Shkarkohen 2 gjeneralë dhe shefi i SHIU-t
Tragjedia e Gërdecit u heq nga supet dy gjeneralëve gradat e larta ushtarake. Vetëm dy orë pas shkarkimit të gjeneralëve Shpëtim Spahiu dhe Zija Bahja me dekret të Presidentit, Kryeministri Sali Berisha me propozim nga ministri i Mbrojtjes, shkarkoi edhe shefin e Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Hysni Gjergji. Më parë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, firmosi shkarkimin nga detyra të dy ushtarakëve të lartë të Forcave të Armatosura. Të dy ata janë thirrur disa herë në Prokurori për të dhënë sqarime rreth tragjedisë së Gërdecit, edhe pse organi i akuzës nuk ka pasur ndonjë dyshim të bazuar rreth pozicionit të tyre në ngjarjen me pasoja të rënda. Gjeneral Major Shpëtim Spahiu, Komandant i Forcës së Bashkuar në Shtabin e Përgjithshëm dhe Gjeneral Brigade Zija Bahja, Komandant i Komandës Mbështetëse pranë Forcave të Armatosura, janë shkarkuar nga Presidenti Topi me propozim të ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Lajmi është konfirmuar përmes një deklarate zyrtare të Presidencës shqiptare, ku pasi bëhet i ditur shkarkimi i dy gjeneralëve, sqarohet se një masë e tillë nga Presidenti është bërë në bazë të propozimit të ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Njoftimi i Presidencës, por edhe dekreti i firmosur nga kreu i shtetit, nuk tregojnë shumë lidhur me shkaqet e shkarkimit të dy gjeneralëve. Megjithatë motivi i ndëshkimit të tyre me masën më të lartë administrative, shkarkim, bëhet i ditur nga njoftimi i shpërndarë dje për mediat, prej zyrës së shtypit në Ministrinë e Mbrojtjes. Në këtë deklaratë thuhet se propozimi i ministrit Oketa për shkarkimin e dy gjeneralëve, është bërë pas një analize të thellë e të hollësishme të ngjarjes tragjike të ndodhur në Gërdec të Vorës, mesditën e 15 marsit të këtij viti. Sipas deklaratës, propozimi për shkarkimin e dy gjeneralëve erdhi “në vijim të analizës së thellë të ndërmarrë në Ministrinë e Mbrojtjes, për evidentimin e shkaqeve, piketimin e përgjegjësive administrative dhe marrjen e masave për të gjithë ata persona, ushtarakë apo civilë, të cilët nëse do të kishin ushtruar me përpikmëri dhe përgjegjësi detyrat e ngarkuara nga aktet normative në fuqi, mund dhe duhet të kishin parandaluar ngjarjen tragjike në fshatin Gërdec të Bashkisë Vorë, më 15 mars 2008, ku shpërthimi i një reparti ushtarak gjatë demontimit të municioneve të kalibrave të ndryshëm nga një subjekt privat, solli një dëm kolosal në jetë njerëzore dhe pasuri”.
Gjeneralët dhe Gërdeci
Shefi i Shërbimit Informativ Ushtarak, nënkolonel Hysni Gjergji, është shkarkuar nga detyra ditën e djeshme me firmën e Kryeministrit Berisha. Shefi i SHIU-t dy ditë pas tragjedisë së Gërdecit, deklaroi se Shërbimi Sekret i Ushtrisë nuk ka pasur kompetencë të bëjë hetime në Gërdec, pasi aty vepronte një subjekt privat që nuk është në juridiksion të institucionit të drejtuar prej tij. Megjithatë, titullari i Shërbimit Sekret Ushtarak është akuzuar se nuk ka mundur të zbulojë rrezikun e Gërdecit dhe nuk e ka raportuar atë tek instancat më të larta. Shkarkimi i kreut të Shërbimit Sekret të Ushtrisë ka ndodhur vetëm dy orë pasi Presidenca bëri me dije shkarkimin e dy gjeneralëve të ushtrisë, Zija Bahja dhe Shpëtim Spahiu. Gazeta “Panorama” mësoi se dy gjeneralët, edhe pse nga Ministria e Mbrojtjes u konsideruan “përgjegjës” për mosveprime që mund të kishin parandaluar tragjedinë e Gërdecit, para se të shkarkoheshin nuk janë thirrur asnjëherë nga ministri i Mbrojtjes për të analizuar rastin. Dy gjeneralët mësohet se e kanë mësuar shkarkimin e tyre përmes mediave elektronike që publikuan dje rreth orës 17:30 dekretin e Presidentit të Republikës. Gjeneral major Shpëtim Spahiu, ka dëshmuar tri herë me radhë në Prokurorinë e Tiranës në kohën kur dosja e tragjedisë së Gërdecit hetohej në këtë institucion. Ai ka dëshmuar se si Komandant i Komandës Mbështetëse, me shkresa zyrtare kishte kërkuar spostimin e fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec pas kodrës së malit që ndodhej aty pranë, me qëllim që puna me armatimet të bëhej në një zonë më të largët nga shtëpitë e banuara që u shkatërruan nga shpërthimi i 15 marsit. Gjithashtu, Gjeneral Spahiu ka dëshmuar në Prokurori, se ushtria nuk ishte lejuar nga ndërmarrja MEICO të kryente kontroll në fabrikën e Gërdecit, pasi kjo ndërmarrje kishte marrë të drejtën e pronësisë, administrimit dhe kontrollit mbi punishten e çmontimit që i ishte dhënë kompanisë së Mihal Delijorgjit.
Shkarkuar për Gërdecin
• Gjeneral major, Shpëtim Spahiu
Komandant i Forcës së Bashkuar
• Gjeneral Brigade, Zija Bahja
Komandant i Komandës Mbështetëse
• Hilmi Laçi
Ish-drejtor i Drejtorisë së Armatimit e Municioneve në Shtabin e Përgjithshëm
• Idlir Nikola
Komandant i Policisë Ushtarake
• Dashnor Çaushi
Drejtor i Drejtorisë së Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm
• Kadri Sulaj
Komandanti i Brigadës së Furnizimit pranë Komandës së Mbështetjes Logjistike
