"Gerdeci" i Berishes dhe "Gerdeci" i Kushtetutes
Hetimet po provojnë se në themel të tragjedisë së Gërdecit qëndron marrja nga qeveria Berisha e vendimeve të befta dhe aspak transparente, duke kapërcyer të gjitha hallkat e ekspertizave të institucionalizuara të shtetit. Nëse ekspertët do të ishin pyetur dhe tragjedia nuk do të kish ndodhur, nuk do ishin humbur 26 jetë e qindra shtëpi. Natyrisht, të korruptuarit e qeverisë nuk do të kishin mundur të vilnin milionat nga trafiqet e Gërdecit. Dhe pikërisht për të mos humbur këto miliona, nuk trokitën në dyert e ekspertëve kur hartuan dhe aprovuan me urgjencë ato vendime (VKM) që hodhën themelet ligjore të punishtes vrasëse. Ato miliona janë të zhyera me gjakun e foshnjave, vajzave, djemve, nënave, baballarëve. Dhe jo vetëm të atyre që lanë jetën nën gërmadhat e këtij korrupsioni mafioz. Por edhe të atyre që mbetën gjallë vetëm për të qarë deri në amshim, pa ngushëllim dhe me gjakun e shpirtit të tyre, humbjen e të afërmve të dashur, humbjen e shpirtrave të tyre.
***
E njëjta teknikë sa e rrufeshme dhe e pabesë që u përdor për të ngritur mekanizmin vrasës që hodhi në erë Gërdecin, u përdor për të hedhur në erë Kushtetutën e Republikës. Dhe përsëri prapa këtij "Gërdeci kushtetues" qëndron e njëjta mendje diabolike që nuk rresht së projektuari skllavëri dhe katastrofa. Mendja diabolike e Kryeministrit Sali Berisha. Veçoria është se këtë herë, me projektet e këtij autokrati të palodhur, u bashkuan dhe dhanë votën të gjithë deputetët e partisë më të madhe të opozitës. Ky bashkim (apo bashkëpunim) bëri të mundur këtë tragjedi të dytë? Dhe pa ekzagjerim është një tragjedi. Sepse ndërsa në Gërdec u hodhën në erë jetët e mijëra njerëzve, me Gërdecin e Kushtetutës u hodh në erë liria e sistemit dhe gjaku i tij, ndonëse i padukshëm, po shkon rrëke. Pikërisht në momentin e dobësisë së madhe, kur po i rrëshqet toka nën këmbë, pikërisht kur me shumë gjasa mund të ngriheshin vota në Kuvend për të kërkuar largimin e tij, Kryeministrit Berisha i zgjatet dora dhe i jepen atributet "kushtetuese", që të fusë nën tiraninë e tij edhe më keq Parlamentin dhe deputetët, ju dha mundësia të shantazhojë edhe më fort deputetët. Lidershipi i PS dhe lideri i saj, Edi Rama, nuk do të mund të ofrojnë dot asnjë argument parimor për të shpjeguar se përse ata pranuan që Kushtetuta e Republikës të ndryshohej në mënyrë të rrufeshme sipas një kapriçioje autoritariste të Kryeministrit Sali Berisha. Krahasimet me Kushtetutat e vendeve demokratike janë dokrra që nuk bindin njeri. Sepse atje nuk ka në pushtet autoritaristë të devotshëm si Berisha, atje nuk ka në pushtet parti të skllavëruara nga lideri si PD, nuk ka deputetë po ashtu të skllavëruar nga lideri. Në Perëndim liria dhe demokracia kanë hedhur rrënjë mjaft rezistente në institucione dhe në popull, që te ne mjerisht mund të krahasohen vetëm me ato të një Kanuni apo zakoneve shumë të lashta. Ndaj pyetja: përse në momentet e dobësisë së tij më të madhe merren vendime që i japin forcë Berishës si Kryeministër? - vështirë të gjejë dot përgjigje parimore nga lidershipi i PS dhe lideri i saj, Edi Rama.
***
Por pa u futur në përmbajtje pyesim se përse disa amendamente që nuk kishin lidhje me reformën zgjedhore (e cila vërtet duhet përfunduar sa më shpejt) kaluan në mënyrë më të rrufeshme pa iu nënshtruar një diskutimi të gjerë publik dhe me konstitucionalistë? Përgjigjja e parë që na vjen ndër mend është se ato nuk do të aprovoheshin nga shumica e publikut dhe e ekspertëve, ngaqë shihej qartë se kërcënonin interesat e publikut. Prandaj, si në rastin e Gërdecit edhe në këtë rast, ekspertët dhe publiku u shmangën me kast. Askush nuk e justifikon dot këtë nxitim. As edhe diplomatë të sprovuar si Helmuth Lohan, që janë shumë të kujdesshëm në prononcimet rreth politikës vendase. Ja si shprehet ambasadori i BE në Tiranë, për amendamentet rrufe: "Kushtetuta është një dokument shumë i rëndësishëm dhe ndryshimet në Kushtetutë nuk duhen bërë pa u menduar mirë, duhen bërë si duhet dhe duhet një analizë e thellë dhe një debat i gjerë, të ketë kohën e duhur për të marrë vendimet e nevojshme". Por mos ishte një këshillë e panjohur kjo për Berishën dhe Ramën? Aspak! Në ato 10 ditë që përmbysën...Kushtetutën, pati gjithsesi shumë zëra që këshilluan maturi dhe kundërshtuan nxitimin e mungesën e transparencës. Kundërshtoi Presidenti i Republikës Topi, kundërshtuan hartues të Kushtetutës si Godo, kundërshtuan partitë politike nga e majta dhe e djathta, opinionistë në media. Por as Berisha (që dihet pse) as Rama (që ende nuk dihet se pse) nuk dëgjonin nga ai vesh. Dhe i vetmi argument që mund të jepet sot në favor të ndryshimeve është se ato u miratuan nga një shumicë e gjerë në Kuvend. "Shumica e legjislatorëve shqiptarë menduan se kishin kohën e mjaftueshme për këtë proces" - thotë Lohan, pasi kish cilësuar se "koha për ndryshimet... ishte e pamjaftueshme". Aksioni autoritarist i Berishës gjen justifikim dhe përligjje te votat e deputetëve socialistë, që në këtë rast krijuan një shumicë të bashkuar dhe arrogante me PD. Pas kësaj askush "nuk ka të drejtë të ankohet", sepse edhe pse nuk pati kohë për diskutim dhe thellim, del se "pati kohë"! Pati kohë sepse deputetët tanë mendojnë kështu. Ose më saktë, sepse deputetët tanë nuk mendojnë fare, se për ta mendojnë liderët. Ata vetëm votojnë. Por, gjithsesi dhe formalisht, asnjë shqiptar nuk mund të ankohet sepse procesi i amendimit të Kushtetutës, sado i pabesë, u bë legjitim në sajë të votave të 115 deputetëve. Sipas kësaj logjike pa logjikë, edhe gjermanët nuk kishin të drejtë të ankoheshin dhe të mbronin Kushtetutën e tyre, kur nazistët me shumicë dërrmuese votash (vetëm socialdemokratët kundërshtuan), miratuan "Aktin e riaftësimit ligjor" që i jepte pushtet gati absolut Kancelarit (Kryeministrit) Hitler. Nuk kishin të drejtë të ankoheshin, sepse procesi që i dha fund demokracisë liberale dhe Kushtetutës, kish qenë plotësisht kushtetues! Këto janë ironitë e historisë. Por ndërsa Adolfi arriti qëllimet, duke i frikësuar njerëzit, partitë, deputetët me terror, nuk kuptohet se përse PS dhe lidershipi i saj i hapin rrugë Berishës? Nga se frikësohen, ose me se i frikëson apo i shantazhon Berisha? Ka opinione që thonë se nuk është punë frike, por se Rama i pranoi amendamentet e Berishës që ky i fundit, të pranonte amendamentet për reformën zgjedhore. Po a i ka bërë mirë llogaritë? A pyeti të paktën partinë për këtë dhe në mos partinë, forumet e saj? Sepse mos vallë duke dashur t‘i marrë Berishës pushtetin i ka dhënë (duke bërë "politikë të re") si pa dashur shtetin? Ka të tjerë opinione që këmbëngulin se Rama i ka pranuar amendamentet e Berishës ngaqë "beson që mund të vijë shumë shpejt në pushtet, e rrjedhimisht, këtë komandë e kontroll mbi maxhorancën do ta ketë ai vetë". Zoti na ruajt, sepse atëherë ndërrimi i pushtetit do të sillte vetëm ndërrimin e autoritarizmit blu me atë rozë. Ka edhe opinione të tjera, por asnjë për be, nuk e mbështet dot parimisht bashkimin e votave socialiste me Berishën. Dhe vetëm për faktin që këto amendamente u aprovuan pa marrë mendimin e thelluar të ekspertëve dhe opinioneve të organizuara të shoqërisë civile, për faktin që injoruan me arrogancë sugjerimet për maturi deri edhe të institucioneve e partive të tjera, duhet të testohen në një referendum popullor, sikundër propozoi së fundi edhe LSI. Vetëm vota e popullit mund të shmangë rreziqet dhe tragjeditë që mund t‘i lindin popullit nga ky "Gërdec" i Kushtetutës që shmangu popullin.
