Faqja e Pare | Analiza | Bashkim Kopliku | Fajtor, edhe pa e ditur Gërdecin

Fajtor, edhe pa e ditur Gërdecin

image

“Nuk kam ditur gjë fare për Gërdecin”, justifikohet kryeministri. Do thoni ju, se e ka ditur, por gënjen. Ne po e supozojmë se vërtetë që nuk e ka ditur. E pastaj? E përse u dashka që një kryeministër t’i dijë të gjitha, të kalojë çdo gjë në duart e tij?! Shteti është një mekanizëm që vepron për mijëra gjëra që kryeministrat as që i dinë fare, dhe as që kanë sepse t’i dinë. Kryeministri është fajtor për mosfunksionimin e hallkave të shtetit të tij, e jo vetëm për gjërat “për të cilat ka pasur dijeni personalisht”. Ja një ilustrim i thjeshtë fare. Nëse një automjet po thyen rregullat e qarkullimit, polici i qarkullimit e ndalon, apo e gjobit, pa e ditur fare kryeministri. Nuk është se i fut një mesazh kryeministrit, dhe pasi merr përgjigjen prej tij, pastaj vepron. Nëse policët e një shteti nuk veprojnë, atëherë e ka fajin kryeministri që ka ndërtuar një shtet ku policët nuk veprojnë. Nuk mund të justifikohet kryeministri, se polici nuk i dërgoi mesazh atij, dhe prandaj nuk paska faj ai personalisht, kryeministri. (Në fakt, ka shumë gjëra për të cilat është vënë në dijeni kryeministri ynë aktual, e prapë se prapë nuk janë rregulluar fare, por nuk po i biem atij krahu.) Sa më shumë hallka të shtetit të konstatohen se nuk kanë kryer detyrat, apo nuk kanë funksionuar si duhet, aq më i rëndë bëhet faji i kryeministrit të shtetit. Por katastrofa e Gërdecit mjafton që të hiqet ky kryeministër: dihet tashmë se ka shkak direkt të saj, mosfunksionimin e hallkave të shtetit, e prandaj fajtori kryesor është ai, z. Berisha, që kishte mbi 30 muaj në pushtet. “Reformat”, ristrukturimet e hallkave të shtetit, që po përbën “justifikimin e ri” të kryeministrit aktual, janë një veprimtari e vazhdueshme, e përjetshme e shteteve. Por ato nuk janë justifikime për mosfunksionimin tërësor të shtetit, siç është rasti i Gërdecit, ku në zonën më të populluar të vendit, në mes të hapësirës Tiranë, Aeroport i Rinasit Durrës, zhvillohet një aktivitet i çmontimit të mijëra tonë municioneve, dhe bile i kryer edhe nga kalamaj. Në këtë rast, jemi para një papërgjegjshmërie tërësore të shtetit. Kryeministri thjesht duhet t’i lëshojë vendin një tjetri që edhe ruan popullin nga katastrofat, edhe vazhdon të bëjë reforma. Një kryeministër që kërkon të përqendrojë çdo punë të shtetit në duart e veta, siç dihet se bën në vazhdimësi z. Berisha, kryen një faj të madh ndaj vendit të vet. Nuk është më një përgjegjës reparti në një spital, ku mosndarja e detyrave, fundja thjesht do të ulë eficiencën e punës së disa mjekëve dhe infermierëve. Këtu flitet për të gjithë shtetin, dhe një njeri i tillë duhet të largohet menjëherë nga detyra e drejtimi të shtetit. Përqendrimin e çdo gjëje në duart e veta, kryeministri e bën ngaqë kërkon të manipulojë e të kontrollojë çdo gjë, nga fiksacioni se mos të vetët i marrin pushtetin personal. Ai vendos vetë, por edhe krijon frymën e vendosjes në hallkat e shtetit, të njerëzve të manipulueshëm nga ai, dhe jo e të aftëve. Kjo sjellje e tij, sjell mosfunksionimin tërësor të hallkave të shtetit. Janë me qindra e mijëra njerëzit që e kanë provuar mbi shpatullat e veta, këtë sjellje të tij, tash 17-18 vjet që është në politikë, qoftë si kryetar partie, qoftë si president. Tani si kryeministër, i vuri kapakun me 23 fatkëqij të vrarë (deri tani!), e me qindra të plagosur, e me miliona euro dëme materiale. Pra nuk ka pse të pritet se “çdo të nxjerrin hetimet”, sepse çdo gjë që të nxjerrin, qoftë se edhe se “serbët qenë që i vunë zjarrin municioneve”, apo qoftë dhe se “Mediu kishte marrë ryshfet 1 milionë dollarë”, asgjë nuk ndryshon thelbin e çështjes: fajtori kryesor i mosfunksionimit të shtetit mbetet kryeministri aktual, prandaj hapi i parë është heqja e tij, dhe vendosja e një tjetri për të kryer detyrën e kryeministrit, e ndërkohë të vazhdojnë vlerësimet e hetimet e shkallës së fajeve, e atyre personale të kryeministrit të hequr, dhe edhe e të gjithë qeverisjes së dalë nga Kuvendi i tij i megadushkut.