Faqja e Pare | Kosova | Kthehen në punë njëmbëdhjetë oficerë korrektues që i përkasin komunitetit serb

Kthehen në punë njëmbëdhjetë oficerë korrektues që i përkasin komunitetit serb

image

 Pas përpjekjeve të vazhdueshme të Ministrisë së Drejtësisë, për t’i bindur oficerët korrektues që vijnë nga komuniteti serb, që të kthehen në vendet e tyre të punës, njëmbëdhjetë prej tyre janë kthyer sot në punë, të cilët i ka inkurajuar ministrja Kelmendi, që ta vazhdojnë punën dhe i ka falënderuar për gatishmërinë e tyre për të qenë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës. 
Ministrja e Drejtësisë Nekibe Kelmendi, sërish ofroi bashkëpunimin dhe mbështetjen e saj dhe të gjithë Ministrisë së Drejtësisë, oficerëve korrektues të minoritetit serb.
Nga tetëdhjetedy sa ishte gjithsej numri i oficerëve korrektues, të suspenduar, 5 prej tyre janë kthyer në punë në Qendrën Korrektuese për Femra dhe të Mitur në Lipjan, 5 në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan dhe 1 në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.
Ndërkaq, punën në Shërbimin Korrektues të Kosovës e kanë vazhduar normalisht 55 pjesëtarë të komunitetit serb, 5 prej tyre në Qendrën Korrektuese për Femra dhe të Mitur në Lipjan, 5 në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan dhe 45 në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë. Gjithashtu, në Shërbimin Korrektues të Kosovës punojnë edhe 17 pjesëtarë të komunitetit boshnjak dhe një slloven.
Afati i masës - suspendim nga puna - përfundon nesër, më 15 maj 2008, prandaj Ministrja Kelmendi sërish i bën thirrje të gjithë stafit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, të cilët vijnë nga komuniteti serb, që të mos bien nën ndikimin e politikës së Serbisë, e cila shkon në dëm të tyre, por të paraqiten në vendet e tyre të punës në Institucionet Shtetërore të Republikës së Kosovës, në të kundërtën do të merren masat në përputhje me ligjin, njofton Zyra për informim pranë Ministrisë së Drejtësisë.