Senatorja Klinton fitoi me shumicë dërmuese votash në zgjedhjet paraprake në Virxhinian Perëndimore
Kandidatja demokrate për president, Hillari Klinton, u zotua përsëri të vazhdojë betejën për të siguruar emërimin e partisë së saj për në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.
Senatorja Klinton e bëri këtë zotim mbrëmë pas një fitoreje me shumicë dërmuese votash, megjithatë simbolike, ndaj rivalit të saj, Barak Obama, në shtetin amerikan të Virxhinias Perëndimore. Zonja Klinton u tha një grumbulli përkrahësisht në kryeqytetin e shtetit, Çarllston, se ajo është më e vendosur se kurrë më parë për të vazhduar fushatën në zgjedhjet e mbetura paraprake në 5 shtete amerikane.
Ekspertët thonë se edhe me këtë fitore vendimtare në Virxhinian Perëndimore, senatorja Klinton nuk do të ndikojë tek vrulli, që ka marrë senatori Obama për të siguruar emërimin e Partisë Demokrate. Por fushata e zonjës Klinton shpreson që fitorja e djeshme do të bondë superdelegatët se ajo është kandidatja më e mirë.
Superdelegatët janë zyrtarë partiakë dhe zyrtarë të zgjedhur, të cilët janë të lirë të votojnë për secilin nga kandidatët në kuvendin e partisë në muajin gusht. Mbështetja e tyre është vendimtare sepse asnjëri prej dy kandidatëve nuk pritet të fitojë emërimin e partisë pa mbështetjen e superdelegatëve
