Faqja e Pare | Analiza | Ilva Tare | Seks, politike dhe media

Seks, politike dhe media

Në samitin e NATO-s në Bukuresht Shqipëria mori një nga ftesat më të rëndësishme në historinë e saj post-komuniste. Maqedonia u penalizua nga Greqia, e cila së bashku me Rusinë, por edhe vende të tjera anëtare të Aleancës Ushtarake, ia doli të triumfonte mbi mbështetjen personale të Xhorxh Bush ndaj Shkupit.
Shumë biseda konfidenciale që u mbajtën në Bukuresht nuk u bënë publike e me gjasë të tilla do të mbeten. Megjithatë për median finlandeze samiti i NATO-s u bë pjesë e raportimit ditor të lajmeve vetëm për mungesën e ministrit të Jashtëm.

Ilkka Kanerva është përfshirë në një skandal seksi pas publikimit në një gazetë thashethemesh të disa tekst-mesazheve sugjestionuese dërguar një kërcimtareje ekzotike, që nuk ishte gruaja e tij. Zëvendësimi i ministrit Kanerva me Alexandër Stubb një europarlamentar, ish-ndihmës i Romano Prodit në Komisionin Evropian ishte vetëm çështje orësh.

Ndërkaq shtypi britanik ka publikuar ditët e fundit lajmin e tre fëmijëve sekret nga dy të dashura të mëparshme të kryetarit aktual të Bashkisë së Londrës, Ken Livingstone, përpos dy fëmijëve që ka me partneren aktuale. Pavarësisht lajmeve për dy vajzat dhe një djalë të padeklaruar më parë nga 63-vjeçari Livingstone, duket se ka kaluar pa shumë bujë dhe sipas disa sondazheve duket se nuk ka pasur ndikim tek fushata e tij elektorale për t’u rizgjedhur në krye të Bashkisë së Londrës.
Ken Livingstone është kritikuar më herët nga media edhe për vesin e tij të pijes, por as një detaj i tillë nuk duket të ketë influencuar votën e londinezëve për të.

Largimi i finlandezit vetëm për sms që aludojnë një lidhje seksi, apo dorëheqja e Spitzer nga posti i guvernatorit të New York-ut pas marrëdhënies me pagesë me një vajzë dhe mos cenimi i imazhit të Linvingstone në Londër nga fëmijët e mbajtur ‘privat’, jo sekret siç preferon ai t’i quajë, dëshmojnë qartë se normat morale të seksit dhe politikës ndryshojnë dukshëm nga një vend në një tjetër.

Shikoni reagimin e shtypit francez për lidhjen e Presidentit Sarkozy me Carla Brunin. Përpos përfoljes për pushimet e shtrenjta që shpërqendronin Presidentin nga detyrat, askush nuk gjykoi faktin se Nikolas u martua për të tretën herë pa kaluar ende dy muaj nga divorci me Cecilian. A do kishte qenë po kaq e lehtë për një politikane femër në Francë?

Po t’i kthehemi shtypit në Tiranë duket se politikanët ia kanë dalë të sigurojnë imunitet edhe për jetën intime krahas aferave financiare. Madje edhe votuesit shqiptarë nuk duket të ndikohen nga normat morale të politikanëve të tyre. Dy arsye mund të shpjegojnë këtë situatë; ose në Shqipëri politikanët janë të gjithë besnikë ndaj bashkëshorteve të tyre, gjë që edhe ata/o vetë i bën për të qeshur; ose shqiptarët kanë arritur standardet e londinezëve dhe francezëve që arrijnë ta ndajnë jetën private nga ajo publike e të zgjedhurve të tyre.

E sigurt është se nëse shtypi shqiptar do ishte po aq agresiv sa edhe ai finlandez, sa të detyronte politikanët të jepnin dorëheqje për sms aludive seksi, do na duhej të importonim krahas shumicës së mallrave të shportës edhe një klasë të re politike.