Faqja e Pare | Analiza | Eduard Zaloshnja | Indeksimi i pagave, një leukoplast

Indeksimi i pagave, një leukoplast

Kishte ditë që opozita po ushtronte trysni ndaj qeverisë që të indeksonte pagat dhe pensionet, në mënyrë që ato të reflektonin rritjen e çmimeve ushqimore, sidomos të bukës. Dhe në përgjigje të kësaj trysnie, Kryeministri Berisha deklaroi gjatë një interpelance urgjente në Kuvend se, “qeveria nuk i ka në dorë faktorët e rritjes së çmimeve të drithërave në tregun ndërkombëtar, por ka në dorë t’i përgjigjet kësaj rritje përmes një mekanizmi të njohur si më efiçenti, që është indeksimi i rrogave dhe pensioneve”. Me këtë politikë që deklaroi, Kryeministri mund t’i ketë hequr opozitës avantazhin që i jepte në opinionin publik “qarja e hallit ...të fukarait”, por a është vërtet ai ilaçi më efiçent për të luftuar inflacionin? Eksperienca e vendeve që kanë vuajtur nga spiralja e inflacionit tregon se indeksimi i rrogave dhe pensioneve kur çmimet rriten ndjeshëm është thjesht një leukoplast që lehtëson përkohësisht dhimbjen e plagës së inflacionit, por nuk shëron vetë plagën. Sepse rritja e rrogave dhe pensioneve, kur produktiviteti nuk rritet, veçse rrit sasinë e parave në xhepat e qytetarëve - pra, paratë në qarkullim - ndërkohë që nuk rrit sasinë e mallrave që ofrohen në treg. Dhe kur paratë në qarkullim rriten, rritet kërkesa për mallra. Por meqenëse oferta për to nuk rritet, siç çdo tekst fillestar i ekonomisë na mëson, janë çmimet ato që rriten. Pra, inflacioni ngjitet një rreth më lart në spiralen e tij, e kështu me radhë.
Duke u kthyer te vendet që kanë vuajtur nga spiralja e inflacionit, eksperienca e tyre na tregon se ato ia kanë dalë mbanë të heqin dorë nga përdorimi i herëpashershëm i leukoplastit, vetëm kur kanë vendosur të përdorin ilaçin e hidhur të ndryshimeve afatgjata. Kuptohet që ilaçi ka qenë i dhimbshëm dhe ka dashur kohë të japë efekt, por ama ka luftuar rrënjët e infeksionit, jo simptomat e tij. Kështu, kur inflacioni në SHBA arriti në nivelin e paparë 14.6% në fillim të vitit 1980, banka qendrore amerikane ngriti përqindjet e interesit, për të pakësuar kështu paranë në qarkullim. Fillimisht, kjo politikë monetare u kundërshtua nga Presidenti Karter, por u mbështet më vonë nga Presidenti Regan. Si rrjedhim, përqindja e interesit të kredive të bankës qendrore arriti rekordin 20% dhe vendi kaloi dy vite të vështira tkurrje ekonomike. Por që atëherë, SHBA nuk ka njohur inflacion më të lartë se 3.5% në vit. Dhe shembuj të ngjashëm mund të sillen nga Amerika Latine e viteve ’80, Italia e Izraeli i viteve ’70 etj.
Po në Shqipëri ç’mund të jetë ilaçi? Antibiotiku që këshillohet gjithnjë në rastet e sëmundjes së inflacionit është rritja e interesave të kredive nga banka qendrore. Dhe, në fakt, Banka e Shqipërisë po mundohet ta frenojë inflacionin duke ndikuar në rritjen e interesit të kredive - pra, duke tkurrur sasinë e lekëve në qarkullim. Por politika e indeksimit të rrogave dhe pensioneve që Berisha deklaroi në Kuvend punon në drejtim të kundërt - ato i shtojnë lekët në qarkullim.
Ç’do ishte një politikë më racionale e qeverisë? Në themel të rritjes së çmimeve të mallrave ushqimore ka faktorë që do duan kohë të adresohen, por ka edhe faktorë që duhen adresuar urgjentisht. Ndër faktorët afatgjatë, përfshihen ndryshimet klimaterike, të cilat kanë shkaktuar ulje të prodhimit të drithërave, qumështit, frutave e zarzavateve, si dhe reforma e çalë në bujqësi. Ndërsa ndër faktorët afatshkurtër, më i rëndësishmi është mbizotërimi i karteleve në ekonominë shqiptare, të cilat me pretekstin e rritjes së çmimeve në tregjet botërore, i rrisin çmimet në vend tej përqindjes së rritjes së kostos reale.
Kështu, karteli i bukës - i quajtur zyrtarisht “Shoqata e Prodhuesve të Bukës” - vendosi ta rrisë çmimin e një buke masive me 200 lekë. Dhe këtë vendim përfaqësuesi i tij e bëri të ditur në publik pa iu dredhur qerpiku!!! Në të njëjtën mënyrë, përfaqësuesi i kartelit të miellit deklaroi publikisht se fabrikat vendase dhe importuesit kanë vendosur ta rrisin më tej çmimin e miellit. Ndërsa përfaqësuesi i kartelit të karburanteve na bëri me dije se shoqata që ai përfaqëson nuk e shihte me vend të ulte çmimin e benzinës dhe naftës. Për të mos folur pastaj për kartelet e heshtura të tregtarëve me shumicë të frutave e zarzavateve etj., etj.
Në themel të ekonomisë së tregut qëndron konkurrenca e lirë.  Është pikërisht ajo motori kryesor që e bën këtë sistem ekonomik më eficentin që ka njohur historia botërore. Dhe ishte pikërisht kjo arsyeja që bëri senatorin amerikan Xhon Sherman të propozonte në vitin 1890 ligjin për konkurrencën e lirë në SHBA. Sipas këtij ligji, marrëveshjet private ose publike midis prodhuesve të një malli ose ofruesve të një shërbimi, me synim përcaktimin e çmimeve të tyre, përbëjnë vepra PENALE, të dënueshme me gjobë dhe/ose burgim. Dhe shumë biznesmenë amerikanë e kanë provuar mbi kurrizin e tyre forcën e këtij ligji në 118 vjetët që kanë kaluar prej firmosjes së tij nga Presidenti Harrison.
Po biznesmenët e karteleve të shpallura e të pashpallura shqiptare a do e pësojnë ndonjë ditë si kolegët e tyre amerikanë?  Në qoftë se ajo ditë vjen, Bankës së Shqipërisë ndoshta nuk do i duhet t’i ngrejë më tej interesat e kredive....