Operacioni "Piratët e Tenderave", në pranga dy biznesmenë ndërtimi
Falsifikuan dokumentat për tenderin prej 150 milion lekësh të një rrjeti ujitës në Kavajë
Forcat e Policisë arrestuan të dielën dy biznesmenë ndërtimi për falsifikim të dokumentave për pjesëmarrje në tender. Policia bëri të ditur se, arrestimet u kryen gjatë operacionit "Piratët e Tenderave". "Sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë Task-Forcë finalizuan operacionin e koduar "Piratët e Tenderave" për kapjen dhe ndalimin e shtetasve Ismail Stafa, 42-vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator i shoqërisë "NDERPRO" sh.p.k. me qendër në Tiranë dhe Ardi Arkaxhiu, 33-vjeç, banues në Kavajë, me detyrë administrator i shoqërisë "MA-CO" sh.p.k. me qendër në Kavajë", thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ndaj këtyre shtetasve, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ditën e dielë ka caktuar masën e sigurimit "arrest me burg" për veprat penale të "Falsfikimit të dokumenteve" dhe "Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve", të kryera në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 186/2 dhe 190/2 e 22 të Kodit Penal.
Nga hetimet paraprake, të kryera me metoda speciale ka rezultuar se dy biznesmenët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar vërtetime të lëshuara në emër të Degëve të Tatim-Taksave Tiranë dhe Kavajë, të cilat i kanë paraqitur në tenderin që Njësia e Projektit të Manaxhimit të Burimeve Ujore, në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit ka zhvilluar më datë 18.3.2008, me objekt "Rehabilitimi i rrjetit ujitës në Rezervuarin Liz në zonën e Kavajës", me një fond limit prej 15 milion lekësh të reja. Në këto dokumenta të falsifikuara dy të arrestuarit kanë paraqitur një xhiro vjetore disa herë më të lartë, nga xhiro vjetore reale e firmave të tyre të ndërtimit. Në bashkëpunim me organin e akuzës vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj çështje.
Ndërkohë, policia e Durrësit arrestoi para tre ditësh dy punonjës të Hipotekës nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv, ndërkohë që paraditen e së njëjtës ditë Gjykata e rrethit kishte dhënë ndaj tyre masën e sigurisë "arrest në burg". Burime zyrtare të policisë lokale thanë se, "Petrit Maliqati, 53-vjeç, lindur e banues në lagjen nr.5, hartograf pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Olsion Rrjepaj, 28-vjeç, lindur e banues në Durrës, u arrestuan në kuadër të operacionit "Furtuna 2". Të njëjtat burime thanë se, dy zyrtarët e Hipotekës u arrestuan pas një pune investiguese të sektorit të luftës kundër krimit financiar. Në bazë të hetimeve disa mujore rezulton se, Petrit Maliqati dhe Olsion Rrjepaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën, duke regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në favor të Petrit Maliqatit dhe vëllait e motrave të tij, një sipërfaqe toke (truall), e cila ndodhet në lagjen nr.8 Durrës.
