Faqja e Pare | Kosova | Nga Qeveria e Kosoves | Investimet e Qeverisë së Kosovës do të jenë të pranishme në çdo kënd të Kosovës, - ka thënë kryeministri Thaçi në inaugurimin e rrugës Sharr-Brod

Investimet e Qeverisë së Kosovës do të jenë të pranishme në çdo kënd të Kosovës, - ka thënë kryeministri Thaçi në inaugurimin e rrugës Sharr-Brod

image

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës z.Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, z.Fatmir Limaj, kanë marr pjesë në inaugurimin e rrugës së asfaltuar Sharr-Brod. Rruga është e gjatë 12 kilometra dhe e lidh fshatin Brod, në thellësi të Maleve të Sharrit, me qendrën komunale të Sharrit.
Projekti i ri-asfaltimit të kësaj rruge është bashkëfinancuar nga ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit me Komunën e Sharrit.
Vizitën në këtë rajon, dhe pjesëmarrjen në inaugurimin e kësaj rruge, kryeministri Hashim Thaçi, i ka cilësuar si shtytje për punën që po bëhet në rajonin e Sharrit.
“Investimet e Qeverisë së Kosovës do të jenë të pranishme në çdo kënd të territorit të Kosovës, do t’i gëzojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Këto janë investime edhe për të gjitha  komunitetet, janë investime për jetë më të mirë, për jetë të përbashkët, që secili qytetar i Kosovës të ndihet krenar me jetën e re në Kosovën e pavarur, në Kosovën demokratike, në Kosovën e standardeve evropiane, në Kosovën e mirëqenies sociale” është shprehur kryeministri Thaçi në këtë rast.
Kryeministri Thaçi ka theksuar gjithashtu se Qeveria e Kosovës do të shtrijë dorën në të mirë të të gjithë qytetarëve të saj edhe në segmente tjera siç janë arsimi, shëndetësia, turizmi dhe blegtoria. Kryeministri Thaçi ka vlerësuar se Sharri është një vend i mrekullueshëm dhe me resurse të mëdha për zhvillimin të turizmit dhe blegtorisë.
“Qeveria e Kosovës në prioritetet e saja nuk do të ketë dallim për qendrën e Kosovës dhe pjesën periferike. Për Qeverinë aktuale do të jetë i gjithë territori i Kosovës pjesë e angazhimeve të përbashkëta, në mënyrë që të gjithë qytetarët të gëzojnë të mirat e kësaj qeverie, dhe ta ndiejnë afër dorën e Qeverisë për të mirën e tyre” ka thënë kryeministri Thaçi.
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës z.Hashim Thaçi ka vlerësuar gjithashtu se inaugurimi i kësaj rruge, por edhe të gjitha punët konkrete që janë duke u realizuar, si dhe vazhdimin e projekteve tjera kudo në Kosovë, do të kontribuojnë në rritjen e mëtutjeshme të mirëqenies së qytetarit tonë dhe janë pjesë e angazhimeve të vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës.    
Gjithashtu, edhe ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, z.Fatmir Limaj, ka shprehur gatishmërinë qe ministria që drejton ai do të vazhdojë realizimin e projekteve infrastrukturore rrugore në tërë territorin e Republikës së Kosovës për të krijuar një ambient të gjithanshëm favorizues për ndërtimin e perspektivës evropiane për Kosovën dhe qytetarët e saj.