Faqja e Pare | Analiza | Bashkim Kopliku | Zgjedhjet: Të fshehtat e “spanjollit”

Zgjedhjet: Të fshehtat e “spanjollit”

Një nga sistemet zgjedhore shumë të përfolur këto ditë, është ai proporcional rajonal, që i

kanë vënë emrin këtu nga ne, “sistemi spanjoll”. Do t’ju shpjegojmë se ky sistem prek

“fshehtas” pragun elektoral, dhe synon t’i bëjë partitë e mëdha, edhe më të mëdha, dhe paritë e

vogla, edhe më të vogla.

Formalisht, sistemi zgjedhor (SZ) proporcional rajonal, është një variant i SZ

proporcional. Duke u nisur nga kjo, si SZ proporcional, ai do të duhej të siguronte që numri i

deputetëve gjithsej që merr secila parti, të jetë në proporcion me votat gjithsej, që ka marrë në të

gjithë vendin ajo parti. Në fakt nuk është gjithnjë tamam kështu

Sipas SZ proporcional rajonal, vendi ndahet në disa rajone elektorale, ku partitë shpallin

deputetët e tyre të rajonit, në listat përkatëse. Rezultatet e votimit mbyllen veç e veç në çdo

rajon, pra në rajon bëhet edhe përcaktimi i numrit të deputetëve për çdo parti.

Në Spanjë, numrit të deputetëve në çdo rajon, përcaktohet me një metodikë të

matematikanit Viktor d’Ont (Victor D'Hondt). Kjo metodikë përdoret edhe në shumë vende që

kanë SZ proporcional (rajonal ose jo), apo që kanë edhe sisteme të përziera, kur u duhet të

përcaktojnë deputetët nga lista. Sot, shumica e shteteve të Bashkimit Evropian, punojnë akoma

me metodikën e D’Hondt.

Por SZ proporcional rajonal sipas D’Hondt (“spanjolli”), ndryshon nga SZ proporcional

“i pastër”. Ndryshon në dy aspekte kryesore, rritet pragu elektoral efektiv (përqindja e votave të

nevojshme për të zgjedhur së paku një deputet), si dhe favorizohen partitë e mëdha, duke u marrë

votat partive më të vogla. Në vijim do t’i shpjegojmë me radhë të dy këto aspekte.

PRAGU ELEKTORAL EFEKTIV

Si rregull, rajonet duhet të jenë relativisht të mëdha, që pragu elektoral efektiv të jetë jo

më i vogël se pragu elektoral për t’u futur në parlament (përqindja minimale ligjore e votave që

duhet të arrijë një parti, për të pasur deputetë). Në vijim një shembull.

E zëmë se në një rajon i takojnë të zgjidhen 20 deputetë gjithsej. Në këtë rast i bie që për

t’u zgjedhur një deputet, të mblidhen së paku 5% e votave (100% e votave, pjesëtuar për 20

deputetë). Ky është dhe pragu efektiv, pra 5%.

Në tabelën në vijim, kemi shënuar rezultatet e llogaritjeve të numrit të rajoneve, në varësi

të pragut elektoral për t’u futur në Kuvend, në rastin e Shqipërisë (me Kuvendin me 140

deputetë). Numri i rajoneve është llogaritur i tillë që të plotësohet kushti që pragu elektoral

efektiv të mos jetë më i lartë se pragu elektoral i futjes në Kuvend.

Pragu elektoral i dëshiruar,% 2.5 3 3.5 4 4.5 5 5.5 6

Numri i rajoneve 3 4 4 5 6 7 7 8

Numri i deputetëve në rajon 46.7 35 35 28 23.3 20 20 17.5

Pra, nëse duam t’i mbahemi pragut elektoral që kemi, 2,5%, Shqipëria nuk mund të ketë

më shumë se 3 rajone. E nëse shkojmë në pragun 4%, nuk mund të ketë më shumë se 5 rajone.

Shihni tabelën për kombinime të tjera.

Nga eksperienca e zbatimit të këtij sistemi në Spanjë, rezulton se megjithëse pragu

elektoral ligjor i futjes në parlament ishte vendosur 3 %, në disa rajone relativisht të vogla, pragu

elektoral efektiv shkoi shumë më i lartë, deri në 25%.

FAVORIZIMI I PARTIVE TË MËDHA

Shpjegimin po e kufizojmë në një ilustrim nga praktika e zbatimit të këtij SZ në Spanjë.

Parlamenti i Spanjës kishte rreth 350 deputetë, dhe Spanja ishte ndarë në rreth 51 rajone.

Partitë e mëdha rezultuan me shumë më shumë deputetë, sesa përqindja e votave të marra.

Kështu, në vitin 2000, Partia Popullore spanjolle, morri 52,3% të deputetëve, megjithëse kishte

marrë vetëm 44,5% të votave (18% më shumë deputetë se votat). Po kështu, Partia Socialiste

mori 35,7% të deputetëve, me vetëm 34,2% të votave.

Në Spanjë, partitë e vogla u penalizuan. Kështu p.sh., partia IU-EUiA mori vetëm 2,3%

të deputetëve, megjithëse kishte marrë 5,4% të votave (57% më pak deputetë sesa votat).

Tendenca e penalizimit të partive të vogla, bën që të marrin më pak deputetë dy parti veç

e veç, sesa po të bashkohen, edhe nëse votat gjithsej që marrin, janë të njëjta. Prandaj në këtë

sistem, ka shtytje për koalicione partish: p.sh. shtyhen të voglat të hyjnë brenda të mëdhave.

Ky është realiteti i SZ proporcional rajonal sipas D'Hondt, edhe në vende të tjera, jo

vetëm në Spanjë.

PËRPJEKJET PËR MOSFAVORIZIMIN E PARTIVE TË MËDHA

Janë bërë përpjekje të kalohen në variante të tjera të përcaktimit të numrit të deputetëve,

që e zvogëlojnë penalizimin e partive të vogla. Në këto përpjekje bën pjesë edhe metodika

gjermane e Hare-Niemeyer, e cila bile favorizon partitë e vogla

Që të kuptohet sesa pa fund janë këto diskutime, po ju themi vetëm se në Gjermani, deri

në vitin 1983, u përdor metodika e D'Hondt, pastaj në 1987 u kalua në metodikën Hare-

Niemeyer (nga emrat e anglezit Thomas Hare dhe të gjermanit Horst F. Niemeyer); në janar të

2008, është ndryshuar prapë, për të kaluar në zgjedhjet e vitit 2009, në metodikën e Sainte-

Laguë/Schepers (kjo e fundit nuk favorizon asnjë parti).

Natyrisht që nuk po ju mërzisim më me hollësi të tjera, që janë pa fund. Shpresojmë se

edhe kaq sa thamë, të kenë ndihmuar për të ndjekur diskutimet për problemet kryesore të

reformës zgjedhore.