Maqedoni : KZSH e vërtetoi radhitjen e listave të kandidatëve për zgjedhjet parlamentare
Komisioni zgjedhor shtetëror (KZSH) sot me short e vërtetoi radhitjen e 18 listave të kandidatëve për zgjedhje të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 1 qershor.
Në Njesitin zgjedhor 1, i pari në listë është Bashkimi Demokratik Kombëtar, Koalicioni "Dielli" i udhëhequr nga SDSM-ja është i dyti, PDSH-ja është në vendin e 6-të, BDI-ja në vendin e 10-të, ndërsa koalicioni "Për Maqedoni më të mirë " i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja është në vendin e 11-të. Në listë gjithsej ka 16 kandidatë, Listën e "Për Maqedoni më të mirë" e udhëheq Nikolla Gruevski, të "Dielli"-t Radmilla Shekerinska, të BDI-së Blerim Bexheti, ndërsa të PDSH-së, Imer Selmani.
Në Njesitin zgjedhor 2, i pari është Bashikimi Demokratik Kombëtar, Koalicioni "Për Maqedoni më të mirë" është në vendin e 6-të, PDSH-ja në vendin e 8-të, ndërsa në 11-in koalicioni "Dielli", dhe BDI-ja është në 13-shin. N listë gjithsej janë 16 kandidatë. Listën "Për Maqedoni më të mirë" e udhëheq Trajko Sllaveski, të "Dielli"-t Jovan Manasievski, të BDI-së Xhemail Jashari, ndërsa të PDSH-së Abedin Zymberi.
Në Njesitin e tretë zgjedhor në listë janë 11 kandidatë. E para është Lëvizja e unitetit kombëtar të turqve, BDI-ja në vendin e 4-të, Koalicioni "Dielli" në vendin e 6-të, Koalicioni "Për Maqedoni më të mirë" në vendin e 7-të, ndërsa PDSH-ja në vendin e 10-të. Listën e "Për Maqedoni më të mirë" e udhëheq Vlladimir Gjorçev, të "Dielli"-t Tito Petkovski, të BDI-së Irfan Limani, ndërsa të PDSH-së, Muamer Imeri.
Në Njesitin zgjedhor katër, Lëvizja për Unitet kombëtar të turqve është e para në listë, Koalicioni "Dielli" është në vendin e 6-të, ndërsa Koalicioni VMRO-DPMNE në vendin e 9-të. Në listë ka gjithsej 10 kandidatë. Listën e "Për Maqedoni më të mirë" e udhëheq Zoran Stavreski, ndërsa të "Dielli"-t, Zoran Zaev.
Në Njesitin e pestë zgjedhor ka 12 kandidatë. E para është Partia Sociale-demokrate e Maqedonisë, BDI-ja është e dyta, Koalicioni "Dielli" në vendin e 4-të, PDSH-ja në vendin e 10-të, ndërsa Koalicioni "Për Maqedoni më të mirë" në vendin e 12-të. Listën e "Për Maqedoni më të mirë" e udhëheq Antonio Milloshoski, të "Dielli"-t Jani Makraduli, të BDI-së Fazli Veliu, ndërsa të PDSH-së, Arben Xhaferri.
Në Njësitin zgjedhor 6, e para është Partia e Demokratëve të lirë, PPD-ja është në vendin e dytë, PDSH-ja në vendin e 6-të, Koalicioni "Dielli" në vendin e 10-të, koalicioni "Për Maqedoni më të Mirë" në vendin e 11-të. Listën e "Për Maqedoni më të mirë" e udhëheq Gordana Jankullovska, të "Dielli"-t Igor Ivanovski, të BDI-së, Ali Ahmeti, ndërsa të PDSH-së, Menduh Thaçi.
Komisioni zgjedhor shtetëror në seancën e sotme njëzëri vendosi ta shfuqizojë listën e vërtetuar të kandidatëve të VMRO-Popullores, për shkak se partia nuk e ka respektuar afatin për dërgesën e xhiro llogarisë deri te KZSH-ja për fushatën zgjedhore.
Fushata parazgjedhore për zgjedhjet e gjashta parlamentare në Maqedoni zyrtarisht fillon më 11 maj në mesnatë dhe do të zgjasë deri më 30 maj. Dita para votimit është heshtje zgjedhore. Vendvotimet më 1 janar do të hapen prej ora 7:00 deri 19:00.
Zgjedhjet do të realizohen sipas modelit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore. Të drejtë vote kanë rreth 1,74 milionë qytetarë të Republikës së Maqedonisë të evidentuar në Listën e vetme zgjedhore, e cila ishte në mbikëqyrje publike prej 22 prill deri më 1 maj.
Me qëllim të zgjedhjeve korrekte dhe demokratike, mbi 30 parti politike mbrëmë në Shkup e nënshkruan kodeksin e sjelljes për zgjedhje parlamentare.
Sipas njoftimeve të deritanishme, zgjedhjet do t'i vëzhgojnë 270 përfaqësues të Zyrës së OSBE-së për institucione demokratike dhe të drejta të njeriut - ODIHR dhe 3.500 të asociacionit qytetar MOST.
