Faqja e Pare | Bota | Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç,doli përpara Gjykatës së Hagës

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç,doli përpara Gjykatës së Hagës

image

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç, nuk pranoi të shprehte mendim për fajësinë apo pafajësinë ndaj akuzave për genocid, të ngritura për rolin e tij në luftrat në ish Jugosllavi në vitet 90-të.

Karaxhiçi doli sot para Gjykatës së Hagës dhe hodhi poshtë ofertën për t'u mbrojtur nga një avokat i caktuar nga Haga, madje i tha trupit gjykues se ai do të vetëmbrohet.


Krye-gjykatësi lexoi të 11 akuzat e ngritura kundër Karaxhiç për genocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, për rolin e tij në mizoritë kundër jo-serbëve gjatë luftës së periudhës 1992-1993 në Bosnje Hercegovinë. 63 vjeçarit Karaxhiç iu dhanë 30 ditë për të vendosur nëse e pranon apo jo fajësinë. Nëse shpallet fajtor, ai do të dënohet me burgim të përjetshëm.

         Karaxhiçi arriti në Hagë dje, 9 ditë pas arrestimit nga policia serbe në Beograd. Ai kaloi pjesën më të madhe të 12 vjetëve të fundit si një prej më të kërkuarve të botës. Autoritetet thanë se ai e kaloi një pjesë të kësaj kohe në Beograd, pasi ndryshoi ndjeshëm pamjen e tij, duke rritur mjekrën dhe flokët e bardhë. Në seancën e sotme në Gjykatën e Hagës ai dukej shumë mirë, me mjekër të ruar dhe flokë të prera e i veshur me kostum. Ai praktikonte mjekësi alternative në një klinikë kur u arrestua.