Tepelenë, bllokohen 600 kg drogë në një kamion
Policia e Tepelenës bllokoi dje në mëngjes 600 kg lëndë narkotike të llojit marihuanë, në aksin rrugor kombëtar Tepelenë-Fier, ndërkohë që gjatë aksionit drejtuesi i automjetit me të cilën po transportohej droga, pas tentativës për t'i rrëmbyer armën një punonjësi të policisë, mbeti i plagosur në këmbë. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Gentian Mullai, tha se "Besnik Bronkeri, 35-vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Vlorë, që drejtonte mjetin kamion tip "Reno" me targa VL 1446 C (koka e kamionit) dhe rimorkio me targë KO 5427 B, nuk iu bind urdhërit të Policisë Rrugore, kur iu kërkua të hapte karrocerinë". Sipas Mullait, në këtë moment ai u përpoq t'i rrëmbejë me forcë pistoletën njërit prej punonjësve të policisë dhe në pamundësi u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, rreth 10 km larg qytetit të Memaliajt. 35-vjeçari u ndoq nga policia, e cila e ka neutralizuar, duke e plagosur në këmbë. Policia tha se, në karrocerinë e kamionit që drejtohej nga 35-vjeçari, u gjetën 24 çanta të mëdha sportive ngjyrë të zezë, ku në secilën prej tyre ishin vendosur 20-25 pako me peshë një kilogram secila, të mbështjella me letër natriban.
Para pak ditësh forcat e policisë sekuestruan 15 kg heroinë të pastër në pikën kufitae "Tre Urat", rreth 25 kilometra larg qytetit të Përmetit. Policia bëri të ditur se gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip "Toyota", me targa greke YBM 3402, është konstatuar 15 kg heroinë e pastër. "Gjatë hetimeve paraprake rezultoj se në automjetin tip "Toyota", ishin fshehur 30 pako me nga 500 kg, nga këto 7 pako, ishin fshehur në gomën rezervë, 7 pako të e tjera ishin fshehur në sedilen e pasagjerit, ndërsa pjesa tjerër u gjend në parakolpin e automjetit", bëri të ditur policia, duke shtuar se "policia kufitare ka ndaluar në flagrancë drejtuesin e automjetit, i cili tashmë ndodhet në dhomat e paraburgimit të komisariatit të Përmetit. Ndërkohë, hetimet paraprake kanë konstatuar se lënda narkotike ishte nisur nga qyteti i Korçës me destinacion kryeqytetin grek. Policia bëri të ditur se gjatë kërkiemve në orët e pasdites janë sekuestruar edhe 11.5 kilogram të tjerë heroinë. Ndërkohë që rreth 5 kilogramë heroinë është sekuestruar në Përmet gjatë paradites ku ka rënë në pranga edhe një person.
