Faqja e Pare | Editorial | Votim vendimtar për të ardhmen e Serbisë

Votim vendimtar për të ardhmen e Serbisë

image

Zgjedhjet e së dielës mund të vendosin nëse Serbia shkon drejt integrimit me BE-në, apo do t'i kthehet izolimit.
Aleanca properëndimore, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Presidentit Boris Tadiç, po përballet me një sfidë të fortë nga partia ultra-nationaliste serbe.

Kjo parti është forcuar si pasojë e kundërshtimit që i ka bërë shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Zgjedhjet serbe mbahen edhe në Kosovë. Pritet që atje të hapen më pak se 300 qendra votimi, në 23 zona të vendit, pavarësisht deklaratave nga qeveria e Kosovës dhe misioni i OKB-së se zgjedhjet janë të paligjshme dhe se rezultatet nuk do të njihen.

Serbët e Kosovës votojnë në zgjedhjet që shpresojnë se do t'i lidhin më ngushtë me Serbinë, njofton nga Prishtina Korrespondenti i BBC-së, Nick Thorpe.

Ata do të kenë mundësi të zgjedhin deputetët për parlamentin serb, por ndoshta më e rëndësishme është zgjedhja e përfaqësuesve në këshillat lokale në enklavat serbe në mbarë Kosovën.

Të gjitha zgjedhjet lokale gjatë nëntë viteve të fundit në Kosovë janë drejtuar nga misioni i OKB-së, me një pjesëmarrje shumë të vogël nga ana e serbëve, por këto zgjedhje janë organizuar direkt nga Serbia, si sfidë ndaj shqiptarëve.

Shumë serbë e shohin atë si një mundësi për të zgjedhur më në fund drejtues të ndershëm. Edhe misoni i OKB-së në Kosovë, edhe qeveria kosovare, janë shprehur qartë se besojnë se zgjedhjet lokale janë të paligjshme.

Ajo se çfarë do të bëjnë udhëheqësit e rinj serb të nivelit lokal, do të varet shumë nga rezultati i këtyre zgjedhjeve.

Pikëpamja e nacionalistëve serbë është se ata duhet të vazhdojnë të refuzojnë bashkëpunimin me institucionet e Kosovës së pavarur, por serbët e tjerë argumentojnë se duhet të ketë dialog me shqiptarët, të paktën për çështjet lokale.