Artikulli i "NYT", nje kocke e forte qe te mbetet ne fyt
Ndërsa Kryeministri shqiptar, Berisha, u rekomandoi parlamentarëve të opozitës ta përdorin një artikull të gazetës "New York Times" (NYT) si letër higjienike, Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin e SHBA do të hapë një seancë hetimi pikërisht për çështjet që ngrihen në atë artikull që Berisha rekomandoi, me një fjalor tipik gangsterësh, të përdoret për të fshirë prapanicën. Në fakt, artikulli i "NYT" nëpërmjet një investigimi për tregtimin e municioneve të vjetruara në Afganistan, ngrinte edhe disa dyshime për përfshirjen në një aferë të pistë armësh të Kryeministrit shqiptar dhe djalit të tij. Ishin këto dyshime të shprehura në artikullin e "NYT" që në mënyrë të vetëkuptueshme, e përligjin humbjen e kontrollit nga Berisha deri në atë shkallë, sa të akuzojë edhe gazetarët e "New York Times", për bashkëpunim në një komplot mafioz kundër tij dhe kundër hyrjes së Shqipërisë në NATO. Këto akuza, që të ndërtuara sipas modelit bolshevik të ish-partisë komuniste që sundoi përmbi 40 vjet Shqipërinë, që kërkojnë të gjejnë pas kritikave dhe investigimeve të gazetarëve vendas dhe të huaj armikun e partisë, të kombit dhe të "liderit të kombit" mund të çudisin shumë njerëz në botë, por jo qytetarin e zakonshëm shqiptar. Aq më tepër kur bëhet fjalë për politikanin Sali Berisha. Sepse vetëm pak ditë më parë, i njëjti Kryeministër, akuzoi me tërbim gazetarët shqiptarë si kanibalë që hidhnin valle mbi viktimat e Gërdecit, i tërbuar dhe tmerruar nga fakti që ishte pikërisht media shqiptare, ajo që po i zbulonte petët lakorit të gatuar në Gërdec me papërgjegjshmërinë dhe korrupsionin e qeverisë "Berisha" dhe të atij vetë.
Zemërimi epiko-primitiv i Berishës kundër gazetarëve shqiptarë, shpërtheu, pasi mediat zbuluan me fakte tronditëse se në fabrikën misterioze të Gërdecit, krejt në kundërshtim me ato që sapo kish pohuar Kryeministri, ishte shfrytëzuar në mënyrën më barbare puna e fëmijëve duke vënë në rrezik serioz edhe jetët e tyre. Mllefi i sotëm i Berishës kundër medias është mllefi i atij që gënjen përballë së vërtetës që e demaskon. Sa kohë që media nuk ia zbulon punët e pista Berisha e mburr, e ushqen, e korrupton betohet për respektin që ka për gazetarët, por në momentin që media e heton dhe zbulon para syve të publikut punët e ndyra të kabinetit të tij, ai nis ta terrorizojë, shan dhe fyen gazetarët, i akuzon për "hanxharë" dhe agjentë të mafies apo shërbimeve sekrete armike, nis skuadronet e taksidarëve pranë redaksive (sapo ka nisur një kryqëzatë të tillë kundër gazetës SOT që po shfaqet mjaft kritike ndaj tij) dhe, po t‘ia lejonte koniunktura, nuk do të ngurronte të plaste brenda si dikur ca gazetarë apo t‘i vinte pishën ndonjë redaksie. Ndërkaq, shumica e medias shqiptare, përjashtuar ato shërbëtore të pushtetit, duken të vendosura të thellohen edhe më në investigimet e tyre për aferën e pisët të tregtimit dhe trafikimit të municioneve. Dhe koha do provojë se artikulli i "NYT" nuk është letër higjienike për të ndenjurat e të korruptuarve, por një kockë e fortë që do t‘u ngecë atyre në fyt.
***
Në artikullin e investiguar nga një grup gazetarësh profesionistë të një prej gazetave më profesioniste në botë, hidhen dyshime për papërgjegjshmëri dhe shkelje të ligjeve jo vetëm nga segmente të qeverisë shqiptare, por edhe për segmente në qeverinë e SHBA dhe konkretisht të Pentagonit. Ky është dhe shkaku që kongresi amerikan, (i cili nuk e trajton artikullin e "NYT" si letër higjienike) do të organizojë shumë shpejt një seancë dëgjimi, ku do të deponojë edhe i famshmi Efraim Diveroli, partneri 22-vjeçar i Ministrisë Shqiptare të Mbrojtjes në një tregti gjigante municionesh me shumë anë të dyshimta. Ato përfshijnë që nga ripaketimi për të maskuar municione të vjetruara kineze, dhe deri te dyfishimi fiktiv i çmimit të shitjes së këtyre municioneve në kurriz të taksapaguesve amerikanë dhe në dobi të ryshfeteve milionëshe të ndarë mes njerëzve të korruptuar në qeveri. Tërbimi i Berishës lidhet pikërisht me faktin se në artikullin e "NYT", ekspozohen edhe pjesë nga një bisedë e përgjuar mes dy aktorëve në këtë aferë, përgjim që nxjerr të përfshirë jo vetëm ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, por edhe të birin e Kryeministrit, madje edhe Kryeministrin vetë.
I tmerruar nga ora e së vërtetës që po afronte, Kryeministri Berisha nxitoi ta ekspozonte si një episod thuajse banal atë që dy ditë më pas, do të shfaqej në "NYT" si një dyshim mjaft serioz për përfshirje së të parit të ekzekutivit shqiptar dhe familjes së tij, në një aferë tejet korruptive. Krahas kërcënimeve nga foltoret e shumta ku shfaqet çdo ditë, Berisha ka mobilizuar gjithë aparatin e pushtetit dhe të propagandës së tij, për ta devijuar rrjedhën e debatit, dhe mundësisht edhe të hetimeve, te "grupi armiqësor në ushtri". Por në artikullin e "NYT" citohet Deviroli të ankohet për biznesin e municioneve me Shqipërinë ku gjërat kanë shkuar deri "te Kryeministri dhe djali i tij" dhe se për këtë shkak Deviroli nuk mund të përballet dot me "këtë mafia që është bërë shumë e madhe". Dhe mos vallë është pikërisht kjo mafia e cila, po kujdeset që jashtë hetimit dhe debatit publik të mbeten pikërisht ato anë të errëta të kësaj afere po aq të errët që po të ndriçoheshin, mund të inkriminonin rëndë Berishën dhe të birin? Nëse Shkëlzen Berisha mohon të ketë qenë i përzier në aferën e pisët, përse prokuroria nuk i tregon publikut se kush qe personi i tretë misterioz në takimin mes Diverolit, Pinarit, Delijorgjit dhe një instruktori të NATO-s të quajtur Aleks Butristi? Sipas Trebickës (biznesmenit që denoncoi i pari skandalin) dhe që citon Devirolin, personi misterioz rreth të 30-tave, prezent në "takimin mafioz" dhe që u paraqit si një nga shefat e Pinarit, ishte Shkëlzen Berisha. Por nëse kjo nuk është e vërtetë kush është ky person? Është punë e prokurorisë ta gjejë.
Janë katër njerëz që mund të dëshmojnë se kush është ky person: Pinari, Delijorgji, Aleks Butristi dhe së fundi Diveroli që ndodhet matanë oqeanit, në SHBA. Mund t‘u tregohet fare lehtë një foto e Shkëlzenit apo e kujtdo që dyshohet të ketë qenë ky person. Dhe po nuk e njohu Pinari mund ta njohë Delijorgji dhe nëse jo asnjeri prej të dyve, mund ta njohë instruktori i NATO-s. Pohimet apo mohimet e tyre mund të ballafaqohen përtej oqeanit edhe me Diverolin. Dhe do jetë e vështirë që ata të harmonizojnë qëndrimet nëse mbi ta, të ndarë ashtu siç janë, vepron dilema e të burgosurit pavarësisht se një pjesë janë të lirë. A po heton prokuroria në këtë pistë apo është mjaftuar me deklarimet mohuese të Shkëlzen Berishës, si dhe "bindjen" e Trebickës se Shkëlzeni, nuk është i përfshirë në këtë aferë? Nëse është vërtet kështu, atëherë sjellja e prokurorisë nuk do i shërbente zbardhjes së të vërtetës. Dhe në një skandal si ky, vetëm e vërteta bën punë. Publiku do të dijë me prova dhe fakte se Kryeministri dhe i biri nuk kanë gisht në këtë korrupsion mafioz.
Prandaj hetimi ose duhet të nxjerrë të larë djalin e Kryeministrit ose bashkëpunëtor në një nga trafiqet më kriminale të vërtetuara ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar. Por sa kohë që kjo gjë nuk është sqaruar, çdo shqiptar ka të drejtë të dyshojë që tashmë shteti qeveriset jo nga duart e pastra të premtuara nga Berisha, por nga duart e pista të mafies, se Berisha nuk është Kryeministri i shtetit, por Padrinoja i trafikut të armëve. Dhe cili shqiptar, përveç përfituesve dhe fanatikëve pa tru, do të pranonte të linte jetën dhe fatin e tij, familjes dhe fëmijëve në duart e përgjakura të mafies? Tashmë shpresojmë se Gërdeci u ka mësuar shqiptarëve se çfarë tragjedish përgatit një mafie. Fjalët, betimet për ndershmëri, skërmitjet apo buzëqeshjet e Berishës nuk mjaftojnë. Ndërkaq, deklarimet e përditshme po të Berishës mbi skandalin, shfaqen si një presion i tërthortë i tij mbi punën e organeve të hetimit. Është e vështirë që prokuroria të bëjë punën e saj në një mjedis social dhe mediatik të dominuar nga sokëllimat e përditshme dhe tmerronjëse të Kryeministrit për pafajësinë e tij dhe për një gjoja komplot (na kujton prapë Enverin) që armiqtë e kombit kanë organizuar kundër tij.
Dyshime ngjall edhe investimi i tij dyvjeçar për të emëruar një tjetër kryeprokuror. Mos vallë përveçse si një armë për të terrorizuar e shantazhuar kundërshtarët politikë, i duhej një prokurori e kontrolluar prej tij që të mund të fshihte të vërtetën në një kohë si kjo pas tragjedisë së Gërdecit? Dyshime ngjallin edhe deklaratat e Berishës se kryeprokuroria nuk është e kapur. Sepse Berisha ka mburrur gjithnjë vetëm ata persona dhe ato institucione që i ka pasur nën kontroll dhe i kanë shërbyer. Prandaj dorëheqja e Berishës nga posti i Kryeministrit që kontrollon gjithçka dhe që dyshohet se kontrollon edhe prokurorinë, është domosdoshmëri që t‘i hapet rrugë të vërtetës. Të një të vërtete që duket se i qëndron pushtetit të Berishës si një kockë në fyt edhe pas një "letre higjienike" të botuar në faqet e "NYT".
