Edi Rama: Berisha eshte mburoja politike dhe publike e nje personi te akuzuar per vrasje
Jam thellësisht i shqetësuar dhe janë të shqetësuar të gjithë qytetaret e qytetarët e ndershëm të këtij vendi, socialistë e demokratë, për qëndrimin e pajustifikueshëm të Kryeministrit të Shqipërisë, i cili edhe pas vendimit të drejtësisë për sigurimin në arrest shtëpie të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, vazhdon të jetë mburoja e këtij personazhi, i cili është me siguri i pari njeri në historinë e botës që qëndron në një detyrë të lartë shtetërore duke qenë i arrestuar.
Ky qëndrim në kundërshtim flagrant me etikën shtetërore e qeverisëse hedh një hije shumë shqetësuese dyshimi mbi arsyet që ka Kryeministri i Shqipërisë për t'u bërë mburoja e një njeriu të akuzuar për pjesëmarrje në një krim të organizuar nga shteti në kohën kur Sali Berisha ishte President i Republikës.
Kapja e kryetarit të qeverisë pas historisë së errët të mosdënimit në të shkuarën të këtij personazhi për të mos e shkarkuar atë sot edhe pasi gjykata ka dhënë masën e arrestit shtëpiak, a thua se zotërinë e inkriminuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka emëruar gjykata drejtor të tatimeve dhe mund të shkarkojë vetëm ajo, është në rastin më të mirë papërgjegjshmëri e plotë dhe në rastin më të keq abuzim i vetëdijshëm i Sali Berishës me mandatin kryeministror, për të ndikuar politikisht mbi procesin gjyqësor duke u bërë publikisht mburojë e një të arrestuari.
Në të dyja rastet kemi të bëjmë me një shembull rrënqethës të shkallës së degradimit moral e politik të qeverisjes së këtij vendi, të kthimit të punëve të shtetit në allishverishe të një tribuje që nën sqetullën kryeministrore sillet me pushtetin si me një të drejtë natyrore për shpërdorim të detyrave e funksioneve publike, të maskaradës së premtimeve për duar të pastra e qeveri të shërbimit e të shërbesave.
Detyra dhe funksioni publik i Kryeministrit është të jetë në anën e atyre që luftojnë krimin dhe jo në anën e krimit. Në emër të kësaj detyre e të këtij funksioni i bëj thirrje kryetarit të qeverisë të kryejë një orë e më parë aktin formal të shkarkimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve si edhe të distancohet publikisht nga vrasja e të ndjerit Remzi Hoxha dhe po publikisht të inkurajojë zbardhjen deri në fund të kësaj enigme që rëndon në ndërgjegjen e shtetit shqiptar.
Shqipëria që ka kapërcyer pragun e NATO-s dhe që po troket në portat e BE-së s'mund të pajtohet me një Shqipëri tribale që mban në krye të sistemit të tatimeve një të arrestuar për vrasje.
