Faqja e Pare | Bota | Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç mbrriti në Hagë

Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç mbrriti në Hagë

image

Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç mbrriti në Gjykatën e Krimeve të Luftës në Hagë ku do të gjykohet për gjenocid dhe krime të tjera lufte.

Zyrtarët thanë se Karaxhiçi u mor sot para agimit nga një gjykatë në kryeqytetin e Serbisë Beograd, ku ai hipi në aeroplan dhe u nis për në Hollandë.

Radovan Karaxhiç ishte ndër personat më të kërkuar në botë para se të arrestohej javën e kaluar në Beograd pas 12 vjetësh në arrati. Gjykata e Hagës e ka akuzuar atë për gjenocid lidhur me masakrën më 1995 të 8 mijë burrave dhe djemve në qytetin serb të Srebrenicës.

Dje, ultranacionalistët serbë u përleshën me policinë gjatë një manifestimi në Beograd për të protestuar kundër arrestimit të Karaxhiçit. Të paktën 44 veta u plagosën, përfshirë 25 policë dhe një gazetar.

Dëshmitarët thanë se qindra të rinj u shkëputën nga manifestimi kryesor dhe filluan të qëllonin me gurë policinë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome.

Policia tha se rreth 15 mijë veta morën pjesë në manifestim. Organizatorët kishin shpresuar për pjesëmarrjen e 100 mijë vetëve.

Disa prej pjesëmarrësve e quajtën Karaxhiçin hero, që u shpëtoi jetën serbëve gjatë luftrave në ish Jugosllavi në vitet 90-të.