OKB kërkon nga Beogradi të mos sfidojë UNMIK-un
Bisedimet mes Zyrës së OKB-së në Nju Jork dhe Qeverisë së Beogradit, sipas zyrtarëve të UNMIK-ut, synojnë zgjidhjen që të mos minohet edhe më UNMIK-u në mjediset serbe.
Zgjidhja e problemeve në gjyqësi, polici e dogana, të paraqitura pas shpalljes së pavarësisë në mjediset serbe, konsiderohen të jenë çështjet që do diskutojë Zyra e Kombeve të Bashkuara në Beograd me Qeverinë serbe.
UNMIK-u nuk është përfshirë fare në këto bisedime të quajtura teknike, sikurse që nuk është i përfshirë askush nga institucionet e Kosovës.
"Selia e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork ka kërkuar nga Zyra e OKB-së në Beograd, që me Qeverinë e Serbisë të kërkojë zgjidhje për minimin e vazhdueshëm të mandatit të UNMIK-ut”, thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Sven Lindholm.
“UNMIK-u, si mision, nuk është i përfshirë direkt në këto bisedime, por këto do të jenë të një natyre teknike, që do të merren me fushat, në të cilat UNMIK-u qe sfiduar", thotë Lindholm, duke theksuar se bisedimet nuk kanë filluar ende.
Fillimin e bisedimeve e kanë konfirmuar mediat serbe.
Lindholm nënvizon se bisedimet kanë të bëjnë me fushat, të cilat që nga shpallja e pavarësisë nuk janë duke funksionuar në veri të Kosovës.
"Bëhet fjalë për fushat, ku para një muaj e gjysmë, siç e ka parë secili, UNMIK-u është sfiduar. Këtu përfshihen fusha të qeverisjes, policët që kanë braktisur SHPK-në, hekurudhat, doganat, pra fusha që lidhen me çështje teknike", thotë Lindholm.
Në anën tjetër, zgjedhja e Zyrës së OKB-së në Beograd për të zhvilluar këto bisedime, sipas analistit politik, Ramush Tahiri, konsiderohet e vetmja mundësi për të bërë diçka në zgjidhjen e problemeve teknike.
"Këto bisedime konsiderohem e vetmja mundësi për të realizuar të themi përfitime praktike, ose të mira për të zgjidhur çështjen me komunitetin serb të Kosovës dhe që kanë të bëjnë me shtetin e Serbisë”, thotë Tahiri.
“Momentalisht, edhe për një kohë nuk ka zgjidhje tjera më praktike, që do të mund të bëheshin me vullnetin e të gjitha palëve", thekson ai.
Pas shpalljes së pavarësisë, Qeveria serbe i ka kërkuar komunitetit serb në Kosovë që të dalë nga të gjitha institucionet e Kosovës, ndërkohë që ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, ka propozuar një marrëveshje për ndarjen e Kosovës në vija etnike.
UNMIK-u nuk beson se ky propozim do të diskutohet mes Zyrës së OKB-së në Beograd dhe Qeverisë serbe, meqë, sipas zyrtarëve të këtij misioni, bisedimet janë kërkuar që të mbahen nga Zyra e OKB-së.
