Faqja e Pare | Analiza | Rexhep Meidani | Kunder harreses

Kunder harreses

image

Ngjarja e Gërdecit, një nga ngjarjet më të hidhura të tranzicionit shqiptar, në sajë të përfshirjes së disa institucioneve të larta të shtetit apo mosveprimit të disa strukturave të tjera, ka filluar, ditët e fundit, të zhvendoset jo pak nga vëmendja e politikës. Të krijohet përshtypja se, nga njëra palë, me çdo mënyrë e mjet po synohet të realizohet ky objektiv shpërqendrimi, deri "harrese", nëpërmjet iniciativave të ndryshme zhurmuese, kurse, nga pala tjetër, me dashje ose pa dashje po pranohet kjo lloj "teknologjie", sa e vjetër, po aq dhe e re në mjedisin politik shqiptar.

Pas vlerësimeve të tepruara (deri krahasuar me shpalljen e Pavarësisë!) dhe "festimeve" të zgjatura e "konkurruese", pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, nga mendje të stërvitura në "diabolizmin" e tyre filluan të projektohen iniciativa apo "zhurma" të tjera. Nuk është e rastit që në mjaft mendje të analizës politike ka filluar të induktohet ideja se, me gjithë kamuflimin e mundimshëm, problemi kryesor i përgjegjësve ligjorë ndaj ngjarjes në Gërdec është tërheqja e vëmendjes me çdo kusht, nëpërmjet "shashkave" të ndryshme, nga vetë kjo "bombë". E tillë është dhe ajo e ndryshimeve të papritura kushtetuese, përtej atyre të sistemit zgjedhor, ndërkohë që komisioni i ngritur prej kohësh në parlament, me mandat të shtuar disa herë radhazi, kishte vetëm një detyrë - përgatitjen e projektit për reformën zgjedhore. Pa mohuar këtu dhe faktin e përfitimit të ndonjë amendamenti shtesë në befasi!...


Pra, u hodhën në një "copë letër" disa ide ndryshimi për kushtetutën dhe ato nisën rrugën e miratimit, duke filluar nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve. Një histori që paturpësisht u realizua më parë, brenda një seance të përshpejtuar, edhe për nenin e KQZ-së (duke shtuar thjesht nga një anëtar në të dy krahët, pas shkeljes ligjore parlamentare)! Dhe natyrshëm, paralelisht me debatin politik, në këtë skemë nuk mund të mos përfshihej prej ditësh dhe media, struktura të ndryshme të shoqërisë civile apo personalitete të jurisprudencës shqiptare. Bile, duke e konsideruar si proces të rëndësishëm, si faqe kryesore në disa gazeta u bë ajo e ndryshimeve kushtetuese. Nuk vonuan për këtë problem dhe intervistat apo debatet televizive në rubrikat më të ndjekura të kanaleve kryesore.

Në këtë mënyrë Gërdeci, me dashje ose pa dashje, me qëllim apo pa qëllim filloi të lihej në harresë. Dhe kjo, ndërkohë që problematika e Gërdecit, si në pikëpamje të përgjegjësisë morale-politike, të përgjegjësisë së drejtpërdrejtë penale apo të shmangies së pasojave, pothuajse ka mbetur e njëjtë, me zgjidhje të zbehta si në planin e rimëkëmbjes së gjithanshme, ashtu dhe të daljes së fajësisë e dënimit konkret. Ajo është futur në ujëra të ngadalta, deri të ndenjura, që rrezikojnë të infektojnë dhe vetë procesin e investigim - penalizim - gjykimit.


Parë në këtë optikë, kjo zbehje, mefshtësi, deri harresë, pasqyron një dobësi të politikës në përgjithësi, dhe të asaj opozitare në veçanti. Akoma më keq nëse perceptimi i sotëm, ku një pjesë e pozitës mundohet të hedhë tullumbace harrese, kurse një pjesë e opozitës, me dashje ose pa dashje, ngatërrohet e harrohet në shumëngjyrësinë e tyre, do të rezultonte tërësisht i vërtetë...

***


Ka shumë mundësi që tullumbace të tjera, në trajtë iniciativash të "shkëlqyera", të na hidhen në eter dhe në ditët në vijim. Me problematika nga më të papriturat, me të njëjtin projekt politik- heqjen e vëmendjes, lënien në harresë të korrupsionit kriminal të Gërdecit!Po ashtu si dhe në raste të tjera, si ai i ndërtimit të centraleve bërthamore në kulmin e krizës energjetike. Dhe sot, vetëm pak muaj më vonë, në sajë të reformës së famshme shkencore (më saktë antireformës akademike) punonjësit shkencorë të (ish) Institutit të Fizikës Bërthamore (institucioni i vetëm kombëtar i specializuar në fushën bërthamore) nuk e dinë ku e kanë kokën, madje nuk kanë marrë as rrogën prej 3-4 muajve!...

Sado që media të jetë vigjilente dhe të mos i hajë "projekte" të tilla rifokusimi është politika, në të dy krahët, veçanërisht në atë opozitar, që duhet të luajë rolin kryesor për të mbajtur në qendër të vëmendjes hetimin dhe demaskimin e Gërdecit. Korrigjimi i qeverisjes në teori e praktikë, ndryshimi i saj në përmbajtje dhe formë, mënjanimi prej saj i individëve të korruptuar apo të paaftëve, mbetet dhe detyrimi politik-kushtetues i çdo opozite demokratike. Nga dobësia, shpërhapja e mungesa e saj, apo më keq, nga konvergjenca e gjithanshme e saj me pozitën, vetëm dëm i bëhet zhvillimit tërësor të shoqërisë e vendit, por dhe vetë qeverisjes, cilësisë e efektivitetit të saj. Vetëm me një qëndrim konstruktiv e të fortë opozitar, konsekuent e parimor, mund të eliminohen pasojat e Gërdecit, por dhe të shmangen Gërdece të tjera potenciale! Me "puthje" radhë humbasin të gjithë, pavarësisht se ndonjë "strateg" politik nëpërmjet "puthjeve të helmatisura" e sheh më të lehtë mbajtjen apo marrjen e pushtetit!..

Po këtij synimi, për të hequr vëmendjen nga krimi i Gërdecit, për ta harruar atë, i shërben dhe "lufta" e re, përplasja e përçarja në kampin opozitar. Kur mundësitë për të komunikuar dhe të adaptuar kompromise e sjellje bashkëpunuese janë tepër të mundshme. Frekuenca e daljeve kundërshtuese, akuzuese e emocionale brenda këtij kampi opozitar është bërë ditët e fundit aq e lartë saqë prekja e Gërdecit, hulumtimi, analiza e shkaqet e tij, përgjegjësit kryesorë (të rikapardisur si të paprekshëm në kolltukun e tyre), kanë kaluar në një rrafsh fare sekondar. E megjithatë krateri i Gërdecit flet shumë. Shkatërrimi rreth tij është po aq i freskët. Por dhe perspektiva e ardhmërisë së zonës, sidomos ajo e pasojave mjedisore mbetet e zymtë.


Parë në një optikë shumë më të gjerë, kjo ngjarje kriminale, që duhej të shërbente si një mësim i madh jo vetëm për qeverisjen e vendit, por dhe për të gjithë politikën shqiptare në tërësi, bile që duhet të realizonte një tronditje politike serioze (deri të përmasave të përmbysjes politike në Italinë e viteve 1990-të, nëpërmjet procesit të "duarve të pastra" të Di Pietros), po kalon pa lënë atë gjurmë ndryshimi të madh e ripërmasimi politik, që dhe normalisht duhej të pritej. Dhe për këtë mban përgjegjësi, në radhë të parë, partia më e madhe e koalicionit qeveritar dhe forumet e larta partiake e parlamentare të saj, pa përjashtuar dhe rolin e rëndësinë e partisë më të madhe në kampin opozitar. Sepse një gjë e tillë, në fund të fundit, lidhet ngushtë me vetë qeverisjen e sotme dhe të nesërme!..

***

Nuk mund të mbahet më në këmbë një qeverisje që "mbytet" nga korrupsioni, aq më keq kur dyshohet për papërgjegjshmëri apo implikim kriminal. Dhe as që mund të përfytyrohet, që duke akumuluar pushtet të pakufishëm, nga njëra anë, apo duke dashur, "luajtur" e abuzuar me pushtetin, nga ana tjetër, të shmanget përgjegjësia konkrete me pretendimin banal të padijes së plotë! Edhe nëse do të ishte i vërtetë varianti i fundit, përsëri një qeverisje e tillë, me këtë vetëdeklarim paaftësie e padije, nuk kishte pse të qëndronte në këmbë. Sidomos kur ajo po tenton të shkruajë, pa ditur të lexojë!

Për të ilustruar sadopak idenë e mësipërme, po shtojmë dhe dialogun e shkurtër të mëposhtëm:


Babai: Çfarë mësuat sot në shkollë?

I biri: Si të shkruajmë.

Babai: Por çfarë shkruat?

I biri: Nuk e di fare. Mësuesja nuk na ka mësuar ende që të lexojmë!