Pas emisionit Fiks Fare: Pezullohet nga detyra nën akuzën e korrupsionit prokurori i rrethit gjyqësor Kavajë
Prokurori i Rrethit Gjyqësor Kavajë, Musa Mulkurti, është pezulluar dje nga detyra deri në përfundimin e hetimeve, nën akuzën për "Korrupsion pasiv të gjyqtarëve dhe të prokurorëve", thuhet në një njoftim të Zyrës së Shtypit të Prokurorisë së Përgjithshme. Gjithashtu, sipas të njëjtit burim, Njësia kundër Krimit ekonomik dhe Korrupsionit pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, regjistroi ndaj prokurorit Mulkurti edhe proçedimin penal për veprën e mësipërme penale.
Sipas zëdhënëses së Prokurorisë së Përgjithshme, këto masa u morën nisur nga emisioni "Fiks Fare" i datës 20.02.2008 të televizionit "Top Chanal". "Njësia kundër Krimit ekonomik dhe Korrupsionit pranë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, regjistroi ndaj prokurorit Mulkurti edhe proçedimin penal për veprën në fjalë. Edhe Drejtoria e Inspektimit pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm do të kontrrollojë gjithë punën e këtij prokurori për një periudhë dy vjeçare", bëri të ditur zëdhënësja e Prokuroisë së Përgjithshme. Në kuadrin e hetimit të veprës penale të korrupsionit hetimi do të shtrihet edhe në drejtim të pasurisë së prokurorit Mulkurti.
Prokurorja e Përgjithshme ka bërë të ditur se, nuk do të ketë asnjë tolerim për korrupsionin edhe në radhët e prokurorëve dhe të gjykatësve. Në analizat e zhvilluara në disa prokurori të rretheve, kryeprokurorja Ina Rama u ka kërkuar vartësve që të jenë më të angazhuar në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
