ambasadorit Withers me qeverinë e Berishës do të shërbenin si një sfond kuptimplotë për një thuajse shurdhëri të pakuptueshme për standardet e diplomacisë së shtetit më demokratik në botë, të ambasadës së SHBA-së ndaj ankesave, rezistencës dhe protestave të opozitës dhe segmenteve të shoqërisë civile kundër një strategjie autoritariste që po kërcënon seriozisht demokracinë dhe integrimin e Shqipërisë në Perëndim. Prova? Dy ditë më parë, ‘Freedom House‘ denoncoi tendencën e qeverisë "Berisha" për të vënë nën kontroll institucionet, tendencë që ka ardhur duke u fuqizuar në sajë edhe të një inkurajimi me heshtje edhe nga diplomatët amerikanë në Tiranë. Përse? Mos vallë kemi një dukuri të re në Tiranë që na çon nga state capture tek United States Capture?
***
Ndonëse Shqipëria reklamohet si një nyje strategjike kalimi, rëndësia e së cilës është rritur që me luftën, por edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ajo nuk ka asnjë nga ato premisa që do të mund të përligjnin një spekulim mbi ndonjë "arsye shtetërore" që do ta detyronte SHBA, të mbështeste instalimin e një regjimi autoritar në Tiranë. Krejt në të kundërt, mbështetja e SHBA është shfaqur shumë e rëndësishme që shqiptarët të përmbysnin në fillim të viteve ‘90 komunizmin dhe t‘i futen tranzicionit drejt një shoqërie të shtetit ligjor dhe demokracisë liberale. Madje edhe ngjarjeve të turbullta që shoqëruan rënien e piramidave dhe të shtetit në vitin ‘97, i parapriu një ftohje e marrëdhënieve të SHBA me atëherë Presidentin autoritarist Sali Berisha, pikërisht për shkak të dhunimit prej tij të zgjedhjeve të majit 2006. Por SHBA gëzojnë në Shqipëri një reputacion shumë pozitiv dhe një mbështetje shumë të gjerë si rrallë në ndonjë vend tjetër, jo vetëm për shkak të zhvillimeve politike në dy dekadat e fundit (përmendim rolin vendimtar të tyre në çlirimin e Kosovës) por edhe për veton e Presidentit amerikan Willson në Konferencën e Paqes në Paris, që u bë pengesa kryesore për ndarjen e Shqipërisë mes fqinjëve të saj, veto së cilës shqiptarët i blatojnë mbijetesën e shtetit të tyre.
Por gabimi i vetëm i SHBA karshi Tiranës pas rënies së komunizmit duket se është të bazuarit e zhvillimit të demokracisë në këtë vend pa shumë tradita demokratike, jo në fuqizimin e institucioneve të pavarura, por kryesisht tek individë, te liderë politikë, gabim që duket se po e bëjnë për të dytën herë edhe lidhur me Kryeministrin në fuqi, Sali Berisha. Por mos ndoshta këtë herë kemi të bëjmë jo me përsëritjen e një gabimi të hershëm të politikës së SHBA, por vetëm me një sjellje të diplomatëve dhe zyrtarëve të caktuar? Gjithsesi, propaganda e Berishës bën gjithçka që ta paraqesë atë në publik si "mik të amerikanëve" dhe të mbështetur "pa rezerva nga amerikanët". Në median shqiptare sapo u përfol edhe një kontratë dyvjeçare prej gjysmë milioni dollarëshe, që Kryeministri (i vendit më të varfër që i shpërndan minatorëve të vet më pak se 100 euro pension mujor), i paguante ish-guvernatorit, Tom Ridge, në rolin e këshilltarit të qeverisë së tij, por me më shumë gjasa, të një lobuesi që kishte për mision ta paraqiste qeverinë "Berisha" me tone sa më të këndshme për sytë dhe veshët e Departamentit të Shtetit.
***
SHBA mbeten në Shqipëri një kriter për koeficientin demokratik të një aksioni apo strategjie politike. Në jo pak raste, ndërhyrja e SHBA nëpërmjet diplomatëve të saj, ka qenë shpëtimtare për demokracinë e brishtë shqiptare. Por kjo dukuri ka edhe anën e vet negative. Asnjë kritikë ndaj tendencave autoritariste apo korruptive të një qeverie, lideri apo partie, nuk merret seriozisht nëse nuk mbështetet edhe nga "amerikanët". Kjo me të drejtë dëshpëron shumë intelektualë, por është një realitet. Dhe bart shumë rreziqe sepse diplomatët amerikanë mund shoqërojnë me heshtje (ose deklarata evazive) zhvillime nga më të ndryshmet për shkaqe po nga më të ndryshmet. Ndërkaq një politikan apo qeveri në Tiranë mund të marrë guximin të bëjë edhe gjëra që janë të ndaluara edhe me Kushtetutën e vendit, sa kohë që "ambasada" nuk thotë stop! Si për shembull, nënshtrimin e institucioneve të pavarura si prokuroria, gjyqësori apo institucioni i Presidentit të Republikës. Dhe ky është pikërisht rasti i sotëm i Berishës si Kryeministër.
Në tre vitet e qeverisjes së tij të dytë ky politikan qartazi autoritarist dhe që u rikthye në pushtet me parullën e "duarve të pastra" dhe luftës "me zero tolerancë" kundër korrupsionit, i ka konsumuar energjitë kryesisht në kapjen apo (sikundër shprehet Freedom House) vënien nën kontroll të institucioneve të pavarura. Dhe jo pa sukses megjithëse, jo aq sa do të dëshironte ai. Pas një përleshjeje të gjatë me ish- presidentin e vendit, Alfred Moisiu, shoqërinë civile dhe opozitën, ai arriti të shkarkojë Prokurorin e Përgjithshëm Sollaku me akuza "për lidhje me krimin", që nuk janë vërtetuar edhe sot e kësaj dite. Po me insistimin e Kryeministrit u zgjodh një Prokuror i ri, pa konsensusin e opozitës. Pak më parë nga këto zhvillime, me mbarimin e mandatit të Moisiut, Presidenti i Republikës u zgjodh përsëri pa konsensusin e opozitës, me votat e shumicës së Kryeministrit dhe aleatëve të tij, si dhe me anë të trafikimit të pak votave nga socialistët. Por oreksi autoritarist i Berishës nuk ka të nginjur nëse nuk fut në dorë të gjithë shtetin. Aq më tepër kur "amerikanët" nuk thonë gjë. Në prill të këtij viti, nëpërmjet një mirëkuptimi të mbrapshtë që u duartrokit (edhe nga ambasada e SHBA) si konsensusi më i gjerë mes PS dhe PD, Berisha ia arriti të ndryshojë thelbësisht edhe Kushtetutën e shtetit, duke kërcënuar jo vetëm integritetin e institucionit të Presidentit të Republikës (ai pas kësaj do të zgjidhet me shumicë të thjeshtë), por edhe t‘i zgjerojë vetes hapësirat për t‘i kërcënuar (pra nënshtruar) deputetët me zgjedhje të parakohshme.
Të gjitha këto zhvillime të kundërshtuara me mjaft alarm dhe tension nga një pjesë e opozitës politike dhe shoqërisë civile si zbatime të një strategjie kërcënuese për pavarësinë e institucioneve, janë përcjellë me një mospërfillje gati olimpike nga diplomatët e ambasadës amerikane në Tiranë. Mos vallë mendojnë se autoritaristi Sali Berisha është një garanci më e fortë për demokracinë në Shqipëri sesa institucionet e pavarura që ai po skllavëron njëri pas tjetrit? Dhe ndërsa kundërshtuesit nuk gjenin mbështetje për protestat e tyre, Berisha merrte më shumë hov në strategjinë e tij të kapjes së shtetit, i reklamuar dhe i nënkuptuar si "i mbështetur nga amerikanët". Po nga kush, nga ata në Tiranë apo nga ata në Washington?
***
Do të duhej të ndodhte një tragjedi si ajo e Gërdecit, një shpërthim i tmerrshëm me profilin e një kupole bërthamore që vrau 26 vetë, shkatërroi qindra jetë njerëzish dhe shtëpi, që një trafik i nëndheshëm municionesh të dilte në sipërfaqe. Jo vetëm ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, por edhe vetë Kryeministri Berisha, është përfolur, në biseda sekrete të disa aktorëve të këtij trafiku, për implikim në këtë aferë jo thjesht nëpërmjet vendimeve të qeverisë që i hapën rrugën asaj, por edhe nëpërmjet përfshirjes së familjes së tij në të. Transparenca e sotme që ka tronditur opinionin publik, i dedikohet edhe publikimeve të gazetës "New York Times" për trafikimin nga Shqipëria të municioneve të ndaluara nga ligji amerikan për në Afganistan, investigimin e së cilës akuzohet se është përpjekur ta pengojë edhe ambasadori Withers në bashkëpunim me ish-ministrin Mediu.
Jo vetëm kjo akuzë por edhe heshtja, qoftë edhe nga verbëria, ndaj një trafiku që zhvillohej nën hundën e saj dhe nën dirigjimin e qeveritarëve të reklamuar si miq të saj dhe të SHBA, është shumë komprometuese për përfaqësinë dhe kreun e saj Withers. Denoncimi nga ana e Withers pak ditë më parë, dhe këtë herë me nervin e duhur, i një tjetër demarshi autoritarist të Berishës që çoi në rrëzimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për 5 anëtarë të Gjykatës së Lartë, si dhe thirrja e tij për t‘i shkuar deri në fund hetimeve për tragjedinë e Gërdecit, krijojnë më shumë përshtypjen e një trukimi tepër të vonuar, të një pozicioni tashmë mjaft të kompromentuar. Që Withers është një diplomat karriere prej shumë vitesh, kjo është një gjë që e nderon por ky fakt, nuk mund të jetë një kolateral që garanton ndershmëri absolute dhe as qetëson dyshimet rreth akuzave që i bëhen. Aq më tepër kur formulues i akuzës është një oficer i lartë si majori, Larry Harrison, i cili nuk ka gjithashtu asnjë shkak të luajë me nderin e tij dhe uniformës së ushtrisë së tij (por edhe me përgjegjësinë e tij ligjore), duke shpifur kundër ambasadorit të shtetit të tij. Dhe pastaj përse nga personeli i ambasadës lëvdonin Zotin për faktin që ajo nuk përmendej në artikullin e parë të "New York Times" për trafikun e municioneve të paligjshme dhe të skaduara nga Shqipëria në Afganistan?
Sqarimi i akuzave që i bëhen ambasadorit Withers janë shumë të rëndësishme jo vetëm për të vërtetën rreth skandalit të trafikimit të municioneve, por edhe për zhvillimet politike në Shqipëri. A kanë qenë qëndrimet e diplomacisë amerikane në Tiranë të redaktuara njëanshmërisht nga "miqësitë" me persona dhe segmente të një qeverie të përshirë dukshëm në trafiqe dhe korrupsion? Ky është një shqetësim. Dhe nëse do të vërtetohej një gjë e tillë, atëherë do të lindte nevoja e çlirimit të diplomacisë amerikane në Tiranë, nga kapja e një qeverisjeje të korruptuar dhe një Kryeministri që akuzohet tashmë haptazi, jo vetëm nga kundërshtarët e tij politikë, si koka e një trafiku municionesh që jo vetëm rrënoi jetët dhe shtëpitë e mijëra qytetarëve shqiptarë, por që tradhtoi, duke rrezikuar kriminalisht edhe jetët e ushtarëve amerikanë dhe aleatëve të tyre të koalicionit antiterror, duke i furnizuar me municion të papërdorshëm. Osama Bin Ladenit dhe falangave të tij në Afganistan, nuk mund t‘i bëhej një shërbim më i madh se ky në emër të fitimeve të paligjshme. Një tjetër provë kjo, se korrupsioni është një aleat natyror i terrorizimit.
