Faqja e Pare | Analiza | Rexhep Meidani | Per hallet e qytetareve kjo eshte thjesht zhurme

Per hallet e qytetareve kjo eshte thjesht zhurme

image

Këto ditët e fundit në të gjitha kanalet televizive ka buçitur e vazhdon të buçasë çështja e reformës apo, më saktë, e sistemit zgjedhor, që duhet të zbatohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Shfaqen ide nga më të ndryshmet, diskutohen variante maksimaliste e minimaliste, “argumentohen” prirje e interesa individuale apo kolektive, bëhen kërcënime apo vendosen ultimatume etj. Gjithkush i angazhuar në politikë, në parti të mëdha dhe të vogla, pretendon se e ka ai monopolin e “thembrës së Akilit”, jo aq sa për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, sesa për të siguruar një “status quo” apo një epërsi të re pas zgjedhjeve të ardhshme. Dhe nuk ka sesi të jetë ndryshe, kur gjithsecili, që flet për sistemin konkret zgjedhor, nuk prek as dhe një sekondë të vetme çështjen tepër problematike: atë të administrimit të vetë procesit zgjedhor. Kjo edhe pse faktet e deritanishme kanë dëshmuar se më tepër se lloji konkret i sistemit elektoral problemi ynë zgjedhor ka qenë, mbi të gjitha, administrimi i ndershëm i votës (listat e votuesve, dokumentet e votimit, votimi i lirë dhe i fshehtë, shmangia e falsifikimit në votim apo numërimi e regjistrimi korrekt i votës etj.). Kujtoni vetëm divergjencat numerike apo ndryshimin e përmbajtjes së kutive me rezultatet zyrtare të zgjedhjeve, për vitin 2005, për të mos vazhduar më tej me shembuj që kulmin e tyre e kanë në zgjedhjet e majit të vitit 1996!  
Dhe ndërkohë ky administrim jo vetëm që nuk ka qenë kushtetues-institucional, por, për më tepër, krejtësisht politik, madje nën komandën (pra, dhe manipulimin) e vetë partive politike dhe të strukturave të tyre, në qendër dhe bazë. Prandaj dhe nuk mund të mos bëjë përshtypje se, ndërsa bëhet debat e sherr, me akuza të ndërsjella, për sistemin zgjedhor, nuk thuhet asnjë fjalë e vetme për administrimin e procesit zgjedhor, për deformimin jo kushtetues të thelbit të tij. Aq më keq, që vitet e fundit, ndryshe nga fryma dhe koncepti i pasqyruar në nenin 154 të Kushtetutës, ky administrim tek ne është pranuar zyrtarisht si tërësisht partiak, madje është lënë në dorë të militantëve, më të “fortëve” të partive politike. Si i tillë, ai mbetet dhe fare primitiv, madje nuk ndeshet më në asnjë vend të Evropës apo të botës demokratike, përfshirë dhe mjaft vende të Afrikës, ku është hedhur tutje si jodemokratik e spekulativ...

* * *
Por, a është ky debat një “fryt”, një shkak e pasojë e interesave dhe shqetësimeve të qytetarëve? A nuk po shpenzohet mjaft “kohë politike” dhe “energji publike”, ndërkohë që mund të punohej më në qetësi, nëpërmjet specialistëve vendas dhe të huaj, në bazë të argumenteve e kundërargumenteve, në përputhje dhe me emancipimin tonë social-politik? Madje, pse jo, politika të mos i trembej as dhe ndonjë referendumi përzgjedhës...
Sidoqoftë, pavarësisht që përzgjedhja e një sistemi zgjedhor, sa më adekuat në kushtet shqiptare, është sa delikate po aq dhe e rëndësishme për fatet e demokracisë sonë, në mjaft aspekte nuk duket që pyetjet e mësipërme mund të marrin ndonjë përgjigje pozitive nga qytetarët e thjeshtë. Bile, përkundrazi! Dhe jo pa të drejtë.
Hallet e sotme të shqiptarëve janë krejt të tjera. Probleme të punësimit dhe vështirësi të ndryshme në kryerjen e shërbimeve në kohë e cilësi, shoqëruar me një korrupsion gjithnjë e më evident politik-administrativ, çmimet e rritura në mënyrë astronomike muajt e fundit dhe mosindeksimi i tyre në kohë, rritjet e fundit të pagesës familjare dhe të biznesit për energjinë elektrike (që normalisht duhet të provokojë një “reaksion zinxhir” në çmimet e të gjithë mallrave e shërbimeve të tjera) dhe probleme të ngjashme me këto, përbëjnë shqetësimet e vërteta, hallet, lodhjet apo mërzitjet, deri depresive, të qytetarëve. Madje, mbijetesa për mjaft familje po kthehet në makthin e ditës!...

* * *
Atëherë ku janë prononcimet, pozicionimet dhe ndërhyrjet e politikanëve kryesorë mbi këto halle e shqetësime reale qytetare? Gati-gati mund të thuhet asgjëkund! Me përjashtim të disa zërave të rrallë opozitarë, në shumicën e rasteve, kjo situatë e rënduar ekonomike kalon me një eufori të pakuptueshme qeveritare, nga njëra anë, dhe pothuajse pa zhurmë, pa kritika serioze, deri dhe me ndonjë vërejtje thjesht kalimtare opozitare, nga ana tjetër. Sidomos kjo lloj fryme, e shitur si një lloj “moderacioni”, është karakteristikë e shumicës së politikanëve të koalicionit qeverisës apo dhe të atyre që pretendojnë sjellje “perëndimore” në gjirin e pozitës. Kur realisht as vetë Perëndimi, duke aktivizuar mekanizmat e tij demokratikë të kontrollit e balancimit, nuk e pranon aspak atë lloj sjelljeje politike qeverisëse që abuzon me interesat jetike të qytetarëve!...
    Por, ndërkohë të dy llojet politike, në Shqipëri, gati të nxjerrin sytë për sistemin konkret zgjedhor! Aq sa harrojnë se kështu veçse largohen akoma më shumë nga votuesi – konsumator, i cili, pikërisht në pozicionin e konsumatorit, nuk ka dhe nuk mund të ketë ngjyrim partiak. Harrojnë po ashtu se kështu fillojnë dhe të ndiqen gjithnjë e më pak prej këtij qytetari-konsumator, qoftë dhe kur debate të tilla zgjedhore bëhen mjaft të “zjarrta” e zhurmëmëdha! Le të zhvillohen debate politike-publike për hallet e ditës, për shqetësimet aktuale të qytetarëve dhe do të shihet ndryshimi i madh në ndjekje e interesim, madje dhe i pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë apo të tërthortë të tyre. Këtë kuptim ka dhe relativiteti i “publicistikës” politike apo i zgjidhjeve të ofruara prej saj...
* * *
Për ta ilustruar idenë, më shumë për ta çtensionuar sado pak lexuesin, sesa për t’i dhënë ndonjë “rekomandim” politikës apo medias, që shfaqet kaq e uritur ndaj “sistemit zgjedhor” të politikës, po japim dhe një përgjigje plot humor të Ajnshtajnit kur u pyet të shpjegonte teorinë e tij: “Vendosni për një minutë dorën mbi pllakën e nxehtë të një sobe dhe kjo kohë do t’iu duket si një orë. Bisedoni një orë me një vajzë të mrekullueshme dhe kjo kohë do t’iu duket si një minutë. Ky është relativiteti!”...