Dhoma e Drakules
Nuk di ç’ngjashmëri ka gjetur gazetari britanik i disa librave bestseller udhëtimesh, Michael Palin, mes dhomës së Drakulës dhe zyrës bashkiake të Edi Ramës. Por mund të them që ishte një nga befasitë e pakëndshme që pata teksa lexoja librin e Palin “New Europe”, botuar së fundmi.Përpos ciklit televiziv, transmetuar nga BBC muaj të shkuar, gazetari i njohur për penën pikante, me të cilën përshkruan udhëtimet, ka mbajtur një ditar të detajuar në vendet “misterioze”, sikundër e quan ai ish-bllokun komunist.Botimi luksoz shoqërohet me fotografi dhe mbresat e Palin përgjatë udhëtimit të nisur në Slloveni, e mandej nga Dubrovniku në Durrës. Sikur të mos mjaftonte konstatimi i panevojshëm për portin e zbrazur të Durrësit, Michael Palin-it i ka mjaftuar vetëm një ditë qëndrim në qytetin bregdetar, për të kuptuar se Shqipëria ka mbetur një vend Evropiano-Lindor me më pak influencë Perëndimore në mendime dhe ide.
Përpara se të vazhdoj me habitë e shkaktuara nga leximi i “Europës së re” të Palin, më duhet t’ju them se librin ma sugjeroi një mik skocez, i cili, pasi kishte ndjekur një program televiziv të Channel 4, ku flitej për mundësinë e shkëlqyer për të investuar në Vlorë e Sarandë, më kërkoi ndihmë.
Më ndihmo të kuptoj të vërtetën, më tha. T’i besoj Michael Palin-it për Shqipërinë myslimane, me mentalitet lindor, me rrugë të përbaltosura, me pallate qesharake në Tiranë apo reportazhit të televizionit që transmetonte pamje mrekulluese të bregdetit.
Për fatin tim, libri i Palin-it, edhe pse në Britaninë e Madhe vlerësohet si një gazetar autoritativ, ishte i mbushur me moskorrektësi të vogla, por që flasin shumë për pavëmendjen e njeriut që ka marrë përsipër të gjykojë Shqipërinë në katër ditë udhëtim.
Së pari, ndesha e emrin e mikut tim, Ardi Pulaj, që fillimisht mendova se ishte shkruar Pilaj si pasojë e ndonjë gabimi ortografik. Ardi kishte shoqëruar gazetarin britanik në udhëtimin Durrës-Tiranë me tren, por në të gjitha rastet kur i përmendej emri ishte i shkruar gabim.
Në ndryshim nga shoqëruesi tjetër, emrin e të cilit autori e shkruan Illir Mati, Ardi kishte ofruar një panoramë optimiste për imazhin e vendit të tij. Illir-i, siç e quan Palin, është cituar në libër të ketë thënë se Shqipëria është e pasur me naftë, minerale si kromi, por zëri kryesor në eksport është prostitucioni, droga dhe armët.Nuk dua ta besoj se në qershor të 2006-ës nga një njeri, që shfrytëzon shpeshherë edhe ekranet lokale për të përcjellë mesazhe përmirësuese të vendit të tij, mund të dilte nga goja një përcaktim i tillë për vajzat dhe djemtë shqiptarë.
Jam e prirur të besoj se Michael Palin mund ta ketë keqkuptuar shoqëruesin e tij të përkohshëm në Shqipëri dhe se ne shqiptarët nuk jemi vërtet sponsorizuesit e një imazhi makabër për bashkëqytetarët tanë nëpër botë.
Nga njëra faqe në tjetrën përshkrimet e Palin-it për takimet me shqiptarët bëhen edhe më të zymta. I tillë është konstatimi për shtatin dhe pamjen e Edi Ramës “si një njeri i errësirës, në një botë me ngjyra perëndimi që krijojnë një ambient më shumë të ngjashëm me dhomën e Drakulës se sa me zyrën e kryetarit të Bashkisë”.
Mandej Palin vazhdon përshkrimet e tij shqetësuese për tryezën e punës së Ramës, kur thotë se mbi të ndodhet një fotografi e kryebashkiakut me vajzën e tij, kur dihet që tri herë i mandatuari në krye të Tiranës ka vetëm një djalë.
Nuk mbaron me kaq. Për arsye që vetëm Palin-i i di, Edi Rama, përveçse ekstravagant, paraqitet si një njeri që ka nevojë për terapi. I tillë është rasti i përmendjes së skicave shumëngjyrëshe që ai realizon teksa mbahen mbledhjet e mërzitshme të punës së tij. “Po, ky është ditari im teraupetik”, citohet të ketë pohuar Rama.
Pas skenave horror dhe përshkrimeve drakuliane për eksport prostitutash dhe kryebashkiak që duket sikur vjen nga errësira, e pata më të lehtë t’i përgjigjesha mikut skocez. Njerëzit besojnë dhe shikojnë atë çka duan dhe jo çfarë potenciali ka në të vërtetë një vend. Michael Palin zgjodhi të shihte me xham të zi, i ndihmuar edhe nga kontaktet e tij në Shqipëri.
Por kjo s’do të thotë se Shqipëria është e gjitha skëterrë, e pa shpresë dhe me sy drejt Lindjes. Ashtu si dhe në pamjet paqëtore të transmetuara nga Channel 4, bregdeti ynë është i mbushur me peizazhe dhe natyrë mahnitëse. Jam e bindur që nga tarraca e Liros në Vlorë perëndimi është po aq i portokalltë dhe shpirtmbushës sa e ndërmmend herën e fundit, kur m’u duk se dielli u puth me detin.
