Nga Reformat tek ...Gandizmi
S’duhet të jesh medoemos një ekspert Indie për të kuptuar se “gandizmi” sot ka rigjetur ndoshta terrenin më pjellor për ri-mbirje e harlisje të shpejtë: Shqipërinë. E njohur vonë me modelet e lëvizjeve shoqërore nëpër botë, jeta politike shqiptare, po tregon një dobësi të veçantë ndaj këtij trendi të mes-shekullit të kaluar. I cili pasdyshim la pas jo vetëm një finale të madhe kombëtare për Indinë, por edhe një trashëgimi eksperiencash e mësimesh për një reagim social e politik ndryshe.Nuk ka dyshim gjithashtu se “dishepulli” i parë i këtij shembulli dhe përçuesi më elokuent i mënyrës “gandiste” të reagimit e komunikimit është zoti Rama, jo vetëm pas ardhjes në krye të PS. Sot e gjithë sipërmarrja e tij e gjerë politike, shfaq disa tipare të konturuara aq qartë, sa që nuk le vend për të dyshuar mbi modelin e zgjedhur. Që është padyshim Mahatma Gandi i 1930-48-ës. A është ky një lajm i mirë apo i keq? Përgjigja këtu s’është aspak e lehtë. Në formulimin e saj mund të nisemi nga këndvështrimi tradicional mbi politikën dhe luftën ndërpartiake (kështu do të bënin shumica e militantëve në parti). Dhe mund të shtrembëronim buzët. Ashtu si të njëjtën çështje mund ta shikonim edhe ndryshe: si qytetarë që duan një jetë më të mirë (kështu do të bënin shumica e shtetasve të këtij vendi). Të cilëve politika s’ju hyn në punë përveçse si një vegël, si një mjet, që çon në rritjen e mirëqënies, sigurisë e jetës së tyre. Dhe në këtë rast miratimi do të lexohej qartë. Do të kishim pra dy vlerësime të ndryshme për të njëjtën pyetje. E vërteta sipas meje, është se ky model veprimi i zotit Rama ka kaluar një periudhë suksesi nga çdo këndvështrim ta marrësh. Si garanci për këtë mjafton qoftë edhe vetëm fakti që së fundi dialogu me Shqipërinë po rimerret thuajse i kopjuar edhe nga oponenti më i madh politik i PS-së, zoti Berisha. Nëpërmjet turit të tij të posashpallur “takim me qytetarët”. Të ishte një metodë koti, Berisha s’do ta kishte përqafuar kaq pa hezitim. Edhe pse shumë i vonuar, ai duket i ndjeu efektet...
Nga ana tjetër, ka një pikë kyçe që zoti Rama i pari (dhe zoti Berisha mbas tij) duhet ta nënvizojnë: atë që edhe gandizmi ka kufizimet e “kushtëzimet” e veta. Që ai nuk është as një proces universal, as dogmatik e as i përjetshëm. Jo vetëm për faktin që gandizmi kërkon një Mahatma Gandi. Jo vetëm për faktin që mbështetësit e zbatuesit e gandizmit ishin nga India. Por për shumë faktorë të aktualitetit e të rrethanave ku ndodhet Shqipëria me politikën, lidershipet e qytetarin e saj, sot. Pa asnjë pikëtakimi me Indinë e asaj kohe – politikisht një koloni britanike, e as me strukturat shoqërore e traditat e hinduve e muslimanëve të saj. Por faktori kryesor në këtë mes, ai që e bën gandizmin shqiptar thuajse asgjë më shumë se sa një aktivitet kulturor, është diçka tjetër. Është fakti që Shqipëria e vitit 2008 –kandidate për në NATO dhe thuajse-kandidate për në BE, ndryshe nga India e 1946-ës, e ka një kushtetutë të vetën dhe një program të plotë REFORMASH për t’u kryer e objektivash për t’u arritur. Ka madje edhe indikatorët për t’ja matur rezultatin. Kështu që nuk ka edhe shumë shtigje për të zgjedhur. Zgjedhjen e ka bërë dhe kjo është rruga e integrimit në BE. Kjo e bën edhe të lehtë gjykimin mbi arritjet e mosarritjet. Mjafton të shikojmë reformat dhe të masim shkallën dhe cilësinë e bërjes së tyre. Roli i pluralizmit kufizohet kështu në konkurrencën për reformat që kërkohen. Kush i bën mirë rri në pushtet, kush i bën keq duhet të ikë.Kjo sugjeron edhe atë që ture të tilla “gandiste” ta ngushtojnë e precizojnë pak më mirë fokusin e tyre. Ato s’ka nevojë që të lodhen në trajtesa të gjera gjysëm-spirituale e etiko-edukative. Pas këtij sqarimi, mendoj sidoqoftë se, në se deri më sot “dialogun” Rama mund ta quajmë me plot gojën një tur të suksesshëm, kryesisht në vështrimin njohës, komunikues e emancipues të shoqërisë shqiptare, nuk mund të themi të njëjtën gjë mbi vazhdimin e tij në të ardhmen. Ky cikël e ka arritur pikën e vet të ngopjes dhe ndodhet para dy alternativash: ose me këtë arsenal të ri eksperiencash t’i kthehet politikëbërjes normale (tashmë të pasuruar e modernizuar), ose të kalojë në një stad tjetër më të lartë e më efektiv të “dialogut”. Natyrisht në se një variant i tillë ekziston. Gjithsesi vazhdimi i njëtrajtshëm i këtij aksioni s’mund të jetë efektiv më tutje. Mendoj se i ka arritur caqet e optimales.Një arësye më shumë e “mbingopjes” me këtë metodë, por edhe një sinjal që “ky pilaf s’mban më ujë” është hyrja në të jëjtën valle e zotit Berisha. “Takimi me qytetarët”
Që të jemi më të qartë mbi origjinalin dhe ngjashmëritë e tentuara, por edhe mbi dobinë e risjelljes në skenë, le t’i heshim një sy, ç’sugjeron në fakt modeli “Gandi”? Metoda e tij e ndërverpimit – Satyagraha (shtegu për tek e vërteta), predikon që angazhimi në konflikt (përfshi edhe konfliktin debatues) duhet bërë në mënyrë konstruktive dhe jo mohuese e asgjësuese të kundërshtarit. Parimet bazë të Satyagraha-s si e vërteta, rruga paqësore dhe …vetësakrifikimi, kanë një piksynim të ndryshëm nga ai tradicional: mënyra se si njerëzit reagojnë thoshte Gandi, është më e rëndësishme se sa ajo se ç’farë ata arrijnë. Më të rëndësihme se çdo gjë, sipas tij, janë katër gjëra: së pari, një mënyrë të re komunikimi e cila dalëngadalë pranohet edhe nga oponentët. Së dyti, përjashtimin e akteve të dhunës së çdo forme dhe kërkimin e së vërtetës -ndryshe nga historia e deriatëhershme -si një zgjidhje të negociuar që mund t’i kënaqë të dyja palët në konflikt. Së treti, vlerësimi mbi triumfin apo objektivin final të mos lidhet me pozitën e atyre vetë, por me kapërcimin e situatës, përmes realizimit të një sinteze mes pretendimeve të kundërta apo të ndryshme të palëve. Së katërti, fleksibilitetin ose pranimin e tërheqjes nga pozicionet fillestare në se për këtë krijohet një bindje e re si rezultat i përplasjes së ideve. Përmbledhur në dy fjalë metoda e Gandit ngrihet mbi dy shtylla: komunikimi i hapur e paparagjykime dhe përjashtimi i dhunës. Teknikisht, si mjete kundërshtimi, Satyagraha predikonte qëndresën paqësore dhe mosbindjen civile –terma që sot në Shqipëri i ndeshim jo dhe aq rallë. Në ka ndonjë gjë në këtë metodë, që vlen gjithandej, ajo është etika e komunikimit “Gandi”. Për studiuesit e komunikimit etik, retorikat nacionale, politike e populiste kryesisht shifen si joetike. Disa nga normat që prezantojnë këta studiues, pra për përcjelljen e ideve publikut të gjerë, janë mëndja e hapur në kërkimin e së vërtetës, drejtësia, përparësia e motiveve publike mbi ato private, respekti për mendimin ndryshe, shpallja publike e argumenteve, dhe bindja e njerëzve pa ushtruar presion e pa fshehur faktet. Gjithë veprimi i Gandit të madh për të zgjidhur konfliktet, ngrihet pikërisht mbi këto norma etike të komunikimit. Prandaj ai në rradhë të parë klasifikohet si komunikim etik.
Pas kësaj njohje me modelin, e kemi më të qartë besoj rrezikun prej vazhdimit të kopimit të tij. Duket ashiqare se ajo që e gremis direkt gandizmin shqiptar këtej e tutje, duke e shndrruar gjithnjë e më shumë në material për Servantesin, do të ishin personazhet vetë. Gandisti i ri është zoti Berisha. Merret me mend përqasja e tij me imazhin “gandist” të paqes, arsyes, modestisë, e non-violencës. Ndërsa Rama, rrezikon për një arësye tjetër. Pikërisht për pranimin që ai i bën Berishës si bashkëpërçues i gandizmit në Shqipëri. Në se deri më sot, për koston e ngushtë poltike që shkakton kjo “hapje qytetare” ai ka një “skuzë”– dhe kjo është emancipimi shoqëror që aspiron politikani i ri Rama, nesër këtë nuk mund ta ketë. Do të referohet si Rama që pranoi Berishën për bashkëemancipues e freskues të poltikës shqiptare. Është tamam koha për ta shmangur këtë rrezik.
Sidoqoftë as sa më sipër nuk është thelbi i këtij shkrimi. Dështimi a mosdështimi i “gandizmit” shqiptar, nuk është çështja më e ndjeshme, as për mua e as për miliona shqiptarë si unë. Shumë më e rëndësishme për të gjithë, është diçka tjetër: përqafimi i “Gandizmit” si një rrugë për t’i rrëshkitur përgjegjësive. Barazimi i këtij turi nëpër kodra e lugina, thjesht me renë e pluhurit që ngrejnë karvanet e benz-ave të zinj. Në rastin e zotit Rama, tejzgjatja e këtij refreni s’mund të mos lexohej më, si një ikje nga përgjegjësia e të bërit opozitë. Si shmangje nga ai angazhim i dyfishtë “ballor” që ka opozita e sotme shqiptare. E kam fjalën jo aq për rotacionin pra shndrrimin e mazhorancës në opozitë, se sa për largimin e personit që sundon përballë, e që më qartë se kushdo mishëron tiparet e poltikës së vjetër. Ndërsa për vetë zotin Berisha, “gandizmi” sot është vërtet një dhuaratë nga qielli. Që e ndihmon njëkohësisht t’i rrëshkasë gjithshkaje. Së pari, Gërdecit (ku ka më mirë se sa ndërsa drejtësia e publiku pret sqarime, ti të shtrish krahët anëve të horizontit duke ri-premtuar ..e ri-sugjestionua). Së dyti, tensioneve të brendshme të mazhorancës (s’ka më mirë se t’i ndjekësh ato nga qafa e Llogarasë). Dhe së treti, si një largim hutues nga reformat e pakryera. Ka një listë të gjatë pikëpyetjesh mbi to. Ç’bëhet me “kafshatën” e varfërinë, me vaskat e florinjta, me papunësinë, me listat “veresie”, me monopolet, me çështjen e pronës, me “Shqipëria 1 Euro”, me ndotjen e ajrit, me korrupsionin e madh, me rryshfetin e vogël, me sigurinë rrugore, me “shërbesat” e shërbimeve publike, me ekologjinë, me kapacitetet administrative, me klimën e biznesit, me konkurrueshmërinë, me “moshën e internetit” me eksportet, etj, etj. Ajo që ndoshta nuk di mirë zoti Berisha e stafi i “turit” të tij është vetëm një gjë: që këto pyetje sot nuk ngrihen vetëm në Tiranë.
