Per buken e gojes!
Rritja e çmimit të bukës është bere pjese e një debati të nxehtë e gjithpërfshirës. Për një takëm, kjo nuk është veçse një sport zbavitës politik e mediatik. Për të tjerët krejt ndryshe. Ata këtë rritje çmimi nuk e sodisin as nuk e lexojnë, por e ndjejnë. Në trup e në lëkurë. Sepse përveç vendit që ka në “shportën” e përditshme konsumatore, ky produkt ka edhe një kuptim simbolik. .... Bëhet fjalë për “bukën e gojës”. Para së cilës s’ka asgjë më të ndjeshme. Le të përdredhin buzët nja pak politikanë që e kanë harruar me kohë dyqanin e fshatit a të lagjes së dikurshme –se për ta, me ushqimet merret shoferi a bodigardi.Le të shëmtojnë fytyrën edhe ata pak qindra çuna e goca fuoristradash të fundit, duke na kujtuar se se sot jemi në “shekullin dixhital” , dhe se “s’ka kuptim” të flitet për bukë, vaj, makarona e gjëra të tilla koti. Bukë e shtrenjtuar? Ç’muhabet koti! Mirpo ja që mbi dhe jetojnë edhe nja nëntëdhjetenëntë përqind tjerë. Që nuk janë aspak “nëntëdhjetenëntsha” . Janë burra të sfilitur e gra si burra, që s’e kanë prekur ende njw grimë “jetën moderne”. Halli është që kjo rritje çmimesh është bërë makthi i tyre. Në vallen e ngritur, buka nuk po kërcen vetëm. Buka vetëm sa heq vallen. Valle në të cilën po futen ngadalë edhe vaji, makaronat, orizi, e deri fruta-perimet. Ajo po tërheq me vehte gjithë zinxhirin ushqimor. Po boshatis dollapin e ushqimeve, po kërcënon ushqyerjen e përditshme të fëmijve e të gjithë shqiptarëve të mijvjeçarit të tretë. Dhe mbi të gjitha, ju ka sjellë një makth e një drithërimë të paparë vetë atyre: kryefamiljarëve. Kësaj si i bëhet. Pa sa për politikën e zdhënësat?...Dihet sa larg janë ata nga halli e hallexhiu i vërtetë. Ndërkohë që me degradimin që ka pësuar përfaqsimi politik i tyre, ata hezitojnë të shkojnë edhe “tek kadiu”. Sa për sjelljen “live” të zërit të tyre në tryezat ku gatuhen qëndrime e politika, as që bëhet fjalë. Tryezat janë të zëna. Të ishte ndryshe, as që do të kishte kërcime të tilla çmimesh që trembin gjithkënd e gjithandej. Përgjegjëse e parë pra për këto shpërthime është gjithë politika e derisotme, e cila duke kalëruar mbi retë e çështjeve “të mëdha e parimore”, ka lënë mënjanë çështjet e vogla por “bazike” (ose “bazale” –siç i thotë presidenti ynë) –ku çmimi i bukës është vetëm një tregues mes të tjerësh.
***
I pari nënvizim që nevojitet, është se rritja e çmimeve në fjalë nuk është një ndodhi e shkëputur, një ngjarje që na mbiu kështu papritur e papandehur, pikërisht këto nja dy apo tre javët e fundit. Ajo që po shohim sot është vetëm shpërthimin e saj tek çmimet. Por dukuria ka kohë që mbarset me këtë rezultat. Kjo që ndodh sot me çmimet, nuk është gjë tjetër veçse finishi tragjik i një sjellje politike e qeverisëse të lëshuar. neglizhence të zgjatur. Ai s’është veçse “kurorëzimi” i palumtur i një zhvillimi të pabazuar e të paqëndrueshëm të ekonomisë së vendit. Natyrisht në shifrat aq apo kaq, shkrihen influencat e të dy grup-faktorëve të mëdhenj: edhe e atyre që “importohen” si vështirësi e probleme të ekonomisë botërore por edhe i atyre që lidhen thjesht me pazotësitë dhe paudhësitë tona këtu brenda vendit. Me që të parat, nuk i kemi as në dorë dhe as nën influencën tonë sado të vogël, të merremi me atë që ndodh (dhe nuk ndodh) këtu në oborrin tonë. Dhe në këtë pjesë të fushë-lojës ka kaq shumë për të thënë. Sepse s’jemi vetëm ne që përsërisim se është bërë shumë pak, në plotësimin e kuadrit që pritet nga kryerja e reformave. Me të gjitha aspektet e tyre: si ligje të mira e zbatim korrekt, si institucione funksionuese e efikase, si strategji e instrumenta të gjetura mirë, si meritokraci e burimeve njerëzore.
Por përtej fajësimit të politikës “historike” nuk ka dyshim se përgjegjësia e trupës qeverisëse është e veçantë. Dhe e drejtpërdrejtë. Kjo “krizë çmimesh” nuk mund të mos lexohet edhe si dështim i saj. Sidomos si dështim i Agjensive të ngarkuara drejtpërdrejt me mbikqyrjen e tregut. Sepse s’ka dyshim se shkaku kryesor i kësaj rritje të çmimeve të konsumit të gjerë është pikërisht mosfunksionimi si duhet i tregut. Diku ka ngecje, ndrydhje e deformime që nuk lejojnë rrjedhjen e lirë të mallrave e produkteve dhe për rrjedhojë as konkurrencën mes tyre. Shkak i parë këtu është situata monopol. Ku e sheh ti monopolin!?-mund të më pyesë dikush. Natyrisht nuk e shoh fizikisht se një monopol fizik as që ekziston. Nuk e shoh as “dokumentarisht” –sepse monopoli vërtet është një marrveshje, por marrveshjet-monopol nuk para formalizohen e nuk vulosen tek noteri. Sinjali për shkakun-monopol vjen pikërisht nga pasoja e tij që është rritja e çmimeve. Po në rastin tonë nuk lexohet vetëm tek çmimet. Lexohet edhe më drejtpërdrejt. Në faktin që vendimin për rritjen aq apo kaq të çmimit, tek ne nuk e merr tregu si kategori, si institucion apo edhe si njësi tregtare, por e marrin disa borde e grupe njerëzish. Që quhen ..shoqata. Kemi disa të ashtuquajtura “shoqata” të tilla biznesmenësh në Shqipëri, të cilat bëjnë pikërisht këtë punë, e cila duhet të alarmojë Autoritetin tonë të Konkurrencës: ato vendosin çmimet. Jo fshehur, por fare hapur. Duke bërë edhe paralajmërime. Edhe “negocime” me shefat e ekzekutivit. Më jep këtë e më hiq këtë. Ndryshe në javën që vjen apo muajin që vjen, ne rrisim aq e kaq çmimin e mallit. Ndërkohë që duhet të ishte ndryshe. Në një treg funksionues, çmimi rritet vetvetiu atje në dyqan e jo nëpërmjet deklaratës së ..shoqatave. Në fillim shfaqet një dyqan që s’e përballon dot çmimin e mëparshëm, pastaj një i dytë e kështu me rradhë. Tregu pra fillon e jep sinjale graduale se kostot po rriten dhe që për këtë arësye çmimi i produktit po shfaq shenja ngjitje. Vini re: thashë “po shfaq shenja” sepse pikërisht ky është roli i tregut: të lëshojë sinjale. Të cilat kapen pastaj edhe nga “sensorët” e shtetit dhe shtrojnë nevojën për politika zbutëse apo përshtatëse. Ç’ndodh tek ne? Tregu është atje jashtë përbukuri. Ka disa presione kostoje që vijnë nga kriza e elektricitetit apo çmimet e zvendësuesve të tij –por gjithsesi dyqanet bëjnë si bëjnë. Kur papritur, del një “përfaqsues i shoqatës” dhe njofton se “shoqata” ka vendosur apo po shqyrton rritjen e çmimit në kaq e aq. Sikur të jetë vetë OPEK-u!
Një sinjal tjetër vjen nga kanalet e importit. Përmes një hendeku të gjerë kosto-importi e çmim me pakicë. Dihet se importet tek ne janë një masë gjigande produktesh, katër herë më e madhe se sa exportet. Ndërsa për produktet ushqimore në fjalë – ky mbizotërim i importeve është deri dhjetë herë. Dihet nga ana tjetër që si pasojë e marrveshjeve liberalizuese të tregtisë (OBT, MSA, CEFTA, etj), tarifat doganore që paguajnë importuesit në kufi janë ulur dukshëm. Deri dy-tre herë më pak se 3-4 vite më parë. Ç’ka do të thotë që importuesi paguan më pak doganë. Në fakt ç’farë shohim? Ndërsa tarifat doganore ulen parreshtur, çmimet me pakicë të produkteve të importit –njohin vetëm rritje. Edhe kur çmimet botërore rriten, ashtu edhe kur këto të fundit ..ulen tek ne shfaqet vetëm ..ngritja. Ulja asgjëkundi. Ç’do të thotë kjo? Si është e mundur që fjala vjen, në etapën e një rënie të perkohshme të çmimit ndërkombëtar, të mos vijë dikush me ca anije e të thotë, jo zotërinj, unë e bleva lirë këtë ngarkesën time, prandaj që të ze tregun, do ta shes më lirë. Nuk e bën dot një gjë të tillë.
Kur themi se kjo s’mund të mos lexohet edhe si dështim i Autoritetit të Konkurrencës, natyrisht nuk flasim për njerëz e shefa të caktuar, por për funksionimin si institucion të kësaj hallke. Detyrë e së cilës është që duke u kujdesur për një konkurrencë të lirshme pa pengesa e deformime, të krijojë kushtet për furnizim më të mirë e çmime më të ulta për konsumatorin. Ky synim final, mund të mos jetë shkruar kështu fjalë për fjalë në ligjin për këtë institucion, por s’ka dyshim se misioni final i tij ësht pikërisht ky: mallra të mira e të lira për blerësin. Si e bën këtë? Jo drejtpërdrejt natyrisht. Por e ndikon fort, duke ruajtur ..funksionalitetin e tregut. Atë që thamë pak më lart. Dhe vetëm një treg funksional mund të “kujdeset vetë” pastaj, që çmimet të “zenë karar”.
Pikërisht këtu shfaqet edhe përgjegjësia e qeverisë. Kanë të drejtë shefat ekzekutivë tek na kujtojnë se çmimet sot në ekonominë e tregut s’mund t’i kontrollojë shteti e se kjo është “punë tregu” etj. Por kanë të drejtë vetëm në parim. Sepse pyetja është: dakord, po si i bëhet kur nuk funksionon tregu?. Ose kur ai është dhunuar, shtrembëruar, “akaparuar” nga disa she nuk funksionon si duhet. Kur fjala vjen, edhe ministria e tij, sinjalet nuk i merr nga tregu spontan e i lirë por nga “zëdhënsa të shoqatës X”. Disa prej të cilave me shumë gjasa, nuk janë veçse struktura të monopolit në Shqipëri.
Po aq i dukshëm është edhe dështimi i ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë. Si mund t’i pajtojë ajo teorikisht e paraktikisht frytet e “kontrollit të saj të rreptë mbi inflacionin” –nga njëra anë, me çmimet e dollapit të bukës po ikin kacafiu –nga ana tjetër. Si mund ta konsiderojmë efikase atë ndërhyrjen e vjetshme për rritjen katër herë të normës së interesit? A s’jemi pak si tepër larg nga rezultati i pritur e i llogaritur? A thua që edhe sivjet, qytetarët, që sot shpenzojnë 30-40% më shumë për bukë, vaj a makarona t’a dëgjojnë me të njëjtin respekt e përulje, atë raportin e përbashkët “trepalësh”: çdo gjë në rregull, GDP-ja rritet, inflacioni ..nën kontroll! Si zor, them unë.
***
Diçka tjetër bëhet edhe më shqetësuese në këtë kontekst. Reagimi i sotëm i aktorëve dhe institucioneve, mënyra se si ata po e lexojnë dhe po e menaxhojnë këtë krizë. Si i bëhet dhe kush ka të drejtë në debatin e sotëm mbi situatën ekonomike e të çmimeve? Natyrisht askush s’pret që menaxhimi të bëhet me caktime shtetërore e çmime-tavan. Por ajo që të gjithë kërkojnë me plot arësye, e duhet ta kërkojnë më fort në të ardhmen, është që të “çlirohet mekanizmi i tregut”. I cili duket i bllokuar. Aq sa nuk përçon sinjale. Ç’ka do të thotë se reforma të rëndësishme kanë ngecur pezull. Dhe pikërisht këtu, tek reformat, kemi plot punë me qeverinë. Këtu duhen kërkuar edhe zgjidhjet që përpiqet të gjejë debati i sotëm.
Nuk e shohim këtë shqetësim në sjelljen e sotme të autoriteteve. Së paku të tre aktorët e sipërpermendur (Konkurrenca, Banka, Financa, etj), duken (më e pakta që mund të themi) krejt të pavetëdijshëm për gravitetin e çështjes. Dhe po e përcjellin atë në mënyrë folklorike. Njëri duke këshilluar shitësat se nuk është e udhës që ata të ngrejnë çmimet se kështu mund ..t’u ikin klientat. Tjetri duke përsëritur parullën e njohur “lerja tregut se e qan vetë!”. Dhe i treti, duke dhënë ca “leksione” andej-këtej, mbi suksesin tonë spektakolar në ..kontrollin e inflacionit!
Nga Selim BELORTAJA
