"Blic": Presidenti serb Tadiq kërcënohet me vrasje
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq është kërcënuar me vrasje për shkak të tradhtisë ndaj vendit të tij, ka bërë të ditur gazeta "Blic". Në një letër-kërcënimi që është dërguar në adresë të kabinetit të tij, Tadiq ka marrë porosinë se "do të japë llogari për tradhti ndaj vendit dhe si tradhtar i dëshmuar i popullit serb do të marrë atë që i takon – plumbin në lule të ballit".
“Vetëm ju, tradhtarët, kijeni parasysh se vepra më e rëndë kundërligjore është tradhtia ndaj popullit dhe shtetit, ndërsa ju pikërisht këtë gjë po bëni. Prandaj, mos jini të sigurt se për këtë gjë nuk do t’ju kapë dora e drejtësisë me dënimin më të rreptë të mundshëm”, shkruhet ndër të tjera në këtë letër dërguar Tadiqit.
Sipas burimeve të kësaj gazete, kjo letër gjoja se është dërguar nga qyteti Çikago i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mirëpo besohet se ajo mund të jetë dërguar edhe nga Serbia.
Letra të cilës i referohet gazeta “Blic”, thuhet të jetë vetëm një nga shumë të tilla që vijnë në adresë të presidentit serb, ku madje bëhet thirrje edhe për vrasjen e tij. Organet kompetente serbe ndërkaq, ende nuk janë prononcuar rreth kësaj letre.
Kërcënimet ndaj Tadiqit thuhet të jenë intensifikuar pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Serbisë dhe BE-së. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje nga forcat nacionaliste në Serbi është cilësuar si pajtim me pavarësinë e Kosovës.
