Rasti Sefgjini: Qeveria shkel Ligjin me te dyja kembet
Kryeministri është i detyruar të pezullojë çdo titullar apo nëpunës të dikastereve që ka në varësi, kur ndaj tyre nis ndjekja penale
Ligji për shërbimin civil në Republikën e Shqipërisë detyron Kryeministrin e vendit të pezullojë menjëherë çdo titullar apo nëpunës të institucioneve nën varësi të Këshillit të Ministrave, kur ndaj tij fillon ndjekja penale. Në ligjin për Statusin e Nëpunësit Civil, numër 8549, datë 11 nëntor 1999, përcaktohen qartë të gjitha rastet që kushtëzojnë pezullimin e një nëpunësi të administratës publike, menjëherë sapo ndaj tij fillon ndjekja penale. Neni 22 i ligjit thotë përkatësisht: "Nëpunësi civil pezullohet kur ndaj tij fillon ndjekja penale për shkak të detyrës ose për krime të rënda, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar". "Nuk mund ta pezulloj nga detyra kreun e tatimeve, Arben Sefgjini, për sa kohë nuk është marrë një vendim gjykate", justifikohet Kryeministri Berisha. Arben Sefgjini, ish-drejtor i Drejtorisë së Shërbimit Informativ Kombëtar të Tiranës, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, së bashku me disa ish-kolegë të tij në SHIK, akuzohen se në vitin 1995 kanë rrëmbyer dhe më pas torturuar biznesmenin Remzi Hoxha.
Ligji
Ligji për Statusin e Nëpunësit Civil prek të gjithë punonjësit e administratës publike. Por, politika për shumë vite me radhë qëllimisht ka lënë jashtë veprimit të këtij ligji disa institucione mjaft të rëndësishme si Tatimet dhe Doganat, megjithëse për këtë çështje ka pasur një presion të fortë nga Bashkimi Evropian, i cili ka kërkuar përcaktimin e kritereve të qarta në ligj për emërimin dhe shkarkimin e punonjësve dhe titullarëve për këto institucione. Por a e detyron ligji aktual pezullimin e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini? "Po kur statusi për nëpunësin civil përcakton se një nëpunës i thjeshtë pezullohet menjëherë sapo ndaj tij fillon ndjekja penale, atëherë për titullarët e institucioneve të rëndësishme, kriteret janë edhe më të rrepta", thotë Gent Ibrahimi, jurist. Sipas logjikës juridike, kriteret dhe kushtet e përcaktuara në ligjin për statusin civil janë kufiri minimal i atyre që zbatohen në rastin e institucioneve kyçe, si doganat dhe tatimet, aq më tepër kur këta janë titullarë, si në rastin e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.
Vendimi
Nën presionin e vazhdueshëm të ndërkombëtarëve, në 7 mars të vitit 2003, ish-qeveria socialiste e drejtuar nga Fatos Nano, me propozim të ministrit të shtetit të asaj kohe, Blendi Klosi, miraton një vendim, i cili rregullonte marrjen në punë dhe shkarkimin e titullarëve në varësi të Këshillit të Ministrave. Vendimi kushtëzonte se drejtuesit e institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose të ministrit, emërohen, lirohen ose shkarkohen nga detyra, përkatësisht nga Kryeministri ose ministri përkatës. Sipas këtij vendimi, baza ligjore për emërimin ose shkarkimin e titullarëve të institucioneve nën varësi të Këshillit të Ministrave është "Statusi për Nëpunësin Civil"
