Faqja e Pare | Editorial | Ftesa e NATO-s, tirania dhe demokracia

Ftesa e NATO-s, tirania dhe demokracia

image

Pavarësisht asaj që deklarojnë zyrtarët e Tiranës apo Uashingtonit, marrja e ftesës nga Shqipëria në Samitin e Bukureshtit u bë e mundur në sajë të një neglizhimi thuajse spektakolar i standardeve politike dhe ushtarake që duhet të arrihen nga një shtet kandidat, para se ky të mund të bëhet anëtar i NATO-s. Nuk është e vështirë të kuptohet që ushtria e vendit më të varfër të Evropës nuk ka si të mos vuajë nga një varfëri aspak tipike për ushtritë e Aleancës, ndërkohë që performanca e qeverisë Berisha për avancimin e standardeve demokratike, shfaqet akoma edhe më e varfër. Janë të shumta spekulimet që orvaten të shpjegojnë këtë mbyllje sysh të NATO-s dhe që mundësoi hapjen e dyerve për Shqipërinë. Ringjallja e luftës së ftohtë me Rusinë? Apo (e lidhur po me Rusinë), rreziku i një destabiliteti potencial në Kosovë? Por mbi të gjitha hamendjet, në Tiranë triumfon besimi se tashmë çështja e standardeve të demokracisë shqiptare nuk do të jetë, si deri më sot, një "detyrë shtëpie" vetëm e politikës së Tiranës por, edhe një çështje e brendshme e vetë NATO-s. Ky besim i jep shpresë edhe opozitës, se tashmë sytë e NATO-s, jo vetëm nuk do të mbyllen para shkeljes së standardeve politike nga pushteti autoritar i Kryeministrit Sali Berisha, por se përkundrazi, do të hapen fort. A do të ndodhë vërtet kështu apo mos po ato shkaqe që e detyruan NATO-n të "liberalizojë" standardet sot, mund ta detyrojnë përsëri të mos shohë dhunimin e demokracisë nesër? Dhe opozita në Tiranë do të zhgënjehej keq nëse NATO do të vazhdonte të shikonte "standarde" dhe "reforma demokratike" aty ku në të vërtetë ke vetëm një pushtet tiranik që po gllabëron shtetin. Prandaj, opsioni më i mirë për të do të ishte që t‘i bazonte planet e veta që tani, jo në shpresa pa garanci, por në mbrojtjen e standardeve, duke mos i sakrifikuar ato për "interesa më të larta". Sepse, duke sakrifikuar standardet rrezikon të sakrifikojë demokracinë, pra edhe vetveten. Dhe a mund të ketë për një opozitë demokratike interes më të lartë se vetë demokracia?


***

Marrja e ftesës për në NATO është perceptuar me të drejtë si një hap historik i Shqipërisë për integrim me botën e lirisë të demokracive perëndimore. Por, ndërkaq jeta politike vazhdon të jetë e mbarsur me konflikte të ashpra mes pozitës dhe opozitës lidhur me çështje jetike për demokracinë. Që nga rikthimi në pushtet i Kryeministrit Berisha, vendi ka bërë hapa prapa për sa i takon ngritjes së institucioneve të pavarura. Tashmë njerëzit e partisë në pushtet mbajnë postet më të larta të shtetit. Treshja e politikanëve më të lartë të PD-së mban postet e Kryeministrit, Presidentit të Republikës, si dhe Kryetarit të Parlamentit. Ngjitja në pushtet e Berishës u pasua nga spastrimi (në dhunim të hapur të statusit të nëpunësit civil) i administratës civile, ushtarake dhe policore prej nëpunësve dhe ushtarakëve që nuk shiheshin si mbështetës të pushtetit berishist dhe që u zëvendësuan me pasues të devotshëm. Në shumë raste, ky spastrim partiak dhe kundër të drejtave të njeriut, u bë duke sakrifikuar cilësinë e administratës. Ndërkaq, shumë premtime të bujshme të shpallura nga Berisha nuk janë realizuar. Për kthimin e pronave të rrëmbyera nga komunizmi pronarëve të tyre të ligjshëm nuk është bërë asgjë. Pushteti ka vazhduar luftën kundër mediave dhe gazetarëve të pavarur në formë më të sofistikuar. Gazetarët kritikë ndaj Berishës dhe pushtetit nuk janë atakuar apo dhunuar si dikur drejtpërdrejtë, por në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet denigrimit dhe frikësimit me anë të sulmeve në mediat shërbëtore të pushtetit, heqjes së njerëzve të afërt nga postet publike apo dhe kërcënimit të stacioneve apo gazetave, me anë të taksidarëve dhe shantazheve fiskale. Gjyqësori vazhdon të mbetet kanceri i demokracisë shqiptare, mjaft i korruptuar, i kërcënueshëm dhe pra i manipulueshëm lehtësisht nga një pushtet autoritarist. Punët kanë arritur deri aty sa Gjykata Kushtetuese nuk guxon të japë një verdikt lidhur mbi kushtetueshmërinë apo jo të shkarkimit të ish-kryeprokurorit të Republikës. Ndërkohë, në sajë të presionit të pushtetit dhe tiranisë së shumicës berishiste në Kuvend, u arrit edhe shkarkimi i kryeprokurorit Theodhori Sollaku dhe emërimi në këtë post, i një juristeje të re që ende nuk ka dhënë prova pavarësie nga pushteti i ekzekutivit.

Lufta kundër korrupsionit, pavarësisht mburrjeve të qeverisë për arrestimin e disa grupeve kriminale, ka qenë vetëm një reklamë, pas së cilës është maskuar korrupsioni i ri i qeverisë Berisha, që po lë në bisht edhe korrupsionin që qeverisë së mëparshme socialiste. Monopolet në tregti, në telefoninë celulare, të importit të karburanteve që Berisha premtoi t‘i zhdukte "me tolerancë 0 kundër korrupsionit" janë më të forta se kurrë. Skandalet e qeverisë kanë pasuar njëri-tjetrin. Në vitin 2007 ato kulmuan me atë të rrugës Rrëshen-Kalimash dhe në prag të Samitit të Bukureshtit korruptimi dhe përfshirja e qeverisë deri në trafiqe mafioze armësh e municionesh, u denoncua nga një shpërthim katastrofik në fshatin Gërdec, pak kilometra larg kryeqytetit. U vranë 26 njerëz dhe qindra u plagosën, u traumatizuan. Me mijëra shtëpi u shkatërruan vetëm sepse qeveria, për interesa të errëta dhe përfitime të paligjshme, toleroi (për të lehtësuar trafikimin e tyre nëpërmjet Durrësit dhe Rinasit) ndërtimin e një pike të çmontimit të municioneve pranë një qendre të banuar. Tashmë skandali është ndërkombëtarizuar dhe fijet e tij shtrihen deri në Pentagon, ndërkohë që në media është përfolur deri edhe përfshirja në të e Kryeministrit Berisha dhe djalit të tij. Fakti që Berisha i ka kapur të gjitha institucionet dhe më së fundi, edhe kryeprokurorja është emëruar me pëlqimin e tij, nuk japin shumë shpresa se në Tiranë mund të ketë vullnet për t‘i gjurmuar fijet e këtij skandali deri në nivelet më të larta të shtetit. Shihet qartë se po bëhen përpjekje për ta izoluar fajësinë apo kriminalizimin në nivelet më të ulëta të administratës ushtarake, megjithëse në rrënojat dhe dokumentacionet e këtij skandali, në dhunimin e ligjeve që u bënë shkak për tragjedinë, shihen qartë gjurmët e gishtave të qeverisë dhe Kryeministrit. Opozita ka kërkuar dorëheqjen e Berishës si kusht për një hetim të plotë të këtij trafiku municionesh, që ka vënë në lëvizje deri edhe FBI-në dhe Kongresin e SHBA-së. Por ka dyshime të forta se është një implikim i mundshëm dhe jo vetëm natyra e tij prej autokrati, që e bën Berishën edhe më të vendosur për të mos dhënë dorëheqjen jo vetëm para protestave të opozitës, por edhe kërkesave të moralit politik. Por sido që të vijnë punët, tashmë miti i "flamurtarit të antikorrupsionit" është i humbur një herë e përgjithmonë për Berishën.


***

Në këtë klimë të një kërcënimi mjaft serioz, ku autoritarizmi po shndërrohet në sistem dhe kur demokracia në Shqipëri po mbijeton vetëm si kundërvënie opozitare dhe civile ndaj këtij autoritarizmi, u bë e mundur hyrja e Shqipërisë në NATO. Anashkalimi i standardeve demokratike u mundësua edhe nga një gjest zemërgjerë i opozitës, e cila pavarësisht avancimit të strategjisë berishiste në kapjen e shtetit, pranoi të bashkëpunojë me pushtetin për atë që po propagandohet sot, reformim i drejtësisë dhe i sistemit zgjedhor. Zbatica politike e realizuar nga opozita, edhe pse në praninë e një tragjedie si ajo e Gërdecit, ishte një ndër faktorët që ndihmoi marrjen e një ftese të vënë në pikëpyetje. Opozita prirej drejt marrjes së ftesës, duke e parë atë me shpresë si një mbështetje për demokracinë. Pushteti e përdori sa mundi prudencën e opozitës për të propaganduar me sa mundej se demokracia në Shqipëri ecën mirë dhe bashkë me të, edhe reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi. Mjerisht ajo çka përflitet si arritje në të dyja fushat, rrezikon të dalë përsëri në një mashtrim. Ligji për gjyqësorin, i cilësuar si hapi i parë i reformës në drejtësi, është larg së qeni i përsosur. Fakti që ai nuk e çliron përfundimisht gjyqësorin nga tentakulat e politikës, është denoncuar me kohë nga vetë shoqatat e gjyqtarëve. Akoma më keq janë punët me reformën e sistemit zgjedhor. Ndërsa politika po debaton mbi gjetjen e një sistemi të përshtatshëm zgjedhor (gjerman, spanjoll apo finlandez?) procesi i hartimit të regjistrit të saktë të zgjedhësve dhe mbi këtë bazë, i kartave të identitetit të sigurta dhe të pamanipulueshme, mbetet tepër i vonuar. Tashmë kemi ardhur përsëri në një pikë kur, hyrja në zgjedhjet e ardhshme me infrastrukturë të papërkryer zgjedhore, po përflitet si një fatalitet. Kjo do të thotë përsëri vjedhje dhe manipulim i votave. Dhe të mendosh që Kryeministri Berisha pati premtuar pajisjen me karta identiteti të shqiptarëve që në vitin e parë të qeverisjes së tij të dytë! Por, pas marrjes së ftesës për anëtarësim, a mund ta tolerojë më NATO-ja një dhunim të tillë të standardeve? Normalisht jo. Dhe kjo është shpresa që mbizotëron në radhët e opozitës. Por kush e di? Ndofta rindezja e "luftës së ftohtë" me Rusinë mund ta detyrojë përsëri NATO-n dhe anëtarët e saj evropianë, që për hir të një stabiliteti të nevojshëm politik, të tolerojnë qeverisjen edhe për disa vjet në Shqipëri, të asaj që nëse jo një tirani, duket qartas që është (e thënë shumë butë apo diplomatikisht), një "demokraci" aspak liberale.

Gjeopolitika jo gjithmonë e ka favorizuar demokracinë. Aq më tepër demokracitë foshnjore dhe të vogla si kjo në Shqipëri.