Autoritarizmi qe po varros "Gerdecin"
Një ilustrim tronditës i një korrupsioni të betonuar. Kështu e ka përkufizuar gazeta "The New York Times" (NYT) shpërthimin katastrofik në Gërdec. Dhe pa fjalë, ngjarja (me bilanc 26 të vdekur, qindra të plagosur) ishte shumë tronditëse. Çuditërisht, ajo që u trondit më pak nga shpërthimi ishte qeveria Berisha, përgjegjësja e drejtpërdrejtë për katastrofën. Megjithëse tonelata barut nxorën në sipërfaqe ujërat e zeza të një korrupsioni të pleksur me trafiqe mafioze, deri më sot ka pasur vetëm një dorëheqje simbolike të ministrit të Mbrojtjes, kostoja politike e qeverisë dhe e Kryeministrit mbetet 0. Gërdeci bëhet kështu një tjetër dëshmi, se në Shqipëri është instaluar një pushtet autoritarist, krejtësisht i paprekshëm edhe nga katastrofat për të cilat, në një demokraci normale, paguhet kosto e rëndë politike. Gërdeci bëhet gjithashtu dëshmi tronditëse e fruteve që Kryeministri Berisha po vjel nga strategjia e tij e kapjes së të gjithë pushteteve. Shihet qartë që institucioni i prokurorisë (kreun e të cilit Berisha arriti ta zëvendësojë në fund të vitit të kaluar), po këmbëngul të qëndrojë në periferi të shkaqeve të tragjedisë edhe pse, sikundër thekson NYT, ngjarja e Gërdecit vështirë të besohet si një incident i thjeshtë. Por e keqja nuk mbaron brenda Shqipërisë. Aty ajo vetëm fillon. Sepse tragjedia e Gërdecit vazhdon të mos tronditë as edhe shumë qarqe diplomatike perëndimore, që pavarësisht nga katastrofat humane dhe sfidat që ndeshin institucionet e demokracisë në Tiranë, vazhdojnë të mburrin përparimin e "reformave demokratike" në Shqipëri. Rasti më i fundit ishte ai i marrjes nga Shqipëria të ftesës për në NATO, ende pa u shuar jehona e shpërthimit në Gërdec, të këtij "ilustrimi tronditës të korrupsionit". Ftesa për në NATO qe një rast historik për t‘u festuar nga shqiptarët, por rrezikon të bëhet kundërproduktive nëse do të përdoret nga pushteti autoritarist i Tiranës, për të maskuar "me demokraci" dhunimin që po i bën përditë ligjit dhe demokracisë. Mjerisht kjo po ndodh dhe është fat që në botë ka një gazetë si "NYT", që shkruan për katastrofën e Gërdecit ca gjëra që shumë diplomatë perëndimorë në Tiranë këmbëngulin të "mos i shohin".
***
Asnjë kryeministër nuk do të kish mbajtur dot postin e tij nëse do t‘i kish ndodhur një tragjedi si ajo e Gërdecit. Vetëm për faktin që ndodhi dhe që qeveria nuk arriti ta parandalojë, katastrofa do të kish imponuar dorëheqjen. Sepse qeveritë emërohen që të parandalojnë katastrofat dhe të mbrojnë jetën dhe pronat e qytetarëve. 26 qytetarë, foshnja, fëmijë, pleq, gra, burra nuk janë më. Shtëpitë, jeta e mijëra të tjerëve është rrënuar njëherë e përgjithmonë. Sikundër shkruan NYT, duket e pamundur që katastrofa të ketë qenë thjesht një aksident. Kupola e saj vrasëse ngjason me kupolën e një mafie shtetërore. Akuzat në qarkullim për lidhje të Kryeministrit, qeverisë dhe familjes së tij me kupolën shfarosëse të Gërdecit, e kanë bërë largimin e Berishës një domosdoshmëri për të shpëtuar moralin e politikës në Shqipëri, kuptimin e qeverisjes dhe të shtetit. Pas një katastrofe të tillë, Kryeministri do të detyrohej të jepte dorëheqjen edhe nëse epshi për pushtet nuk e lejon të shohë përmasat e vërteta të saj. Dhe nuk do ta detyronte thjesht opozita. Do ta detyronte partia e tij, aleatët tij në qeverisje. Do ta detyronin për të minimizuar një kosto politike për vete, por edhe për të ruajtur kuptimin e shtetit dhe demokracisë. Për të treguar që nuk ka pushtete të paprekshme, liderë të paprekshëm edhe nga tragjeditë. Por nuk ndodhi kështu. Sepse Berisha dhe klani i tij i dhunshëm kanë kapur jo vetëm PD, jo vetëm institucionet e shtetit, por edhe shumicën e lidershipeve politike. Gjë që do të thotë se pushteti i Berishës po bëhet i paprekshëm si pushteti i Enverit, Stalinit, Sadamit, Mugabes. Pushteti i Berishës po shfaqet i hekurt dhe i pacenueshëm edhe pasi në mediat (ende të pakapura prej tij) është përfolur përfshirja e tij në aferën e municioneve të Gërdecit, edhe pasi është përfolur rëndë djali i tij, edhe pasi baxhanaku i Kryeministrit ka faktuar (mjerisht me vdekjen e tij nga shpërthimi) përfshirjen në aferën e errët të municioneve. Fakti që pushteti i Berishës po qëndron i paepur pas një katastrofe të tillë, është një ogur i keq për të ardhmen dhe një alarm për dështimin e institucioneve të demokracisë në Shqipëri. Po dëshmohet se demokracia dhe institucionet e saj, që nga PD, partitë aleate të saj e deri te prokuroria, janë të pafuqishme madje pa vullnet për të kryer ndryshimet e nevojshme të lidershipit dhe penalizimet e domosdoshme në këto momente tragjike. Që partitë aleate mbeten skllave të Kryeministrit, është një fakt i njohur, ndaj nuk zhgënjen shumë. Por po zhgënjen pavarësia e pretenduar e Kryeprokurores Ina Rama. Madje në dyshim është edhe integriteti i partisë më të madhe të opozitës që nuk mund ta përligjë qëndrimin e vet prej "çuni të urtë" (edhe pse e lavdëruar nga ambasadori Withers për këtë) me autoritarizmin e Berishës, pra me faktin që Berisha nuk do t‘ia dijë për Gërdecin dhe "nuk zbret nga kali". Sepse kur nuk ia zbret kalit sot kur gati po varroset politikisht nga skandali i Gërdecit, pse duhet të besohet se do t‘ia zbresë nesër, kur sistemi autoritarist që po instalon ta ketë varrosur përfundimisht Gërdecin?
***
Vetë post-Gërdeci po bëhet ilustrim tronditës i një paradoksi që vazhdon prej vitesh. Sa më shumë avancon strategjia autoritariste e Kryeministrit Berisha, aq më shumë shtohen lavdërimet dhe mburrjet e institucioneve ndërkombëtare për ecurinë e reformave demokratike në Shqipëri. Sa më shumë institucione kapen nga Kryeministri Berisha, aq më shumë mburret stabiliteti dhe ecuria e "demokracisë" në Shqipëri. Apogjeun e saj, kjo shitje e autoritarizmit për demokraci e gjeti me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ndërsa mbetet evidente se Shqipëria vështirë se përmbush ndonjë parametër demokratik dhe ushtarak, vendet e NATO-s, të ndodhura nën lobimin e fortë të SHBA, votuan marrjen e ftesës nga Shqipëria. Por nuk është marrja e ftesës ajo që shqetëson forcat që shfaqen kritike ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri. Ftesa jep shpresë për demokraci. Ajo që shqetëson është arsyetimi i marrjes së ftesës nga Shqipëria pikërisht me atë që në fakt po dhunohet nga autoritarizmi, me gjoja ecurinë e demokracisë dhe reformave në Shqipëri. Ky verbim i "ndërkombëtarëve" apo më saktë fakti që jo ecuria e demokracisë shqiptare, por "stabiliteti" po vlerësohet si element thelbësor i realizmit të përparësive të tyre gjeostrategjike në Ballkan, i ka dhënë dorë pushtetit të Berishës që, ndërsa i vë kazmën demokracisë, t‘i paraqesë bëmat e veta si "reforma demokratike". Amendimi me urgjencë dhe aventuroz i disa neneve të Kushtetutës, të dokumentit themeltar të shtetit, është pjesë e këtij skenari që tregon se Berisha, pikërisht në momentet e dobësisë së tij më të madhe politike, po gërmon ethshëm në themelet e demokracisë. Edhe në momentin e diskreditimit më të madh, Berisha po punon fort që ta kllaposë demokracinë në rrjetën e institucioneve të skllavëruara prej tij. Berisha e kupton se sa më i diskredituar, aq më shumë do të ketë nevojë për institucione dhe pushtete të skllavëruara. Jo demokracia e pretenduar, por autoritarizmi mbetet shpresa e tij e vetme. Propozimi për zgjedhjen e Presidentit me shumicë të thjeshtë është shprehje e lakmisë së Berishës për një President të nënshtruar, është braktisje e konsensusit që imponon Kushtetuta në këtë çështje. Dhe jo rastësisht. Autoritarizmi e urren konsensusin sepse konsensusi përjashton sundimin bashkë me autoritarizmin. Edhe ndryshimi i neneve të Kushtetutës për mocionet ndaj qeverisë dhe Kryeministrit do t‘i japë mundësi Berishës ta shantazhojë "kushtetueshmërisht" Parlamentin, pra edhe opozitën e PS, që përgatitet t‘i votojë verbërisht ato. Një qëllim të tillë antipluralist bart edhe strategjia që po ndjek Berisha lidhur me reformën zgjedhore që kërcënon ekzistencën e partive të vogla. Ironikisht argumenti i partive më të mëdha PS dhe PD kundër të vegjëlve është se ato kanë bërë pazare të turpshme (të tipit xhuvelian) me të mëdhenjtë, pra me PS dhe PD. Po vetë të mëdhenjtë a nuk duhet të përgjigjen për këto pazare nga të cilat, në fakt, kanë përfituar më shumë? Në mënyrë po kaq absurde thuhet se të vegjlit e politikës meritojnë të shfarosen, sepse nuk kanë mundur të bëhen të mëdhenj. Por dihet se pengesa kryesore për një pluralizëm të shëndetshëm, pra dhe për rritjen e partive të vogla, ka qenë pikërisht oligopoli historik PD-PS me rrënjë në pushtete herë të korruptuara, herë autokratike dhe herë të dyja së bashku. Ky oligopol, që ka ushqyer kulte antipluraliste liderësh dhe partish, që ka mbjellë edhe shumë fanatizëm masiv politik, tashmë po priret kundër pluralizmit. Është ky fanatizëm masiv, i gatuar në kazanin e një lufte të egër politike mes dy të mëdhenjve, që sot këmbëngul se e keqja më e madhe për një qeverisje stabël në Shqipëri janë partitë e vogla. Vështirë që të dilet kundër pluralizmit dhe demokracisë më hapur se kaq në emër të gjoja stabilitetit. Dhe "shpëtimi" qenka që të mëdhenjtë, qeverisjet e të cilëve kanë qenë katastrofa e Shqipërisë, duhet të bëhen edhe më të mëdhenj dhe qeverisjet e tyre edhe më absolute. Kjo është thjesht një logjikë antidemokratike dinozaurësh!
Sot në Shqipëri autoritarizmi është vënë përballë demokracisë, pushteti përballë drejtësisë. Kush do të fitojë? Do të arrijë demokracia të mundë një autoritarizëm që ka 18 vjet që këmbëngul i mishëruar në figurën e liderëve "të mëdhenj" si Sali Berisha? A do të arrijë më në fund drejtësia që (ndryshe nga ajo që ndodhi pas katastrofës së piramidave në vitin 1997) të verë para përgjegjësisë një pushtet që betohet për ligjin ditën, por e shkel dhe e dhunon atë natën, duke shkaktuar mjerim dhe katastrofa si ajo e Gërdecit? A do të dëshmojë më në fund ligji, drejtësia, institucionalizmi se janë më të fortë se qeveria, korrupsioni, madje dhe mafia e saj? A do të mund të triumfojë shteti ligjor mbi pushtetin e tij të korruptuar? Ky është dyluftimi i hapur në Shqipëri. Një dyluftim që pavarësisht qëndrimeve të "ndërkombëtarëve" të shqiptarizuar në Tiranë, do ta luftojnë, humbasin ose fitojnë vetë shqiptarët.
