Faqja e Pare | Analiza | Bashkim Kopliku | Korrupsioni “tri oferta”

Korrupsioni “tri oferta”

Kush jeton me mend në realitetin shqiptar, e di se janë llafe bosh ato përbetimet e kryeministrit se po e ul korrupsionin. Ajo që po ndodh, nuk është ulje e korrupsionit, por një hipokrizi masive e inskenuar nga “të gjithë”: “në administratë është pakësuar shumë korrupsioni”. Do të ndalojmë tek “blerja me vlera të vogla”, me vlerë vjetore jo më të madhe se 400 mijë lekë, e cila kryhet me “tri oferta false”. Ky korrupsion tani po “legalizohet”, po bëhet sheshit si asnjëherë tjetër, prandaj dhe nuk është fare pjesë e spotit të kryeministrit.
Sipas ligjit, kur janë për t’u blerë gjëra të vogla, nuk ia vlen të bësh prokurim duke shpallur kërkesë në gazetë, duke pritur ofertat etj., por lejohet prokurimi i thjeshtuar (“blerje me vlerë të vogël”, kështu emërtohet në legjislacion). Titullari i Autoritetit Kontraktor (TAK), pra drejtuesi i institucionit, sektorit apo ndërmarrjes, publike (shtetërore), ngre komisionet e blerjeve të vogla. Ky komision u kërkon oferta për blerje, jo më pak se tre operatorëve ekonomikë (OE). OE është termi përmbledhës për furnitorët e mallrave apo shërbimeve, pra për biznesmenët. Nga “komisioni i blerjeve” zgjidhet oferta më e leverdishme, dhe kryhet prokurimi, blerja e mallit apo shërbimit. Në teori, e gjitha është e drejtë dhe e logjikshme.
Në praktikë, TAK-u, pra drejtuesi i institucionit, apo i “autorizuari” i tij, i drejtohet një OE-je, pra një biznesmeni, që e ka të njohur. OE-ja mik i TAK-ut, u drejtohet tre kolegëve OE, për t’i dhënë oferta për mallin apo shërbim, por natyrisht me çmime më të larta se të tijat. Nuk ka asnjë vështirësi t’i marrë këto tri oferta false, sepse interesi reciprok i bën të gatshëm dhe solidarë në mashtrim, pothuaj të gjithë OE-të: atë që i kërkon “kolegu” sot (ofertë false), nesër do t’ia kërkojnë “ata të tre”, atij, “kolegut” që sot po kërkon ofertat false. Ky procesi i marrjes së ofertave false, lehtësohet shumë edhe sepse shteti nuk e ndjek fare këtë mashtrim që bëhet ditën për diell. Nuk e ka ndjekur, as shteti i “Fatos Nanos”, e njësoj nuk po e ndjek as ky “shteti i Sali Berishës”.
Janë pikërisht këto tri oferta që ka mbledhur OE-ja mik, që “zyrtarisht” figurojnë sikur të ishin mbledhur nga “komisioni i blerjeve”, e natyrisht “fituesi” del OE-ja mik.
Si rezultat, institucionet e ndërmarrjet shtetërore blejnë me çmim shumë më të lartë se ato të tregut, sepse një pjesë të parave, OE-ja do t’ia kalojë TAK-ut mik. Pjesa e TAK-ut shkon sipas rastit, edhe pothuaj sa e gjithë vlera e paguar, por gjithnjë jo më pak se 20% (e dhënë kjo nga një “pyetësori privat”, që kemi zhvilluar). Kjo “pjesa e TAK-ut”, është një formë bakshishi, apo peshqeshi, apo ryshfeti—të tri termat mund t’i përdorim.
“Komisioni i blerjeve” nuk bën zë, sepse janë punonjës në varësi të TAK-ut, dhe ai u punon qindin po hapën gojë, ose dhe u jep edhe atyre të bëjnë edhe ata ndonjë prokurim për vete, që edhe ata të përlyhen, e të mbyllin gojën—sa të mirë që janë këta TAK-ët.
Në institucionet dhe ndërmarrjet publike (shtetërore), drejtuesit nuk e lënë pa i blerë çdo vit, ato 400 mijë lekë. Blejnë kompjuter e printer (edhe kur të vjetrit po punojnë për mrekulli për qëllimin konkret të përdorimit), mobilie, bëjnë mure, riparime etj. Nuk u del pak këtyre drejtuesve. Bëni një llogari sipas metodikës së kryeministrit Berisha: 400 mijë lekë blerje në vit, mesatarisht gjysma në xhep, bëjnë mbi 2 milion lekë të vjetra (200 mijë lekë të reja).
Të tilla ndodhin çdo vit me mijëra në Shqipëri, çfarë do të thotë me miliarda lekë në vit, në xhepat e të korruptuarve, edhe të periudhës “berishiste anti-korrupsioniste”.

* * *
Por, meqë gjendja është kështu, meqë ka dhe një numër telefoni direkt të kryeministrit që luan edhe prokurorin, edhe policin, edhe gjykatësin etj, a dini gjë të jetë kapur ndonjë nga këto “tri ofertat false”? Ne nuk dimë asnjë rast.
Ajo që dimë mirë, është se shumica dërmuese e këtyre ofertave janë false. Ajo që dimë mirë është që edhe kriminalisti më fillestar i policisë, apo dhe i SHIK, po t’i thonë, brenda muajit mund të kapë me dhjetëra oferta të tilla false, dhe t’i japë buxhetit të shtetit, të ardhura disa herë sa paga e tij mujore.
Por askush nuk e çan kokën, sepse psikologjia e vjedhjes, e korrupsionit është kudo, që nga koka e deri tek këmbët e shoqërisë sonë. Policëve të devotshëm, apo nëpunësve të devotshëm të organeve të kontrollit, nuk u thotë njeri puna mbarë, e as iu rritë njeri të ardhurat, apo iu përmirëson karrierën, nëse bëjnë një punë të tillë aq frytdhënëse, qoftë nga ana materiale, qoftë dhe nga ana edukative. E pra dihet, se frika ruan arat.
Asgjë konkrete nuk bëhet, vetëm llafe. Policit e të tjerëve si ai, u kanë dhënë stimuj “më interesantë” për pasurim e karrierë, stimuj që përmblidhen shkurtimisht në sa vijon: “kije mirë me politikën e radhës; mos ngacmo TAK-ët e korruptuar, sepse ata janë pjesë e politikës, dhe të djegin”.
Zgjidhja? Jo spote kryeministri, por punë konkrete. Të publikohet periodikisht sesa oferta false janë zbuluar gjatë një periudhe të caktuar (p.sh. gjatë tremujorit), sa e si janë dënuar shkaktarët, që nga TAK-ët, anëtarët e “komisioneve të blerjeve”, e deri tek OE-të e përziera në pisllëk.
Që kjo të ngjasë, duhet që opinioni shoqëror të fillojë e ta kërkojë një gjë të tillë, qoftë ata të PD-së, qoftë të PS-së, LSI-së etj, qoftë dhe ajo elitë njerëzish që nuk është me asnjë nga partitë ekzistuese tani për tani. Po nuk u kërkuan gjërat konkretisht, po mbetëm vetëm në qarje të përgjithshme, kemi bërë shumë pak.