Faqja e Pare | Rajoni | Qeveria e Maqedonisë deri më 3 prill do të funksionojë si qeveri pakice.

Qeveria e Maqedonisë deri më 3 prill do të funksionojë si qeveri pakice.

image

Qeveria nuk ka shumicën në parlament por asnjë nga partitë nuk do ta rrëzojë atë.

Pas largimit të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) nga qeveria partitë opozitare thanë se do të mbeshtesin qeverinë deri në samitin e NATO-s, kur pritet që vendi të marrë ftesë anëtarësimi.

Ministri i Jashtëm Antonio Milloshovski e pranoi se qeveria e kryeministrit Nikolla Gruevski nuk mund të sigurojë shumicën në parlament.

"Qeveria e Maqedonisë do të vazhdojë të funksionojë si qeveri pakice, por me kapacitet të plotë, në dy–tre javët në vazhdim deri në samitin e NATO-s në Bukuresht," tha zoti Milloshovski.

Në një deklarim shumë të shkurtër për mediat kryeministri Gruevski tha se do të bënte ç'është e mundur që të mbronte interesat e vendit.

"Nuk do të lejoj asnjë politikan, asnjë parti politike që, nëpërmjet skenareve të ndryshme, të dëmtojnë interesat dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë," tha zoti Gruevski, qeveria pakicë e të cilit tani mbështetet nga opozita për të kryer detyrimet që vendi të mos humbë shansin për anëtarësim në NATO.

Mbështetje e opozitës

Nënkryetari Lidhjes Socialdemokrate në opozitë, Jani Makraduli, shpreh mbështetjen e partisë së tij.

"Si parti, me përgjegjësi, në interes të qytetarëve të vendit, mendojmë se duhet t'i ndihmojmë qeverisë që të vazhdojë të përqëndrohet në prioritetin e quajtur NATO," tha zoti Markaduli.

Qeverinë do ta mbështesë deri më 3 prill edhe partia shqiptare në opozitë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), mbështetje që e konfirmoi deputeti i BDI-së Xhevat Ademi.

"Ne kërkuam nga kryeministri Nikolla Gruevski që deri më 3 prill të vazhdojë funksionimin e qeverisë dhe të mos krijohet vakum në institucione dhe të mos krijohen situata që do të rëndojnë rrugën e Maqedonisë deri në shansin historik për të marrë ftesë për t'u anëtarësuar në NATO," tha zoti Ademi.

Këto deklarata u bënë pas një takimi të premten të kryeministrit Gruevski me udhëheqësit e partive kryesore parlamentare.

Pas takimit udhëheqësit e PDSH-së nuk bënë komente, por të enjten kur u zyrtarizua largimi i kësaj partie nga qeveria, kryetari i saj Menduh Thaçi tha se përfaqësuesit e partisë së tij në ekzekutiv do të vazhdojnë punën deri sa të zëvendësohen.

"Funksionarët tonë që janë në ekzekutiv do të ushtrojnë funksionet në aspektin teknik," tha zoti Thaçi.

Kriza politike

Kriza politike në Maqedoni u krijua kur PDSH-ja, që ishte pjesë e koalicionit qeveritar, vendosi të dalë prej saj, pasi kryeministri Gruevski refuzoi që të pranojë gjashtë kërkesa të saj për disa çështje që lidhen me gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni.

Qeveria vihet në vështirësi në kohën kur vendi është në prag të marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO në samitin e Bukureshtit.

Por kriza qeveritare vjen edhe në kohën kur po zhvillohen negociata të rëndësishme për çështjen e emrit me Greqinë.

Vëzhguesit thonë se qeveria e pakicës tani duhet të krijojë një moment qetësie në skenën politike, por kjo nuk nënkupton se problemet do të tejkalohen lehtë pas samitit të NATO-s.