Faqja e Pare | Analiza | Andrea Stefani | Amendamentet qe aftesojne autoritarizmin

Amendamentet qe aftesojne autoritarizmin

Përse deputetët e partisë më të madhe të opozitës dhe lideri i saj, Edi Rama, pranuan të votojnë disa amendamente të Kushtetutës të ndërkallura në paketën e reformës zgjedhore befasisht nga Kryeministri Berisha? Përse deputetët e PS pranuan (në fakt u komanduan) të bashkojnë votat me shumicën qeverisëse për disa amendamente që nuk kishin të bënin fare me reformën zgjedhore, duke u ndarë nga aleatët e tyre të deriatbotshëm dhe duke shkaktuar një çarje shumë të rrezikshme për opozitën? Cila është arsyeja, parimi, nevoja që e detyroi liderin e opozitës të pranojë ndryshimin e Kushtetutës me një kosto të dyfishtë, fuqizimin e Kryeministrit Berisha nga njëra anë dhe përçarjen e opozitës në anën tjetër? Hipotezat rreth këtij absurditeti politik bëhen edhe më të larmishme edhe për arsyen se vetë Edi Rama dhe liderët socialistë nuk kanë arritur të formulojnë as edhe një argument të vetëm që të arsyetojë parimisht këtë lëvizje të papritur tronditëse, që e ka flakur përsëri Shqipërinë në një udhëkryq të ri politik. Sepse nëse këto amendamente që i japin pushtet shumë të madh Kryeministrit mbi Kuvendin, mbi deputetët dhe i mundësojnë të zgjedhë President republike një nga beniaminët e tij, pra nëse këto amendamente do të qëndrojnë, Shqipëria e ka të sigurt vrapin jo drejt Evropës, por drejt një sistemi autoritarit, ku pushtetet janë të uzurpuara dhe komanduara nga një njeri i vetëm, Kryeministri. E kundërta, demokracia liberale e institucioneve të pavarura, e gjyqësorit të pavarur, medias së lirë dhe të pavarur, demokracia me liri, do të jetë e mundur për Shqipërinë vetëm nëse këto amendamente, të bëra me ngut dhe pa transparencë, do të mund të abrogohen nëpërmjet një referendumi popullor. Këto janë alternativat që ofron udhëkryqi i politikës sot. Dhe rikthimi i kursit vendosmërisht drejt demokracisë liberale, duke i mundësuar popullit të ushtrojë të drejtën e tij për referendum, është edhe qëllimi i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, të krijuar këto ditë si një bashkim qytetar dhe pluralist anëtarësh të shoqërisë civile, gazetarësh, partish dhe politikanësh.


***

Është gati e pabesueshme, por vështirë e kundërshtueshme se autoritaristi Berisha mundi të mposhtë lidershipin e partisë më të madhe të opozitës në momentin e dobësisë së tij më të madhe. Me ndryshimet e befta të Kushtetutës, Berisha mundi të koncentrojë në duart e veta atë pushtet absolut që populli ia mohoi në referendumet e vitit 1994 dhe 1998. Në këtë kuptim, këto amendamente janë një dhunim në katror të vullnetit të sovranit. Tragjikomedia qëndron në faktin se atë që nuk e arriti dot me përpjekje e fushata mbinjerëzore, Berisha e arriti me disa amendamente të nxjerra befas si një "AS" nga mënga, gjatë bisedimeve në një tryezë për reformën zgjedhore. Politika është pokerizuar dhe Kushtetuta është katandisur në një letër pokeri. As momenti politik i dobësisë së Berishës pas katastrofës së Gërdecit që po e nxjerr mjaft të diskredituar, as axhenda politike që fokusohej te reforma zgjedhore dhe jo te Presidenti apo mocionet për qeverinë dhe Kryeministrin, nuk e justifikojnë pranimin nga PS të këtyre amendimeve. E megjithatë ajo i pranoi. Përse? Shkaqet (në mungesë të shpjegimeve nga PS) janë ende të hamendësuara, por sigurisht nuk mund të jenë politike. Ato mund të jenë rezultat i një shantazhi, i lloj-lloj pazaresh, por jo i një nevoje politike të bazuar në një lojë të ndershme politike. Edhe në këtë rast, mjerisht, kulisat e politikës së vjetër triumfuan mbi "politikën e re" të propaganduar pa fund nga Rama, prapaskena mbi skenën e politikës. Nëse nuk është kështu, lidershipi socialist, Rama vetë, janë të lirë të shpjegohen dhe të mos e lënë veten të bien viktimë e atyre që ata i quajnë "paragjykime të politikës së vjetër". Ndërkaq, ndërsa akuzon kritikët e tij që deri dje i kish në krah, Rama nuk duhet të harrojë se etiketimi i atyre që të kritikojnë, nuk është tipar i një politike të re. Nuk ka vend për shumë fjalë dhe as për etiketime. Ka vend vetëm për shpjegime dhe argumente. Duhet të shpjegojnë nevojën politike parimore që i shtyu në pranimin e amendamenteve që i japin pushtet kryeministrit autoritarist Berisha, si dhe fakti i shëmtuar i aprovimit të tyre thuajse kusarisht, pa iu nënshtruar një diskutimi të gjerë. Duhet shpjeguar edhe sepse lidershipi i PS del kundër (duke u fshehur pas barrierave juridike) një referendumi për amendamentet që nëse vërtet beson se janë të drejta, nuk ka pse i trembet vullnetit popullor. Për të gjitha këto ka nga një "Pse" të madhe që vërtitet, në radhë të parë, në kokat e elektoratit të majtë socialist. Dhe këto "Pse"-ra nuk do t‘i ndahen Ramës këmba këmbës, sado që të bredhë nëpër Shqipëri.


***

Ndryshimi i Kushtetutës mund të thuash se është një nga atentatet më të rënda politike të bëra gjatë këtyre 18 viteve tranzicion. Ai dukshëm shpreh një lodhje të shoqërisë dhe politikës shqiptare (madje edhe të disa ndërkombëtarëve) nga pluralizmi konfliktual shqiptar. Ai është rrjedhojë edhe e kalbëzimit që ka sjellë në botën e politikës shqiptare korrupsioni. Dhe kryefajtori për konfliktualitetin e pafund, sikur është në pushtet ashtu edhe në opozitë, është politikani i përjetshëm Sali Berisha. Duket, të lodhur nga ky intrigant i palodhur që shantazhon me destabilitet, aktorë të lodhur të politikës shqiptare dhe ca "ndërkombëtarë" të bezdisur, kanë skicuar një të ardhme autoritariste për Shqipërinë. Por habia është se ky lëshim ndaj autoritarizmit bëhet në një kohë kur politika (kryesisht PS-PD) sikur kish nisur të paqtohej dhe "të bashkëpunonte për reformat", kur Shqipëria sapo kish "plotësuar standardet për në NATO", kur qeveria e dobësuar nga dështimet dhe skandalet po fliste për bashkëpunim me opozitën dhe kur opozita në fuqizim e sipër premtonte një politikë të re që kurrsesi nuk mund të pranohet të ketë për rezultat largimin nga demokracia liberale drejt autoritarizmit ose, e thënë më butë, drejt një demokracie jo liberale. Tensioni politik bie dhe autoritarizmi ngjitet?! Kjo papajtueshmëri logjike e asaj që thonë dhe bëjnë dy të mëdhenjtë e politikës në Shqipëri, mund të shpjegohet vetëm me pavërtetësinë e asaj që thonë dhe asaj që thonë se bëjnë. Ajo mund të shpjegohet vetëm me një maskaradë që ndërsa betohet për demokracinë liberale dhe Evropën, po i bën varrin demokracisë liberale. "Natyrisht" në të mirë të kombit, Atdheut, stabilitetit. Duket sikur të gjithë, edhe ndërkombëtarët që duhet të na nxisin për demokraci me liri, kanë harruar se fajtore për destabilitetin nuk është demokracia liberale, por mungesa e demokracisë liberale, mungesa e institucioneve dhe drejtësisë së pavarur. Duket sikur befas të gjithë dëshirojnë një Shqipëri autoritare, që do t‘i japë fund absurditetit konfliktual demokratik. Por këto, na kujtohet, janë pak a shumë idetë dhe pasionet e një politikani të quajtur Adolf Hitler. Të jenë të kësaj natyre pasionet që kanë shtyrë drejt ndryshimit të Kushtetutës në mënyrë aq arrogante, aq autoritariste, aq antiliberale sa të lë gati pa frymë? Tej enigmave, qartazi e gjithë ngjarja me amendamentet e Kushtetutës është një punë e pisët, nga e cila lirisë nuk mund t‘i vijë asgjë e mirë. Por liria është një emër i dytë për drejtësinë - thotë Burke. Atëherë si do luftohet korrupsioni (kjo plagë që USAID sapo e tregoi para pak ditësh me gisht) pa liri, domethënë, pa drejtësi? Gjithçka po ndodh, tregon se këta shqiptarë dhe joshqiptarë nuk kanë mësuar ende (ose bëjnë sikur nuk kuptojnë) që autoritarizmi, si formë e një pushteti absolut, sjell edhe një korrupsion më absolut. Tragjedia e pandëshkuar e Gërdecit është prova më elokuente dhe më e freskët për këtë. Ndërkaq dihet se të gjithë autoritaristët dhe diktatorët, në hapat e parë të sundimit dhe me qëllimin për të kapur pushtet absolut, e kanë nisur gjithnjë nga ndryshimi i Kushtetutës. Por incidenti i sapo ndodhur me Kushtetutën në Shqipëri të kujton në shumë aspekte, atë që bëri Hitleri sapo erdhi në pushtet, natyrisht, demokratikisht. Si një demon i sundimit, Fyreri e mati pulsin e lodhur të Gjermanisë në fjalët e Presidentit Hindenburg, që duke i dhënë bekimin qeverisë së Hitlerit, uroi që vendi "të çlirohej nga egoizmi dhe nga grindjet e partive për të na përqendruar në ndërgjegjen kombëtare për të bekuar një Gjermani... të bashkuar". Ndërkaq, harrohej se Gjermaninë e kishin lodhur me intrigat e tyre në radhë të parë politikanë si Hitleri me ambicie të pafund për pushtet e sundim. Dhe kish ardhur momenti që bisha e autoritarizmit ta shqyente prenë e lodhur, Republikën e Vajmarit. Vetëm dy ditë pas bekimit të qeverisë së tij, Kryeministri Hitler dërgoi në Kuvend Aktin e Aftësimit ligjor në thelb, një ligj që "për të lehtësuar fatkeqësinë e Rajhut dhe të popullit" i hiqte ndër të tjera Kuvendit, pushtetin legjislativ, iniciativën e shtojcave kushtetuese, për t‘ia dhënë qeverisë, domethënë, Kryeministrit. Me atë akt, autoritarizmi nazist u aftësua aq shumë, sa u shndërrua në një diktaturë totalitare nga më kriminalet në histori. Dhe nazistët nuk kishin shumicën në Kuvend, por arritën ta sigurojnë atë, duke hyrë në aleancë me ato parti që më pas i shfarosën. Vetëm socialdemokratët kundërshtuan. Por qenë shumë pak. Akti nazist i Aftësimit mori 441 vota në favor dhe vetëm 84 kundër. Shumica ishte dërrmuese dhe procedurat të ligjshme. Po sa të lira nga frika dhe terrori? Sepse askush nuk u mor me faktin që pas djegies së Rajshtagut, nazistët kishin shpërthyer një terror masiv mbi Gjermani, askush nuk u mor me faktin që shumë deputetë ishin arrestuar dhe ndaluar. Frika nuk është provë. Ajo është e padukshme. Kurse procedurat, edhe pse në palcë të tyre, kish depërtuar frika dhe tmerri, ishin të ligjshme. Mjerisht, këtë po thonë sot shumë ndërkombëtarë edhe për procedurat e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës në Shqipëri. Por se çfarë qëndron në palcë të tyre (shantazh dhe frikë nga shantazhi, pazare dhe korrupsion?) nuk po pyet kush. Mjafton që ato morën një shumicë dërrmuese në Kuvend. Ky qe një "argument" i mjaftë edhe për ambasadorin e BE në Tiranë, Helmuth Lohan. Me aktin e "Aftësimit", Adolf Hitleri i dha fund demokracisë në Gjermani. Në zgjedhjet që e sollën në pushtet ai kish marrë vetëm 44 për qind të votave. Kishte qartas në popull një shumicë kundër tij. Por populli gjerman nuk e pati të drejtën e një referendumi kundër "Aktit të Aftësimit", që ndoshta do të kish ndryshuar rrjedhën e historisë botërore. Le të shpresojmë se shqiptarëve do t‘u jepet e drejta që të zhvillojnë një referendum për të riadresuar rrjedhën e ardhmërisë së tyre drejt demokracisë. Qytetarëve shqiptarë, shoqërisë civile aktive, asaj pjese të politikës që është e dedikuar ndaj demokracisë liberale, i mbetet vetëm të luftojë që akti i një shumice të bashkuar dërrmuese që aftëson autoritarizmin, të mos bëhet dërrmues për demokracinë. Është e pafalshme që në dyert e Evropës demokratike, të ndodhë përsëri me shqiptarët, ajo që ndodhi dikur në gjermanët. Qoftë edhe në formën e një autoritarizmi "liberal".