Gruevski vazhdon bisedimet per formimin e qeverise se re
Mandatari për krijimin e qeverisë së re në Maqedoni, Nikolla Gruevski ka mbyllur raundin e tretë të bisedimeve me Partinë Demokratike Shqiptare dhe Bashkimin Demokratik për Integrim për formimin e koalicionit qeveritar. Zëdhënësi i Qeverisë deklaroi se mandatari Gruevski, ende nuk ka vendosur se cilën parti do të përfshijë në koalicionin qeveritar. Bisedimet janë zhvilluar larg mediave dhe nuk janë dhënë detaje lidhur me ecurinë e tyre. Takimin e sotëm, mandatari dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së e ka zhvilluar me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, ndërsa mbrëmë është takuar me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Afati i fundit për publikimin e koalicionit të ri qeveritar skadon më 12 korrik, kur mandatari Gruevski duhet t'i dorëzojë Kuvendit, për miratim, listën e anëtarëve të Qeverisë dhe programin qeveritar.
