Faqja e Pare | Analiza | Pellumb Kulla | Refleksione mbi gjyqet farseske në prag të përmbysjes

Refleksione mbi gjyqet farseske në prag të përmbysjes

image

           Kohët e fundit, me ëndje, kam lexuar të botuar procesverbalet e gjyqit të famshëm të fajtorëve pa faj, të grupit të Kadri Hazbiut. Them pa faj ndaj atyre që i gjykonin, se sa për fajet e vërteta ata i kishin me okë dhe duheshin ndëshkuar, jo aqë që s’patën bërë atë për të cilin akuzoheshin, eliminimin e Enver Hoxhës, por për besnikërinë ndaj  këtij dhe krimet që rëndonin mbi ta, teksa zbatonin gjakësisht porositë e tij.

          Kërkoj ndjesë për acarin që nuk e fsheha dot në gjykimin e mësipërm dhe më lejoni të qortoj ata që e përbuzin leximin e këtyre materialeve arkivalë që botohen hera-herës në shtypin e vendit tonë. Ata materiale kanë veçantinë e të qënit tronditës dhe mjaft zbavitës, në të njëjtën kohë, gjë që shumë rrallë mund ta hasësh në histori. Është gabim të mendosh se këta episode, thjesht, i përkasin të kaluarës e le t’i lemë pa i kushtuar vëmendje! Mua më ngjan se ata janë në një mënyrë të lidhur me thelbin e së tashmes. Unë veçoj hera herës fragmente, mbaj shënime, u rikthehem karaktereve dhe zbavitem pa masë e i quaj farsat më të përkryera që ka prodhuar historia, pa ndërhyrjen e artistëve të zanatit.

          Përdora termin farsë, të huajtur nga sfera e teatrit, por aty ka një mish mash dramaticiteti, tragjizmi dhe komizmi, që e bën teatrin ta përfshijë tërë atë gjyq në skenën e vet.

         Një nga veçoritë më të dallueshme të letërsisë teatrale është që ajo të jep dialogun dhe ky edhe pa kurrëfarë nevoje të përshkrimeve, të mjafton të kuptosh se ku janë vendosur aktorët, nga janë kthyer ata,  ku shohin, për kë e thonë tekstin e mësuar përmendësh. Mbi të gjitha, nga ai tekst ne kuptojmë se çka ndodhur para se të hapet perdja.

       Tamam nga dëshmitë në këtë gjyq ne ndjejmë, në çfarë mase ka kërcitur druri, kush është rrahur e kush është mbytur nën tortura, cilat porosi janë sjellë, ç’premtime janë bërë dhe si janë denatyruar tani këto figura që deri dje kanë patur privilegjin e portreteve të tyre nëpër mure shkollash, sallash, sheshesh dhe janë tundur e shkundur në vargane parakalimesh. Kuptohet, teksti që thonë është i pagoditur, i pabesueshëm sa s’bëhet, por asnjë nuk çan kokën për këtë. Dhe ata që kërkojnë llogari dhe ata që japin dhe ata që lexojnë, dëgjojnë e shohin nëpërmjet filmimeve pa kualitet, e dinë si është e vërteta. Megjithatë të tërë duken si të angazhuar ta nxjerrin këtë të vërtetë nëpërmjet gjyqeve dhe rrëfimeve.

          Unë ve re se si rrëfehet gruaja e kryeministrit të vrarë, Fiqrete Shehu dhe e marr vesh menjëherë, se tekstin që i kanë vënë përpara, ajo e ka përvetësuar për bukuri. Gjatë gjithë deponimeve të saj ajo i është përmbajtur betimit për të thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën! Dua të them atë “të vërtetë”, që i kishin thënë të tregonte! Dhe e tha e gjora disa herë, shkoqur: “Ne me tim shoq, e bëmë në Paris planin që të helmonim shokun Enver”.  E të gjithë ne e përfytyrojmë se ajo lutej që ta besonin. E padyshim kushedi sa herë të tjera ka thënë me siguri të plotë: “Tim shoq e hante meraku se mos nuk arrinte dot misionin që kish marrë përsipër nga shërbimet e huaja sekrete. Mehmetit i dilte shpesh gjumi natën e më thosh: ah, moj Fiqrete, kur do vijë ai çast që të vras shokun Enver, se për ideal të Partisë, vetëm atëhere do të qetësohem se e kam kryer detyrën që më kanë vënë!”

       Por unë as do të isha ulur t’i shkruaja këto refleksione sikur të mos kisha ndeshur në ajkën e ajkës së rrëfimeve, në kryeveprën e e pranimit të fajeve që recitohet nga i pandehuri Mihallaq Ziçishti. Teksti aty është i një shkëlqimi vërtet përrallor. Dua të citoj këtu, pjesë të deponimit të këtij personaliteti të kohës që kish qenë general, deputet, kreu i të famshmit Sigurim të Shtetit, zëvendësministër i Brendshëm, si edhe i pari i partisë në rrethet e Korçës dhe të Durrësit, për dekada. Vini re, sa hir dhe madhështi shfaq ai në vetgoditjet e tij:

      “….Ishte viti ’66”, - rrëfehet ai në gjyq. -  “Pas një jave më thirri Mehmet Shehu. Qëllimi i kësaj lëvizjeje ishte që të shtrinim veprimtarinë armiqësore edhe në fushat e tjera ideologjike, politike dhe ekonomike. Aty do shkoja Sekretar i Parë. Mehmeti më porositi që aty të ngrija figurën e tij si udhëheqës i zoti jo vetëm në fushën ushtarake, por në të gjitha fushat e tjera. …Tashti, po them disa momente të veprimtarisë armiqësore në Korçë. …Me porosi të Mehmetit rekomandova një studim, me tendencë, për të shkurtuar oborret private të fshatarëve. Ashtu u bë. Qëllimi ishte që të përkeqësohej furnizimi i fshatarëve me produktet jetësore dhe të rritej pakënaqësia e tyre. Kështu që kjo shkaktoi pakënaqësi të madhe në popull se marrja e kësaj mase, pa masa të tjera për furnizimin e popullatës, ishte vetvetiu një sabotim….”

Deri tani citova nga gazeta, me vërtetësi të plotë, fjalën e këtij burri. Po mua nuk më le ngasja e me lejën tuaj, po e le citimin, po e le gazetën, dhe po e vazhdoj vetë, pa ia prishur natyrën e rrëfimit, si e si për ta bërë më të qartë, deponimin e Mihallaq Ziçishtit:

           “ Pastaj, unë armiku Mihallaq Ziçishti, siç e kanë pasur zakon të gjithë armiqtë e Partisë e të shokut Enver, vura re se m’u bë e përditëshme dëshira, që si e si, të pengoja sukseset e mëdha ne tëra fushat e udhëhequra nga Partia. Se, të them të drejtën, ato suksese ne na verbonin. Kisha frikë se edhe grupi ynë armiqësor do thyente hundët, në kalanë e çeliktë, në kalanë e kuqe dhe të pamposhtur të Republikës Socialiste të Shqipërisë. E për këtë nuk më zinte gjumi: si të prish ekonominë, ushtrinë, mbrojtjen, si të luftoja ta shuaja këtë dashuri të madhe që kish populli për Komandantin Legjendar, figurën më madhore ndërkombëtare të revolucionit proletar botëror. Më besoni, zoti kryetar i gjyqit, më besoni, zoti Prokuror: nuk më zinte gjumi! E thotë mirë, bre, populli ynë i mënçur: uji fle hasmi s’fle! Ja e provova vetë unë nga pozitat e hasmit: s’flinja! Këta hasmërit e tjerë, që shihni këtu me mua, në bangon e të akuzuarve, që gjithashtu tok me mua nuk mbyllnin sy, nuk e pranojnë. Armiku para jush, ja ky Kadri Hazbiu dhe këta armiqtë e tjerë nuk pranojnë se ne kemi qenë grup i gjërë, nën komandën e poliagjentit, armikut më të rrezikshëm akoma, Mehmet Shehut. Hëhë! Pse more shokë të grupit, nuk zbërtheheni, nxirreni, bre, helmin që me dekada po e ruanim nën gjuhë! A nuk jemi ne që patëm në dorë tërë gjeneralët, ushtrinë, armatimet, raketat, tanket, avionat, Sigurimin e gjithëçka dhe Enver Hoxhën nuk e eliminuam dot? Pse? Po sepse e mbronte populli. Populli e kish rrethuar atë, që iu bëftë dita njëmijë!, me dashuri, me vigjilencë  Ne, more shokët e mi armiq, nuk e kuptuam këtë, prandaj e kemi hak plumbin! E ky i nderuari trup gjykues, të ketë turp po nuk na e dha atë të shkretë plumb!”

            Në fund, nga historia e dimë që këtij armiku, Ziçishtit Mihallaq, në dallim nga të akuzuarit e tjerë, gjyqi nuk ia dha plumbin. Vecse ia bëri me hile: i ruajti procesverbalet e gjyqit, që t’i lexojnë brezat e shqiptarëve që qysh tani kanë filluar e nuk po na besojnë se ç’krijesa të ulta, imorale e të pabesa kanë munduar shqiptarët e kanë poshtëruar virtytet në  historinë e tyre gjatë shekullit të njëzetë..